E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertiza e plotë: Ndërhyrje në videon e përgjimit Meta-Prifti

SHKRUAN: Leonard Bakillari 01-11-2011 12:18

Tre ekspertët, Ardian Pollo, Artur Rrahmani dhe Ermal Beqiri, lexuan dje në Gjykatën e Lartë 25 faqet e akt-ekspertimit për video-përgjimin. “Në orën e tavolinës nuk ka gjurmë të videos. Në të vërehen intervale të ndryshme të tik-takut të orës, të cilat nuk janë të njëjta me ato që dëgjohen në pjesën tjetër të videos.”

Leonard Bakillari

Tiranë Një muaj pas marrjes së detyrave nga Gjykata e Lartë, tre ekspertët e videos Meta-Prifti paraqitën dje akt-ekspertimin, sipas të cilit mbetet e lartë mundësia që mbi këtë material të ketë pasur ndërhyrje. Për më shumë se një orë, ekspertët Ardian Pollo, Artur Rrahmani dhe Ermal Beqiri lexuan para gjykatës akt-ekspertimin duke iu përgjigjur 18 detyrave të lëna nga Gjykata e Lartë. Sipas akt-ekspertimit të nënshkruar prej tyre, rezulton se në orën e tavolinës nuk ka gjurmë të videos mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit, duke hedhur kështu dyshimin për mungesën e burimit origjinal të provës. Ekspertimi është kryer mbi materialin e gjetur në kompjuterin Lap-Top të Dritan Priftit, ku janë vërejtur ndërhyrje të shumta me USB. Sipas ekspertëve, video Meta-Prifti mund të ketë pasur ndërhyrje, pasi në të vërehen intervale të ndryshme të tik-takut të orës, të cilat nuk janë të njëjta me ato që dëgjohen në pjesën tjetër të videos. Gjithashtu, në akt-ekspertim thuhet se materiali audio-viziv në disa episode të tij mbetet i padëgjueshëm, pavarësisht filtrimit dhe pastrimit që është kryer nga ana e ekspertëve. Akt-ekspertimi prej rreth 25 faqesh i ilustruar me tabelat respektive për çdo fakt të konstatuar nga ekspertët iu shpërnda palëve në fund të seancës së djeshme. Si prokurori, ashtu edhe avokati kërkuan kohë nga gjykata për të dhënë konkluzionet e tyre rreth këtij akt-ekspertimi, por nuk munguan as debatet në fund të seancës. Prokurori kërkoi nga ekspertët të paraqesin emrat e programeve që kanë përdorur për analizimin e të dhënave, për të parë nëse këto programe janë ose jo origjinale. Por kjo kërkesë u kundërshtua nga avokatët mbrojtës të Metës, të cilët thanë se prokurori po vazhdon të ushtrojë presion ndaj ekspertëve edhe në sallën e gjyqit. Sipas tij, gjatë kryerjes së akt-ekspertimit dhe analizimit të materialeve, tre ekspertët janë mbajtur nën presion nga përfaqësuesit e akuzës, të cilët kanë asistuar gjithë procesin. Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurorit, duke urdhëruar ekspertët të paraqesin listën e programeve të përdorura prej tyre, të cilat, sipas vetë ekspertëve, janë të shumta dhe do të paraqiten me shkrim brenda kësaj jave.

Pjesë nga akt-ekspertimi

Gjykata: Objekti i marrë si provë në formë ore a është i përshtatshëm për të realizuar regjistrime audio-vizive?

Ekspertët: Po, objekti i ekspertimit, ora e marrë si provë, është prodhuar për të realizuar regjistrime audio dhe video.

Gjykata: Si provohet nga ana shkencore se ora e tavolinës ka qenë mjeti me të cilin është realizuar përgjimi i bisedës?

Ekspertët: Nuk mund të provojmë nëse ora objekt ekspertimi është mjeti me të cilin është realizuar regjistrimi i bisedës.

A gjendet në objektin orë regjistrimi audio-viziv apo gjurmë të regjistrimit të bisedës mes të pandehurve Ilir Meta dhe shtetasit Dritan Prifti?

Jo, nuk gjetëm gjurmë të regjistrimit të bisedës Meta-Prifti. Nga ekzaminimi i objektit të ekspertimit (ora) nuk jemi në gjendje të përcaktojmë origjinën e saj. Sipas detyrës së ngarkuar, u ekzaminua memoria e orës objekt ekspertimi dhe nuk u gjetën gjurmë të bisedës. Nuk u bë e mundur kryerja e një eksperimenti për të realizuar regjistrime me orën objekt ekspertimi, pasi në memorien e saj evidentohet një regjistrim tjetër, i cili nuk është objekt i këtij ekspertimi dhe mund të cenohej ky regjistrim.

Objekti i këqyrur dhe i marrë si provë a lejon shkarkimin në pajisje të tjera elektronike në kompjuter të materialeve të regjistruara nëpërmjet tij? Nëse po, ky shkarkim a mund të realizohet nëpërmjet objektit “kabëll USB” të këqyrur dhe marrë si provë?

Po, ky objekt lejon shkarkimin në pajisje të tjera elektronike kompjuter. Kablli USB objekt ekspertimi shërben për shkarkimin e regjistrimeve audio-vizive.

Regjistrimi që ndodhet në objektin Lap-Top, në faqen e tij të parë me emërtimin “Dritan Prifti” çfarë specifikimesh teknike ka dhe a është e mundur të përcaktohet nëse është hedhur nga objekti regjistrues, ora?

Nga kërkimi në memorien e Lap-Top-it u gjet një regjistrim audio-video me emërtimin “PICT008.AVI”. Nuk është e mundur të përcaktohet nëse shkarkimi është bërë nga ora objekt ekspertimi.

A mund të përcaktohet ora dhe data e saktë e hedhjes në objektin Lap-Top vetëm të materialit audio-viziv të bisedës Meta-Prifti, në dosjen me emërtimin Dritan Prifti?

Nuk gjetëm në memorien e orës gjurmë të materialit audio-video Meta-Prifti. Nga ekzaminimi i bërë në lap-top, data e fundit e modifikimit është 3 janar 2010.

A ka ndërhyrje në përmbajtjen audio dhe video të materialit audioviziv mes subjekteve Ilir Meta dhe Dritan Prifti, ndodhur në Lap-Top, në kuptimin e fshirjes dhe montazhit të këtij regjistrimi?

Në mungesë të një “file” origjinal me përmbajtjen audio-video Meta-Prifti në orë, nga ekzaminimi u konstatua ndërhyrje dhe mbivendosje të mundshme në “file-n” e gjetur në Lap-Top. Gjatë ekzaminimit të materialit arritëm në deduksionin që: Tik-taku i orës është linearizuar në gjithë gjatësinë e tij me sekondat e time-line. Në minutën 11:25 konstatohet në spektër gjurmë e ngjashme me një tik-tak tepër, jo në harmoni me tik-tak-et e tjerë. Në minutën 12:35 vihet re sërish një tik-tak i mbivendosur. Duke parë deformimin anormal të kurbës së sinjalit në pikat e mësipërme, konkludojmë se probabiliteti i ndërhyrjeve të mundshme rezulton të jetë shumë i madh. Gjatë ekzaminimit të Lap-Top-it të “file” të fshira u konstatua se ekzistonte dhe një program i fshirë i quajtur “CrazyTalk Animator” i kompanisë “Realluzion”, i cili përdoret për ndërhyrje audio-video.

A mund të përcaktohet sesi është bërë shkarkimi i këtij materiali audioviziv Meta-Prifti nga objekti Lap-Top në pajisjet e tjera? Nëse po, të evidentohen rastet e kryerjes së këtyre veprimeve?

Me programet dhe njohuritë që disponojmë nuk jemi në gjendje të përcaktojmë se si është bërë shkarkimi i materialeve audio-video”Meta-Prifti” në pajisjet e tjera. Nga ekzaminimi i regjistrit të Windowsit konkludohet se të gjitha pajisjet USB janë rifreskuar si driver-a më datën 1 shkurt 2011 ora 14:05.

Materiali audio-viziv i ndodhur në DVD-në e sekuestruar më datën 21 janar 2011 në redaksinë e emisionit Fiks Fare a është autentik me materialin audioviziv që ndodhet në objektin “USB” dhe materialin audioviziv që ndodhet në objektin orë?

Në DVD-në objekt ekspertimi u gjet file me emërtimin “prifti-meta me logo.avi” krijuar dhe modifikuar në datën 12.01.2011 ora 02:18:01. Ekzaminimi i mësipërm na lejon të konkludojmë që formati audio-video i materialit që ndodhet në DVD nuk është i njëjtë me materialet e gjetura në USB.

Në të gjithë intervalin e audios së videos mes subjekteve Ilir Meta dhe Dritan Prifti cili është raporti sinjal/turbullim dhe a mundet që ky nivel sinjali të lejojë një nivel minimal të kuptueshmërisë dhe qartësisë së fjalëve?

Cilësia e sinjalit audio është e keqe dhe sa vjen e përkeqësohet. Një nga shkaqet kryesore mund të jetë rënia e baterisë së brendshme, pasi nga fundi regjistrimit, aty ku pasqyrohet biseda “Meta-Prifti” sinjali audio bëhet shumë i dobët, kurse zhurmat rriten.

A është e mundur teknikisht të krijohet një kopje e pastruar nga zhurmat e materialit audioviziv të bisedës mes subjekteve Ilir Meta dhe Dritan Prifti të regjistruar? Nëse po, a mund të përgatitet një kopje e këtyre materialeve për identifikimin më të pastër të zërave për efekt transkriptimi të bisedave të regjistruara mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit, pa cenuar origjinalitetin e materialeve audiovizive dhe pa dëmtuar këtë regjistrim?

Teknikisht u krijuan disa kopje mbi të cilat u aplikuan një gamë e gjerë filtrash me karakteristika të ndryshme me disa software profesionale. Pas përdorimit të tyre, nuk u arrit të përftohej një sinjal audio që të garantojë dëgjueshmëri dhe kuptueshmëri të qartë të bisedës.

A është teknikisht e mundur që të mos mbetet asnjë e dhënë a gjurmë nga regjistrimi i një bisede në objektin orë, provë materiale pas fshirjes së këtij regjistrimi?

Po, është e mundur.

A mund të përmirësohet cilësia audio dhe/ose video e file-ve (dokumenteve elektronike) të ndodhura dhe shkarkuara në pajisjet objekt ekspertimi dhe që përmbajnë biseda mes subjekteve Ilir Meta dhe Dritan Prifti?

Cilësia audio, me gjithë përdorimin e sistemeve të ndryshme të filtrave nuk solli përmirësim të dukshëm për ta bërë të kuptueshëm bisedën në pjesë të veçanta. Përmirësimet në video nuk sollën ndonjë ndryshim të dukshëm, pasi rezolucioni i regjistrimit është i ulët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›