Policia: Në Tiranë fshihen 500 të kërkuar
Ekspertët: Ata zgjedhin Tiranën dhe periferinë e saj për shkak se lëvizin pa u njohur nga askush
TIRANË- Periferia e Tiranës prej vitesh është kthyer në vendstrehim për të kërkuarit e policisë. Janë rreth 500 persona të shpallur në kërkim nga policia pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale të cilët fshihen në rrethinat e kryeqytetit. “Një pjesë e mirë e të kërkuarve të cilët i fshihen policisë në rrethinat e Tiranës janë nga qytetet e veriut të Shqipërisë”,- tregojnë blutë e policisë së Tiranës. Duke shfrytëzuar të afërmit e tyre të cilët prej vitesh janë zhvendosur për të jetuar në lagjet periferike të kryeqytetit personat e shumëkërkuar zhduken nga qyteti i tyre për tu fshehur te të afërmit. Por pavarësisht se policia siguron informacione në rrugë operative për vendndodhjen e të kërkuarve duke organizuar edhe operacione, jo rrallë herë ka dështuar për t’i arrestuar ata. Kjo për shkak se të kërkuarit “nuhasin” kur një i panjohur interesohet për ta ndërsa nuk qëndrojnë gjatë në të njëjtin vend.
Shkaqet
Shumë persona të shpallur në kërkim nga policia për vepra të ndryshme penale por kryesisht për vrasje e vjedhje, strehohen në periferi të Tiranës. Policia e kryeqytetit shpjegon se janë një sërë faktorësh që sjellin të kërkuarit të cilët janë një pjesë e mirë nga veriu i vendit, në periferi të Tiranës. Sipas policisë shkalla e njohjes është shumë herë më e vogël për të kërkuarin i cili në vendin e tij të lindjes e ka pothuajse të pamundur të qëndrojë për shkak se dekonspirohet nga njohjet e tij. Kështu ndryshe ndodh për të në Tiranë i cili ka mundësi edhe të lëvizë lirshëm madje policia siguron informacione se shumë prej tyre janë të angazhuar edhe me punë në kryeqytet. Ndërkohë që të afërmit ku ata qëndrojnë janë të paregjistruar në Tiranë ndaj dhe lidhja me të kërkuarin bëhet pothuajse e pamundur për tu zbuluar nga policia.
Policia
Forcat e policisë të cilat janë të angazhuara për kapjen e personave në kërkim, jo rrallë herë kanë dështuar për kapjen e tyre. “Nuk mund të thuhet një shifër e saktë për personat e kërkuar nga rrethet që fshihen në rrethinat e Tiranës, si në Kamzë, Babrru, Bathore etj, por janë rreth 500 persona. Pavarësisht se policia arrin të mbledhë informacione rreth vendndodhjes së një të kërkuari ndodh që dështon për kapjen e tij pasi ai largohet gjetkë, duke mos u kthyer më te banesa e të afërmit të tij dhe strehohet në një tjetër banesë” tregojnë për “Shekullin” burimet policore. Kjo e fundit ka zbuluar taktikën e të kërkuarve nga rrethet prej vitesh ndaj dhe disa inspektorë qarkullojnë enkas për të siguruar informacione rreth vendndodhjeve të këtyre personave të kërkuar shumë prej të cilëve kanë përfunduar në qeli për të vuajtur dënimin.
Policia: Të kërkuarit e jugut, në Greqi e Itali
Policia nuk nguron të thotë se shumë prej të kërkuarve fshihen jashtë vendit. Personat e shpallur në kërkim të cilët janë nga qytetet e jugut kanë gjetur si vend strehimi shtetin Grek apo Italinë. Por nuk përjashtohen rastet kur disa prej tyre fshihen në Tiranë. Ashtu sikurse një pjesë e të kërkuarve nga veriu fshihen në Kosovë por pjesa dërrmuese gjenden në rrethinat e Tiranës. Sipas policisë, të kërkuarit zgjedhin të largohen ilegalisht në shtetin helen ku dhe ndryshojnë gjeneralitet. Të njëjtë gjë bëjnë edhe nëse shkojnë në Itali. Ndaj dhe policiapersonat që janë dënuar në mungesë i ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, dhe shumë prej tyre janë arrestuar jashtë vendit dhe janë ekstraduar.