Ekspertët: Videopërgjimi Meta-Prifti, jo origjinal. Prifti: Gjykata të kërkojë ekspertizë nga policitë e BE-së

Ne foto: Tre ekspertet e videos Meta-Prifti ne ambientet e Gjykates se larte, diten kur u ngarkuan per verifikimin e vertetesise se materialeve ne kompjuterin, oren dhe USB-ne e ish-ministrit
Tre ekspertuesit e regjistrimit Meta-Prifti, të vënë në lëvizje për llogari të gjykimit të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta në Gjykatën e Lartë, thanë dje se videoja e ekspertuar nuk ishte origjinale; se kishte shumë mundësi që në të të ishte ndërhyrë dhe se materiali kishte shumë zhurmë. Në seancën e djeshme, ekspertët Ardian Pollo, Ermal Beqiri dhe Artur Rrahmani u dhanë përgjigje 18 pyetjeve të Gjykatës, të caktuara më se një muaj më parë. Sipas ekspertëve, në orën me të cilën pretendohet të jetë kryer videoja, nuk është gjetur asnjë gjurmë e videos Meta-Prifti. Nga rikuperimi i saj është gjetur vetëm një video tjetër, por që nuk ishte objekt i këtij gjykimi. Sipas ekspertëve, i vetmi vend ku u gjet videoja ishte në një file në memorien e lap-topit të Priftit dhe në pajisjen USB. Ekspertët pohuan se kishin gjetur mbivendosje në këtë video duke e ilustruar këtë me tik-tak-et e orës, çka sipas tyre tregonte se ishte i lartë probabiliteti i ndërhyrjeve në kuptimin e fshirjes dhe të montazhit audio. Ekspertët kishin krijuar një kopjo duke e filtruar videon, por sipas tyre, edhe pas filtrit, për shkak të zhurmës, në video ka pjesë që mbeten të padëgjueshme dhe të pakuptueshme.
Më poshtë, pyetjet e gjykatës dhe përgjigjet e ekspertëve:
1.1 Objekti i këqyrur dhe marrë si provë materiale në formë ore, a është i përshtatshëm për të realizuar regjistrimin audio-viziv (figurë dhe zë)? Cilat janë karakteristikat fizike dhe karakteristikat teknike të tij? Si provohet nga ana shkencore se ora e tavolinës ka qenë mjet me të cilin është realizuar përgjimi i bisedës? A gjendet në objektin orë regjistrimi audio-viziv, apo gjurmë të regjistrimit të bisedës mes të pandehurit Ilir Meta dhe shtetasit Dritan Prifti? Nëse po, cila është ora dhe data e realizimit të këtij regjistrimi audio-viziv?
a) Po, objekti i ekspertimit, ora, e marrë si provë materiale, është prodhuar për të realizuar regjistrime audio-video.
b) Gjatë këqyrjes fizike të orës objekt-ekspertimi, u konstatua se është një orë-mikrokamera, e cila ka një mikrofon dhe në faqen anësore të trupit metalik evidentohet një vrimë (korresponduese me mikrofonin) lehtësisht e dallueshme me shikim të lirë. Në pjesën e poshtme ka një konektor (portë USB), një buton për të komanduar regjistrimin dhe një dritë LED ngjyrë blu, në pikën e orës 9, që sinjalizon procesin e karikimit të baterisë, procesin e fillimit të regjistrimit dhe mbarimin e tij, si dhe një rrotull që komandon akrepat e orës dhe një buton tjetër. Sipër numrit 12 ndodhet objektivi i mikrokamerës. Është orë funksionale, ka akrepat dhe fushim në numrat tregues të kohës (orës). Kapaciteti i memories së orës objekt ekspertimi është 8 Gb.
c) Nuk mund të provojmë nëse ora objekt ekspertimi, është mjeti me të cilin është realizuar regjistrimi i bisedës.
d) Jo, nuk gjetëm gjurmë të regjistrimit të bisedës Meta-Prifti. Nga ekzaminimi i objektit (ora), nuk jemi në gjendje të përcaktojmë origjinën e saj. Sipas detyrës së ngarkuar, u ekzaminua memoria e orës objekt ekspertimi dhe nuk u gjetën gjurmë të bisedës Meta-Prifti. Memoria e orës në pamje të parë ishte bosh. Nga rikuperimi i memories së orës, u gjet i fshirë një file, video e formatit AVI me emrin ICT0001.AVI, i cili nuk është objekt i ekspertimit. Në pjesën tjetër të memories së orës, kishte një numër të konsiderueshëm imazhesh BMP të fshira, pa datë krijimi apo modifikimi, identike në përmbajtje me njëra-tjetrën, të cilat nuk e kanë origjinën nga kamera e orës.
e) Nuk u bë e mundur kryerja e një ekspertimi, për të realizuar regjistrime me orën objekt ekspertimi, pasi në memorien e saj evidentohet një regjistrim tjetër, i cili nuk është objekt i këtij ekspertimi dhe mund të cenohej ky regjistrim (provë që është objekt i një çështjeje tjetër).
1.2 Objekti i këqyrur dhe marrë si provë materiale, në formë ore, a lejon shkarkimin në pajisje të tjera elektronike kompjuter të materialeve të regjistruara nëpërmjet tij? Nëse po, ky shkarkim a mund të realizohet nëpërmjet objektit kabull USB të këqyrur, të marrë si provë materiale?
Po, ky objekt lejon shkarkimin në pajisje të tjera elektronike kompjuter. Kablloja USB objekt ekspertimi shërben për shkarkimin e regjistrimeve audio-video.
1.3 Regjistrimi audio-viziv që ndodhet në objektin lap-top, provë materiale, në faqen e parë të tij, vetëm dosja (folder-i) me emërtimin Dritan Prifti, çfarë specifikimesh teknike ka dhe a është e mundur të përcaktohet nëse është hedhur (shkarkuar) nga objekti regjistrues në formë ore? Nëse një gjë e tillë nuk mund të përcaktohet, a është e mundur që të shkarkohet nga një objekt i tillë duke pasur parasysh përputhjen e kapaciteteve të pajisjes regjistruese (kamerës dixhitale, në objektin orë) me materialin audio-viziv të regjistruar të ndodhur në objektin lap-top?
a) Nëse me faqen e parë të tij, nënkuptohet folderi desktop i userit Dritan Prifti, ne nuk gjetëm material audio-video.
Nga kërkimi në memorien e lap-topit objekt ekspertimi, u gjet një regjistrim audio-video me emërtimin PICT0008.AVI në path-in: C:\Users\Dritan Prifti\100DSCIM\ (Ky file ka specifikimet teknike: madhësi 753.428 Kb, datë modifikimi 01/03/2010, ora 01:33 dhe me kohëzgjatje 21 minuta e 3 sekonda).
b) Nuk është e mundur të përcaktohet nëse shkarkimi është bërë nga ora (mikrokamera) objekt ekspertimi.
c) Në bazë të specifikimeve të përmendura në pikën a), jemi në gjendje të themi që ora ka kapacitet për të gjeneruar një file të madhësisë në bit të PICT0008.avi..
Teknikisht, ne nuk mund të përcaktojmë përputhje të tjera, sepse nuk mundëm të kryenim regjistrime audio-video eksperimentale me këtë orë mikrokamera.
1.4 A mund të përcaktohet ora dhe data e saktë e hedhjes (shkarkimit) në objektin lap-top provë materiale, vetëm të materialit audio-viziv të bisedës Meta-Prifti në dosjen (folder) me emërtimin Dritan Prifti?
Ne nuk gjetëm në memorien e orës objekt ekspertimi, gjurmë të materialit audio-video Meta-Prifti dhe i vetmi burim informacioni për PICT0008.avi është informacioni që shoqëron filen në lap-top. Nga ekzaminimi i bërë C:\Users\Dritan Prifti\100DSCIM\PICT0008.avi. në lap-top, data e fundit e modifikimit është 01.03.2010 01:33PM (data muaji viti ora). Gjithashtu u konstatua që data e BIOS-it në lap-top korrespondon me datën dhe orën aktuale.
1.5 Materiali audio-viziv i bisedës mes subjekteve Ilir Meta dhe Dritan Prifti, i ndodhur në objektin lap-top, provë materiale, faqen kryesore desktop dosja (folder) me emërtimin Dritan Prifti a ka ndërhyrje në përmbajtjen e tij audio dhe video, në kuptimin e fshirjes dhe montazhit të këtij regjistrimi etj.? Nëse po, ku konsistojnë këto ndërhyrje?
Në mungesë të një file origjinal me përmbajtje audio-video Meta-Prifti në orë, nga ekzaminimi u konstatuan ndërhyrje dhe mbivendosje të mundshme në file-n e gjetur në lap-top.
Gjatë ekzaminimit të materialit audio-video C:\Users\Dritan Prifti\100DSCIM\PICT0008.avi. arritëm në deduksionin që:
Tik-taku i orës është i linearizuar në gjithë gjatësinë e tij me sekondat e time-line. Në minutën 11.25, konstatohet në spektër gjurmë e ngjashme me një tik-tak (tepër), jo në harmoni me tik-tak-ët e tjerë. Në minutën 12.35, vihet re sërish një tik-tak i mbivendosur. Duke parë deformimet anormale të kurbës së sinjalit në pikat e mësipërme, konkludo