Shpirti e mirësia, qëndrojnë më lart se gjërat më të vyera
I nderuar z.ministër i Shëndetësisë! I nderuar z.Drejtor i gazetës! Unë që po ju shkruaj, jam një pensionist ish-ushtarak i sapoardhur nga qyteti i Shkodrës, për të banuar në qytetin e Laçit, Kurbin.
Pas mesit të natës, datë 25 Maj 2008, më kapën dhimbje të forta, dhimbje që sa vinin e shtoheshin duke mos i duruar dhe në ora 05 të mëngjesit u paraqita në spital të Laçit. Mjeku së bashku me infermieren e rojes më dhanë ndihmën e parë me një kujdes të jashtëzakonshëm, më bënë injeksionet përkatëse, më dhanë dy tableta të ndryshme dhe më qëndruan pranë shtratit për rreth një orë derisa më pushuan dhimbjet. Para se të largohesha nga spitali, ju them: A ju detyrohem gjë? Asgjë! E kemi për detyrë! Pasi i falënderova, u largova me një ndjenjë respekti për ta...
Detyra e mjekut është humanitare, e vështirë dhe delikate, sepse ka të bëjë me jetën e njeriut. Jeta është njeriu dhe veç njeriut s’ka jetë tjetër. Mjekun si njeri dhe si specialist e bën shpirti e ndërgjegjja, e paraqet sjellja, e vlerëson puna, e rrit përkushtimi, qëndresa e guximi. Edhe mjekët, si të gjithë shqiptarët, mund të jenë të varfër nga pasuria materiale, por duhet të jenë të pasur shpirtërisht. Shpirti e mirësia qëndrojnë më lart se gjërat më të vyera në këtë botë. Pasioni i vërtetë, përkushtimi i mjekut të ndershëm e ka vendin në zemrën e pacientit dhe të qytetarit shqiptar!
Të shkruash për këtë mjek të Laçit nuk është thjeshtë një çështje sentimentale, kurioziteti apo dëshire, por një detyrim, një borxh, për të shpalosur para të tjerëve vlerat, botën e tij të madhe, përkushtimin për profesionin e nderuar e të shenjtë në shërbim të jetës së njeriut.