E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, kriza e një gjiganti

Nëse dikur një amerikan në Paris jetonte vetëm për qejf, pa menduar për asgjë, sot gjërat kanë ndryshuar pothuajse 100 për qind. "Këtu flitet vetëm për faktin se sa e vështirë është bërë të jetosh në euro dhe të paguhesh me dollarë", tregon Adrian Leeds, drejtori i buletinit më të lexuar nga rreth 100 mijë patriotë të tij që jetojnë dhe punojnë sot në Francë. Pas 11 vjetësh në Paris, kohët e fundit një nga mikeshat e tij iu bashkua kontingjentit gjithmonë e më shumë në rritje për t‘u kthyer në atdheun e tyre për një arsye shumë të fortë: në pastiçeritë parisiene vetëm një ëmbëlsirë kushton rreth 7 dollarë. Në grupin e emigrantëve që janë kthyer në atdhe bën pjesë edhe Deb Lyons, e cila e bindi bashkëshortin menaxher që së bashku me tre fëmijët të kthehet në Nju-Jork pas gjatë vjetësh në Londër. "Që kur sterlina shkëmbehet afërsisht me dy dollarë, situata është bërë e padurueshme. Vetëm në fundjavë shpenzuam rreth 150 dollarë për 5 pica dhe 5 kanoçe ‘Coca-Cola‘". Një hamburger me patatina kushton 9 dollarë për person. E, nëse na duhet të marrim një taksi për të shkuar në teatër, jo shumë larg nga shtëpia na duhet të paguajmë rreth 80 dollarë vajtje-ardhje. Edhe për metronë duhen rreth 8 dollarë për person në ditë". Ja pra se cilët janë më të varfrit e ekonomisë globale, amerikanët, gjithmonë e më shumë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi nga rënia e dollarit, ndërsa qytetet e tyre pushtohen çdo sekondë e orë nga evropianë dhe japonezë, që nuk kursejnë për të bërë shpenzime pa iu dridhur qerpiku, ku vetëm vitin e kaluar 57 milionë turistë "derdhën" rreth 122 miliardë dollarë nëpër kasat e dyqaneve të Nju-Jorkut dhe Los Anxhelosit. Ekonomia amerikane tani po ecën akoma më keq. Ndërsa çmimi i shtëpive po bie, të varfrit amerikanë qëndrojnë të palëvizshëm përballë spektaklit të rusëve dhe izraelitëve, që nuk ngurojnë të blejnë rezidencat madhështore të Majemit, që ata nuk mund t‘ia lejojnë vetes. E njëjta gjë po ndodh edhe me bankat. Në nëntor, sheikët e Abu Dhabit mendonin se kishin bërë tregti të mirë, pasi blenë për një shumë prej 7.5 miliardë dollarësh një pjesë të "Citigroup", por vlera e investimit të tyre tashmë ka rënë me një shifër të konsiderueshme. Nëse ekonomia amerikane është një vrimë e zezë, në qendër të saj janë bankierët. "New York Post" deklaron se në financën njujorkeze do të shkurtohen rreth 20 mijë vende pune ndërsa 30 mijë kanë dalë në "pension" këto gjashtë muajt e fundit. Kryetari Michael Bloomberg, flet për krizë nga rënia e të ardhurave nga taksat, por ata që po e vuajnë më shumë për momentin janë ish-gjigandët e shpenzimeve. Shumë kanë shitur shtëpitë që përdornin për pushime, ndërsa të tjerë kanë braktisur kuajt e blerë në kohët e lavdishme. Arsyeja? Çmimi i ushqimit për ta është trefishuar. Borgjezia e vogël dhe e mesme ka mbetur viktimë e ëndrrës amerikane të kthyer në ankth, në veçanti të asaj për të pasur një shtëpi, edhe pse çmimet e tyre kanë rënë ndjeshëm. Ushqimet janë rritur me 9 për qind në krahasim me 2006-n. 12 vezë kushtojnë 2,17 dollarë (63 për qind më shumë), 1 kilogramë bukë 4,13 (42 për qind më shumë ), 1 kg miell 39 për qind më shumë e kështu me radhë. Mensat, që dikur shërbenin ushqim vetëm për të varfrit dhe ata pa familje, po përballen me vështirësi të shumta, sepse gjithnjë e më shumë po frekuentohen nga familje të tëra. Të udhëtosh është luks, pasi çmimi i benzinës është rritur shumë. Kriza e kredive, fundi i boom-it të pasurive të patundshme, rënia e dollarit, çmimi rekord i naftës dhe vështirësia për të marrë kredi kanë ngrirë besimin e konsumatorëve. Kjo kohë ka qenë një ndër më të këqijat për shitjet në dhjetë vitet e fundit: fitimet në tregje dhe supermerkato janë rritur vetëm me 1,6% në muajin tetor, rritja më e ulët e 12 viteve të fundit sipas burimeve zyrtare. Humbjet më të mëdha nuk i kanë dyqanet e magazinat e vogla, por ato të mëdhatë, të cilave u duhet të përballen me uljen e blerjeve dhe me një deficit në rritje dhe çka është më e keqja me një parashikim aspak të mirë për muajt e ardhshëm. Fjala e duhur për të përshkruar gjendjen e amerikanëve është e errët, e trishtuar. Amerika e sheh gjithçka të zezë dhe analiza e së përditshmes njujorkeze, "New York Times", vazhdon më tej: "Rënia e tregut të pasurive të patundshme është në qendër të kësaj situate të trishtë, por ka edhe më si: falimentimet e shpeshta të bizneseve, dështimi i varfërisë, dobësimi i tregut të punës, industria e makinave që është në telashe, kostoja e ushqimit, benzinës dhe naftës që po shtohet. Momentalisht, miliona amerikanë arrijnë të ecin përpara nga java në javë, vetëm falë kartave të tyre të kreditit". Mund të kuptohet lehtësisht që gjërat kanë ndryshuar nga numri i zbritjeve të çmimeve dhe ofertave speciale që hasen në vitrinat e dyqaneve të çdo qyteti. Njerëzit kanë filluar të heqin dorë nga çdo gjë që është konsideruar e panevojshme. Faji është i tregut të lirë, globalizimit, industrisë dhe emigrantëve të paligjshëm. Amerika duhet ndërtuar edhe një herë nga e para. Hillary Clinton pohon të njëjtën gjë, duke treguar rilindjen e sindikatave si recetën për të mbrojtur shtresën e mesme. Të dhënat e sondazheve janë mbresëlënëse: 72% e amerikanëve janë të pakënaqur për drejtimin që ka marrë vendi. Pothuajse dy të tretat e të intervistuarve kanë frikë se fëmijët e tyre mund të përjetojnë një situatë më të keqe se vetë ata dhe vetëm një e treta ka besim se ditë më të mira do të vijnë, ndërsa 43% janë të bindur se vendi po "perëndon". Ata që kanë vendosur të punojnë e jetojnë në Evropë, nuk mund të kenë të ardhme. Sigurisht që është më mirë të kthehen në vendet e tyre. Sepse të jetosh në euro dhe të paguhesh në dollarë, sot është e pakonceptueshme. Miti amerikan është rrëzuar e tani mund të themi me plot gojën se amerikanët shumë shpejt do të hyjnë te qytetarët e varfët të botës, shumë larg irlandezëve, finlandezëve, parisianëve dhe londinezëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›