E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Do bëj vetëgjyqësi, drejtësia po hesht"

Një vit pas vdekjes se 18-vjeçares, Matilda Petriti, pas një operacioni në bajame, të afërmit e vajzës që denoncuan mjekun për mjekim të pakujdesshëm ende pretendojnë se drejtësia nuk është vënë në vend. Me lot në sy nëna e saj ka derdhur sërish vajtimet mbi varrin e vajzës, duke thënë se shkaktar për vdekjen tragjike të vajzës së saj 18-vjeçare ka qenë pikërisht mjeku. Sipas babait të vajzës, Besim Petriti, edhe pse nga ana e ekspertizës mjekoligjore rezultoi se vajza ka vdekur nga një ndërhyrje e gabuar gjatë operacionit në bajame, nga ana e drejtësisë nuk janë marrë masa dhe si rrjedhojë mjeku Xhevahir Hoxhallari, sipas babait të vajzës nuk është ndëshkuar dhe vazhdon të ushtrojë profesionin e tij. Ai tregon se ka pritur 40 ditë përgjigjen e ekspertizës i bindur se vajza e tij kishte vdekur për faj të mjekut dhe ky dyshim është konfirmuar për të afërmit duke u kthyer në fakt kur kanë marrë në dorë versionin zyrtar me të cilin kanë vijuar të ndjekin këtë çështje të hapur që në fillim me denoncimin ndaj mjekut nga Pogradeci. Besim Petriti thotë se ka mbetur i zhgënjyer nga drejtësia, por megjithatë ka kërkuar sërish në mënyrë zyrtare që kjo çështje të shikohet me vëmendje nga ana e strukturave shtetërore, për më tepër në kushtet kur mjeku vazhdon të punojë sërish. Letra që babai i vajzës i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme siç pretendon ai nuk i ka sjellë një përgjigje lidhur me ankesën dhe pretendimin mbi mosdënimin e mjekut. Babai i Matildës deklaron se në rast se shteti as këtë herë nuk vë drejtësinë në vend, ai do të hakmerret. Ndërsa kanë shkuar në ceremoninë e përmortshme një vit pas vdekjes së vajzës nga Liboniku, të afërmit kanë thënë se janë të pakënaqur nga mbyllja e çështjes, pasi mjeku Xhevahir Hoxhallari, sipas tyre, duhet të ndëshkohet, për sa kohë që edhe nga ekspertizat ka rezultuar fajtor. Babai i 18-vjeçares, Besim Petriti, tregon: Kam apeluar sërish për ndërhyrjen e organeve të drejtësisë, por nuk kam marrë asnjë përgjigje edhe pse i jam drejtuar zyrtarisht prokurorisë. Nuk më jepet një përgjigje për këtë çështje edhe pse vajza ime dihet botërisht dhe shkencërisht nga ekspertizat se vdiq për faj të mjekut. Ai vazhdon të punojë i qetë, ndërsa vajza ime tretet në varr. Në rast se shteti nuk merr masa edhe pse kam pasur besim te drejtësia se do të vihet në vend, atëherë unë do të kryej vetëgjyqësi dhe do të hakmerrem, pasi kjo nuk është e drejtë që për një vit të tërë të mos merret asnjë masë. Të afërmit e Matildës i kanë dërguar dy shkresa prokurorisë lidhur me një vendim. Ata thonë se herën e fundit që kanë dërguar një tjetër ankesë ka qenë muaji shkurt, por as nga ana e prokurorit të çështjes nuk jepen sqarime. Matilda Petriti, 18 vjeçe, vdiq një vit më parë, kur pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në bajame, nga ana e mjekut Xhevahir Hoxhallari në klinikën e tij private, vajza pësoi komplikacione dhe shëndeti i saj u përkeqësua, ndërsa hemorragjia e vazhdueshme nga një damar i prerë ishte fatale për të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›