Besim Karaj - Vrasësi,me antiplumb në gjykatë
KORçE - Besim Karaj, autori i vrasjes së trefishtë në Vidohovë të Devollit u paraqit dje në gjykatë i veshur me antiplumb. Nën masa të forta sigurie, nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme nga të afërmit e familjes Mulliri, 45-vjeçari rrëfeu edhe një herë para togave të zeza krimin e rëndë dhe itinerarin deri në banesën e vëllait të tij në Thumanë. Gjykata e Korçës i komunikoi atij masën e sigurisë, e cila ishte marrë në mungesë që më datën 1 shkurt, "burg pa afat". "Kërkoj nga gjykata një proces sa më të shpejtë, pasi nuk jam në gjendje të përballoj shpenzimet financiare të gjyqit", u shpreh Besim Karaj, në të vetmen kërkesë të tij. Në gjykatë nuk kishte asnjë familjar të viktimave apo autorit. g.a