E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djemtë e mi janë të mençur, por meazallah se i dëgjon njeri në fshat!

Të bisedojmë shkurt. Mbi treqind leje ndërtimi në qytetin e Tiranës po flenë. Në rang Republike, mund të jenë mbi pesë mijë. Kush i nanuris, qendra apo baza, qendrori apo lokali? Këtë e dëftojnë kompetencat ligjore të secilës palë. Në çdo objekt ndërtimi me një madhësi mesatare, punësohen mbi 50 specialistë të ndryshëm. Në rang Republike do punësoheshin mbi 250 mijë punëtorë, vetëm në Tiranë do të punësoheshin mbi 15 mijë punëtorë e specialistë. Këta punonjës me një pagë ditore, do të realizonin një fond page mujore minimalisht prej 247.500.000 lekë. Pra nga arkat apo bankat e ndërtuesve do hidheshin në qarkullim kjo sasi parash që do i jepte frymëmarrje tregut, njëkohësisht do reduktohej në një masë të konsiderueshme problemi social brenda familjeve të këtyre të papunëve, do zvogëlohej po kaq, në mënyrë të ndjeshme, konflikti jashtë familjes, krimi i rrugës. Në mënyrë rrjedhëse, do të shtohej e ardhura në sigurimet shoqërore, tatim-taksat, do gjallërohej tregu, njerëzit do kishin kohë edhe të buzëqeshnin, pavarësisht se dikush është angazhuar që t’jua ngrijë!

Po t’u kthehemi shifrave në rang Republike, të llogaritur në euro, për të eliminuar tre zero do rezultojë se brenda vitit, vetëm si fonde page do hidheshin në qarkullim 40.500.000 euro.

Të ardhurat rrjedhëse materiale apo sociale që do të fitonte shoqëria dhe t’i llogarisnin specialistët e dikastereve të imtësuara. Titullarët me shifrat e servirura të propagandojnë luftën që i bëjnë korrupsionit dhe krimit të organizuar ose jo, si dhe punën që bëjnë për të mirën e shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Nëse këshilltarët e këtyre dikastereve dhe të Kryeministrit këto shifra ua kanë servirur eprorëve të tyre na mbetet të kujtojmë shprehjen e një gruaje, që thoshte shpesh: “Djemtë e mi janë të mirë e të mençur por meazallah se i dëgjon njeri në fshat!”... Po qe kështu, mjerë ky popull!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›