E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djokovic fiton maratonen ne Kine

Novak Djokovic është hakmarrë përballë Andy Murray. Pas disfatës në gjysmëfinalen e Olimpiadës Londër 2012 dhe në finalen e US Open, tenisti serb arriti të fitonte në aktin e fundit në Shangai, turneun e parafundit sezonal të ATP Masters 1000 në tenis.

Pavarësisht shenjave të panevojshme të nervozizmit, ku në një episod they edhe rraketën, Djokovic arriti të fitonte, duke përmbysur një sfidë që dukej e humbur. Madje, ai i ka anuluar pesë “match-point” kundërshtarit skocez dhe në fund fitoi me rezultatin 5-7 7-6 6-3, pas një dueli që zgjati 3 orë e 20 minuta lojë.

Një triumf i kërkuar me ngulm nga 25-vjeçari nga Beogradi, që tashmë kryeson me shifrat 9-7 duelet direkte me Murray. Në këtë mënyrë, ndërpritet dominimi i skocezit në Shangai, ku ai kishte fituar në dy edicionet e fundit: në vitin 2010 përballë Federer dhe më pas kundër Ferrer.

Kjo ishte humbja e parë pas 12 fitoreve radhazi për Murraym ndërsa Djokovic, që luante për të parën herë në finalen e këtij turneu, regjistron fitoren e dhjetë radhazi dhe merr në shtëpi trofeun e dytë kinez, pas fitores gjatë të dielës së kaluar kundër Tsongas në Pekin.

Për Novak Djokovic kjo ishte fitorja e 13-të në karrierë në një turne “Masters 1000” dhe i treti sezonal, pas triumfeve të mëparshme në Majemi dhe Toronto.

Me këtë rezultat, serbi mbetet në vendin e dytë të klasifikimit botëror për meshkuj. Ndërkohë, pas një 2012-te ku katër “Grand Slam”-et janë fituar nga 4 tenistë të ndryshëm, “Finals” në Londër do të jenë vendimtare për të përcaktuar protagonistin e këtij viti: natyrshëm pretendentë mbeten Federer, Djokovic dhe Murray.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›