E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratë e Bares, për të dashurën

 Armand BajramiGjykata për Krimet e Rënda u njoh dje me dy dëshmi të reja në procesin me shtatë të akuzuar si anëtarë të "bandës së Lushnjës". Dëshmitari Artan Bendo tregoi për transfertat e parave nga Lushnja në drejtim të Denada Kodrës në Rumani, e fejuara e Aldo Bares, të akuzuarit si kreu i "bandës". Ndërsa dëshmitari Fatmir Taullai tregoi para gjykatës për presionin, kërcënimet dhe gjobat e vëna nga anëtarë të bandës deri tek vrasja e vëllait të tij, Baki Taullai në vitin 2005.TRANSFERTAT për të dashurënPyetja e dëshmitarit Artan Bendo nga Prokuroria mbi transferta parash të kryera drejt Rumanisë nga agjencia e tij e transfertave të parave në Lushnje shkaktoi reagime dje tek avokatët e çështjes. Mbrojtësit thanë se kjo nuk kishte lidhje me akuzat e të pandehurve në proces. Nga ana tjetër, prokurorët sqaruan se kërkohej të provohej fakti që "janë bërë dërgesa parash nga agjencia e transfertave tek shtetasja Denada Kodra, që sipas akuzës, rezulton të ketë lidhje martesore me Aldo Baren, me emrin e ndryshuar Mikel Kodra gjatë kohës që ai ishte në arrati". Dëshmitari Bendo tha se nuk e njihte Denada Kodrën, por njihte nënën e saj Vjollca çela. "Ajo ka ardhur disa herë të kryente veprime tek pika ime e transferimit të parave. I dërgonte para vajzës, që studionte në Rumani, Denada Kodrës. Ka pasur disa dërgesa drejt saj. Madje, për shkak se ishte kliente e rregullt, ndonjëherë kishte raste që shumën e dërgesës e përcaktonte me telefon. Mbaj mend njëherë që më tha të nisja 3 mijë dollarë. Për efekt procedure për të pasur një 'dërgues' ne mund të përdorim emrin e ndonjë klienti të rastësishëm në agjenci. Më vonë Vjollca na sillte paratë", tha dëshmitari para gjykatës. Togat e zeza pranuan në vijim kundërshtimin e pjesshëm të dëshmisë me thëniet e tij në Prokurori në vitin 2006. Referuar procesverbalit, dëshmitari kishte cituar një tjetër kliente të tij se "Vjollca i ka thënë se paratë vinin nga fitime nga Laguna dhe nga Bingoja".  Dëshmitari Artan Bendo tregoi për takimin e tij me Mirko Gjerivanin, i dhunuar dhe i gjobitur nga anëtarë të "bandës". "Mbaj mend një rast që Mirko kishte një enjtje në sy. Më tha që kishte bërë një aksident dhe më ka marrë shumën 200 mijë lekë të rinj. Paratë ishin të tijat, por m'i kishte lënë mua me mirëbesim. Bashkë me të ka qenë Sajmir Aliço. Për të Mirko më tha që e kishte gjetur të aksidentuar dhe e kishte çuar në spital. Më vonë Mirko më ka thënë: Ai nuk ishte aksident, por lëre fare atë muhabet", tha dëshmitari.Konflikti me TaullainFatmir Taullai dëshmoi dje se si ai dhe vëllezërit e tij ishin kërcënuar për vite me radhë nga "banda e Lushnjës" deri në vrasjen e vëllait të tij në 2005. Dëshmitari pohoi dje në seancë se nuk mund të kujtonte saktësisht datat dhe vitet e ngjarjeve, por nuk harronte gjobat e paguara për "bandën". "Të pandehurit i njoh. Me ta kemi pasur vetëm presione dhe konflikte derisa shkuan tek vrasja e vëllait. Vëllait tim Albert Taullai në 1998 i kanë vënë tritol pranë derës së banesës së tij në katin e dytë të një pallati. Pas tritolit ka ardhur Arjan Aliço dhe ka thirrur vëllain tim Bakiun. Bakiu na tha se kishte shkuar dhe kishte takuar Ben (Arben) Boriçin dhe Enver Dondollakun. Këta i kishin thënë sikur vëllai im tjetër, Sajmiri, që ishte në Itali, ishte konfliktuar me ta", tha dëshmitari. Ai tregoi për gjobat e "profesorit", nofka me të cilën njihej Aldo Bare. "Gjobën e kishte vënë Ilir Stërgu. Sipas Stërgut, atij i kishte thënë Fredi Shkurti (Aldo Bare) se donte 10 milionë lekë. Vëllai im ia dha këto para, nga frika se mos i kanosej gjë vëllait tjetër që kishim në Itali. Në një rast tjetër, Ilir Stërgu gënjeu vëllain tim Sajmirin dhe i tha 'të kërkojnë tek varrezat' për ta vrarë. Atje, Leonard Prifti i ka thënë: Na sill vëllanë tjetër. Më vonë ata u zunë me vëllain, Bakiun për një truall toke dhe i kërkuan 500 mijë euro. Gjobën e kërkonte Enver Dondollaku nga Italia. Kunati i Dondollakut i vinte telefonin në vesh Bakiut, teksa ecte në Lushnje, ku fliste Dondollaku që i kërkonte lekët. Rasti i fundit ishte kur vëllait i vunë tritol tek karburanti. I bënin presion dhe kur ai i denoncoi, ata pas 6 muajsh e vranë. Njëherë tjetër vëllai im Sajmiri ka dërguar 6 milionë lekë motrës së Dondollakut.", tha dëshmitari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›