E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do punë? Anëtarësohu në parti

Do të rrish në punë në shëndetësi? Anëtarësohu në Partinë Demokristiane. Kjo është zgjidhja që të japin sot nëpër rrethe funksionarët e Ministrisë së Shëndetësisë. Pothuajse të gjithë drejtorët e spitaleve dhe shëndetit publik në qytete janë kryetarë apo anëtarë të Partisë Demokristiane. Ky është kushti numër një për të qenë aktualisht funksionar në shëndetësi.

Ish-drejtori i Shëndetit Publik në Berat, zoti Ajet Veleshnja, i liruar nga kjo detyrë me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, në shtator të vitit të kaluar, tregoi për "Fiks Fare" dje, se ka qëndruar vetëm 14 muaj në këtë detyrë, sepse nuk pranoi të merrte postin e kryetarit të PDK-së të degës së Beratit. Ende ai nuk ka marrë ndonjë shpjegim zyrtar për motivin e largimit nga detyra. Por disa muaj para komunikimit të ndërprerjes së marrëdhënieve financiare, i është bërë propozimi që të aderojë në PDK.

"Kam që nga viti 2003 që nuk merrem me politikë dhe para dhjetë muajve, më është ofruar të jem në Partinë Demokristiane, madje më ofruan të jem drejtuesi i degës së PDK-së për Beratin. Me shumë respekt dhe mirënjohje, e me shumë keqardhje, nuk e pranova këtë post", thotë mjeku Veleshnja. Ai tregon edhe skemën si u zgjodh kryetari i ri i PDK-së në Berat dhe largimi i tij më pas nga detyra e drejtorit të Shëndetit Publik. "Kryetari i PDK-së që u bë para disa muajve, pasi nuk arriti të ishte drejtues i spitalit rajonal, me urdhrin e ministrit, u bë drejtor i Shëndetit Publik të Qarkut. Është normale. Kryetari i partisë, duke qenë edhe ministër kërkon të fuqizojë partinë", përfundon intervistën e tij ish-drejtori i Shëndetit Publik të Beratit, i cili refuzoi të aderonte në PDK dhe humbi vendin e punës.

Ministria e Punës

"flet" greqisht

Mos u çudit nëse në vend të emrit Ministria e Punës dhe Shanseve të Barabarta dëgjon se e quajnë Ministria e PBDNJ-së. Në këtë ministri, të gjithë flasin pa përjashtim greqisht. Nëpër korridore dëgjon vetëm greqisht, a thua se je në zyrat e OMONIA-s. Pjesa më e madhe e punonjësve të kësaj ministrie janë të rinj. Ata janë ose anëtarë të Partisë të të Drejtave të Njeriut ose anëtarë të OMONIA-s.

Nëse thua Ministria e Punës dhe Shanseve të Barabarta, zëre se ke thënë Partia e të Drejtave të Njeriut, ose anasjelltas. Nëse hyn në këtë ministri, edhe roja të përgjigjet greqisht. Në këtë ministri, si dhe në të gjithë administratën shtetërore, është shkelur me të dyja këmbët ligji i statusit të nëpunësit civil. Duke filluar që nga numri një administratës së kësaj ministrie, sekretari i Përgjithshëm e me radhë, të gjithë drejtorët e drejtorive apo specialistë të ndryshëm, janë ose anëtarë të kryesisë së PBDNJ-së ose të OMONIA-s.

Sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri është z. Andrea Marto, i cili është kryetar i degës së OMONIA-s në Tiranë. Nënkryetari i PBDNJ-së, zoti Thoma Miço, është edhe drejtor i Inspektoratit të Punës. Ndërsa drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Vilma Premti, është edhe anëtare e kryesisë dhe kryetare e Forumit të Gruas së PBDNJ-së. Kushdo që ka një pozicion në këtë parti apo që ka kontribuar për partinë është shpërblyer me një vend pune në Ministrinë e Punës ose në zyrat e punës nëpër rrethe. Nuk është e nevojshme t‘i nënshtrohesh konkursit, nuk është e nevojshme të kesh përvojë pune, mjafton të kesh teserën e partisë. Ajo të hap dyert që të lidhësh një kontratë pune me institucionin ku do të punosh, duke shkelur kështu ligjin për statusin e nëpunësit civil.

Neni 11 i këtij ligji parashikon se nëpunës civilë të nivelit të lartë drejtues konsiderohen sekretari i Përgjithshëm, drejtorët e departamentit, drejtor drejtorie të përgjithshme etj. Ndërsa neni 13 i të njëjtit ligj parashikon që pranimi në shërbimin civil të kryhet nëpërmjet konkurrimit të hapur, bazuar në merita. Por merita për drejtuesit e administratës së sotme nuk janë aftësitë në punë, por meritat partiake. Kush ka më shumë merita të tilla, e ka më të lartë pozicionin e punës që i ofrohet.

Gazetarët e "Fiks Fare" u paraqitën dje në Ministrinë e Punës dhe Shanseve të Barabarta si shtetas të huaj, që flisnin vetëm greqisht. U pritën buzagaz, që nga roja e deri nëpër zyrat e ministrisë. Pothuajse të gjithë punonjësit e këtij dikasteri flisnin greqisht dhe e tregonin me mburrje që dinin këtë gjuhë. Sapo gazetari i "Fiks"-it përshëndeti "mirëmëngjes" në gjuhën greke, përshëndetjen ia kthyen po greqisht edhe punonjësit e kësaj ministrie. Madje, ndonjëra prej tyre tregon me mburrje se di greqisht ngaqë është me origjinë nga Dhërmiu apo "veriu i Epirit", siç i thonë grekët.

Biseda në greqisht

Fiksi: Mirëmëngjes! Si jeni?

Punonjësja 1: Nuk dini shqip?

Fiksi: Flisni greqisht?

Punonjësja 1: Pak.

Fiksi: Mirëmëngjes!

Punonjësi 2: Përshëndetje!

Fiksi: Ju nga e dini greqishten?

Punonjësja 1: Babai im është nga Drimadhes. Është, siç i thoni ju, veriu i Epirit.

Fiksi: Veriu i Epirit...

Punonjësja 1: Ajo vajza që flet mirë greqisht vjen në orën 2. Sekretarja e ministrit.

Fiksi: Vetë sekretarja e ministrit? Shoh që flasin shumë greqisht këtu...

Punonjësja: Po. Këtu brenda po.

Fiksi: Mirëmëngjes! Si jeni?

Punonjësja 3: Mirë, po ju?

Fiksi: Po, mund të kaloj dhe më vonë.

Punonjësja 3: Doni të uleni një minutë, sa të pyes unë?

Fiksi: Po se më tha zonja tjetër që janë në mbledhje.

Punonjësja 3: Ministri?

Fiksi: Nuk është nevoja të jetë vetë ministri.

Punonjësja 3: Të gjithë janë në mbledhje tani, por uluni.

Fiksi: Faleminderit shumë.

Roja: Asgjë.

Lista

Koço Barka, ministër - anëtar i kryesisë së OMONIA-s

Kosta Bajraba, drejtor kabineti - anëtar i kryesisë së PBDNJ-së

Gjergji Leka, drejtor i Përgjithshëm i Politikave - anëtar i kryesisë

Andrea Marto, sekretar i Përgjithshëm - kryetar i OMONIA-s në Tiranë

Vilma Premti, drejtore e Shërbimit Social Shtetëror - anëtare e kryesisë dhe kryetare e Forumit të Gruas së PBDNJ

Dhimitër Gjika, drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve Sociale - anëtar i ri i PBDNJ-së

Thoma Miço, drejtor i Inspektoratit të Punës - Nënkryetar i PBDNJ-së

Thoma Melo, drejtor Punësimi për Tiranën

Oljana Prifti, drejtore e Drejtorisë së Migracionit - anëtare e Këshillit të Përgjithshëm

Mirela Hoxha (Barka), drejtore e Drejtorisë së Shërbimeve Juridike dhe Sektorit të Burimeve Njerëzore - anëtare e Forumit të Gruas

Mihal Naço, nëndrejtor në Shërbimin Social Shtetëror - anëtar i Kryesisë dhe nënkryetar i OMONIA-s

Andrea Mici, drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Kombëtar të Punësimit (ka dhënë dje dorëheqjen nga ky post) - anëtar i kryesisë së PBDNJ-së dhe anëtar i OMONIA-s

Mihal Kallojeri, drejtor i Qendrës së Formimit Profesional nr. 4

Lindita Thimjo, specialiste dhe anëtare e Forumit të Gruas të PBDNJ-së

Aris Koroshi, specialist - anëtar i partisë

Vitore Fuqi, specialiste - anëtare e Forumit të Gruas

Alma Lahe, zëdhënëse shtypi - vjen nga partia



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›