Djegia e oficerit të SHISH, Prokuroria e Durrësit heton në pistën e vrasjes
Zbehen dyshimet për një vetëvrasje të mundshme të Isa Çopës. Prokuroria e Durrësit shënon vrasjen me paramendim si akuzë zyrtare, ndërsa pritet ekspertiza përfundimtare dhe tabulatet
Tiranë Ngjarja e rëndë e djegies së oficerit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Isa Çopa vazhdon të mbetet e pazbardhur, edhe pse ka kaluar më shumë se një javë. Të dhënat e para dhe konkluzionet jo të plota të Institutit të Mjekësisë Ligjore, duket se kanë orientuar hetimet e deritanishme drejt pistës së vrasjes. Sipas burimeve mësohet se kjo është edhe akuza, për të cilën grupi hetimor është duke kryer verifikimet e duhura për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë. Akuza zyrtare e shënuar në dosjen penale dhe regjistrin e Prokurorisë së Durrësit është ajo e vrasjes me paramendim, pistë në të cilën janë investuar edhe specialistët më të mirë të Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe prokurorisë. Një pjesë e mirë e të dhënave të deritanishme tregojnë se Isa Çopa mund të jetë vrarë dhe më pas është djegur në automjetin e tij. Këto dyshime të para bazohen kryesisht mbi raportin e parë të mjeko-ligjorëve, të cilat kanë mundur të evidentojnë disa goditje në pjesën e pasme të kokës së oficerit të SHISH-it. Goditjet janë në formë prerëse, të cilat sipas ekspertëve dyshohet se mund të jenë shkaktuar me mjete të forta. Por kjo pjesë e ekspertizës pritet të pasohet nga një tjetër raport, i cili do të vihet në dispozicion të prokurorisë brenda kësaj jave. Raporti në fjalë ka të bëjë me përcaktimin e shkakut ekzakt të vdekjes së 49-vjeçarit, si dhe kohën e djegies së tij. Nëpërmjet analizave, ekspertët mund të përcaktojnë nëse oficeri i SHISH-it është djegur pasi është vrarë, apo është vetëdjegur. Kjo pistë, sipas hetuesve përforcohet më shumë nga dy elementë të vërejtur nga hetimet e deritanishme. Një bidon, që viktima kishte marrë te shtëpia e mbesës së tij disa orë para ngjarjes, dhe një sms që i është dërguar djalit të tij 15-vjeçar. Të dyja këto të dhëna, sipas policisë të çojnë drejt pistës së vetëvrasjes, por do të jenë analizat shkencore ato që do të përcaktojnë të vërtetën e ngjarjes së rëndë, e cila vazhdon të jetë ende mister edhe pse ka kaluar më shumë se një javë nga ngjarja. Paralelisht, hetuesit kanë marrë në pyetje familjarët dhe kolegë të viktimës, të cilët kanë deklaruar se Isa Çopa nuk kishte shfaqur asnjë problem, qoftë në familje apo edhe në punë. Sipas burimeve mësohet se ditën e sotme, në dispozicion të hetuesve pritet të vihen tabulatet e telefonit celular të viktimës, ku do të verifikohen të gjitha thirrjet hyrëse dhe dalëse në celularin e tij. Nëpërmjet tyre, grupi hetimor synon të identifikojë personat e fundit që kanë kontaktuar me oficerin e SHISH-it para ngjarjes ku ai humbi jetën, me shpresën e sigurimit të informacioneve që mund të ndihmojnë hetimin. Të dhënat e deritanishme tregojnë se ngjarja e datës 24 nëntor ka më shumë elementë të vrasjes. Për këtë arsye, ngjarja është regjistruar si e tillë dhe po punohet në këtë pistë deri në mbledhjen e informacioneve të nevojshme që do të konfirmojnë ose jo dyshimet e grupit hetimor.
SHISH, hetime paralele për Çopën
Nëse dyshimet për vrasje konfirmohen, atëherë për grupin e hetimit do të shtrohet një tjetër sfidë e madhe, që ka të bëjë me motivet e ngjarjes së rëndë. Deri tani, policia dhe Shërbimi Informativ Shtetëror duket se po bëjnë një punë të pavarur hetimore, pasi të dhënat tregojnë se bashkëpunimi mes tyre nuk është në nivelet e kërkuara, kjo ndoshta edhe për shkak të detyrës tepër sekrete që Isa Çoba kishte para se të gjendje i djegur në automjetin e tij. Trupi i pajetë i oficerit madhor të shërbimeve sekrete u gjend i djegur në ndenjësen e pasme të makinës, në një plazh gati të shkretë, në periferi të qytetit të Durrësit. Ekspertët kanë mundur të gjejnë një gjurmë predhe në tavanin e makinës, predhë kjo e shkrehur nga pistoleta tip “Makarov” që Çoba kishte me vete.