E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujt i intereson ky ligj ne PS?

Iniciativa e fundit ligjore për reformën zgjedhore solli përplasjet e para të mëdha. Të tjerat normalisht vijnë pas. Lëvizja politike e Berishës, të cilit i intereson në disa plane ligji i propozuar dhe që ai deri tani është fituesi i madh i kësaj gjullurdie të parë, tregon se hapi i bërë nga PS, në emër të standardeve, nuk është shumë efektiv dhe i gjetur. Shqetësimi kryesor i mazhorancës për të krijuar jo thjesht një mungesë kohezioni politik brenda së majtës, por shumë më tepër se kaq, u realizua vetëm me një lëvizje politike, dhënien e konsensusit të një ligji që i shkon më shumë për shtat asaj se sa mbrojtësve të këtij ligji. Investimi dyvjeçar i kampit të majtë për të unifikuar qëndrimet e modeluar një politikë të përbashkët, garantuese për zgjedhjet e ardhshme, u shpërbë aq shpejt, sa edhe vetë Berisha nuk e mendonte kaq të lehtë. Tani forca kryesore opozitare, e cila ka luajtur politikisht deri tani në një terren bosh dhe pa kundërshtarë, nuk do ta ketë aq të lehtë përballjen me dy grupime njëherësh: Të djathtët që në çdo rast e gjejnë gjuhën e bashkëpunimit e mirëkuptimit edhe për arsyen e interesit e të honoreve të pushtetit që po i provojnë, dhe grupimin e tri partive: LSI, PAD dhe PDS, që kanë rritur tonet ekstremisht ndaj aleatëve të tyre të deri djeshëm. Akuzat që po artikulohen pa u shfaqur akoma në sfond fushata, priten të jenë shumë të ashpra dhe që do të ketë rezonimin e tyre negativ tek elektorati i majtë, i cili do të pësojë çoroditjen e radhës. Bashkimi që po kërkohet " … përtej së majtës e së djathtës…", po duke nxjerrë me ligj jashtë loje aleatët, do të jetë shumë i vështirë për t‘u realizuar, pavarësisht lodhjes së deritanishme të kreut të socialistëve, pasi akoma nuk janë ndezur bateritë e të tjerëve. Inkubatori që prodhoi këtë ligj, dhe që ka prodhuar edhe herë të tjera marifete politike të kësaj natyre, përveç argumentit të prapaskenës për të hequr qafe të vegjlit, publikisht ka shumë më tepër argumente kundër se sa pro.

Standardet e zgjedhjeve para së gjithash i ruan dhe i realizon vullneti politik dhe jo sistemi zgjedhor. Në mungesë të këtij vullneti të dëshmuar të Berishës, aleanca e gjerë e së majtës, mund të parandalojë deri në kufijtë e së mundshmes deformimin e procesit dhe mbylljen e shtigjeve të manipulimit, ashtu si edhe tjetërsimin e votës. Por në kushtet e propozuara nga PS-ja, ky ligj solli traumat e para që do të shoqërohen edhe me të tjera. Prodhimi i një kundërshtari të panevojshëm, njëlloj si në vitin 2005, do të ketë koston e vet për socialistët, të cilët nuk e kanë luksin të krijojnë firo të tilla të mëdha votash, të cilat do të jenë gjithkaq edhe më shumë të pambrojtura nga ligji i ri. Por ky është një opsion tjetër, opsioni i parë është ai i thyerjes të së majtës, për të cilën Berisha nuk pati shumë nevojë të investohet, pasi i erdhi e gatshme në tavolinë nga ata që nuk e kanë për gjë të hedhin në erë zgjedhjet, vetëm të garantojnë kolltukun parlamentar. Ka nisur që tani një ndeshje mes partive të të njëjtit grupim politik, morali i së cilës vërtet mund të jetë i diskutueshëm, por ama ky moral e gjeti shtratin e përgatitur nga PS-ja, e cila jo vetëm nuk i përfilli aleatët, por edhe i vuri në shënjestrën e asgjësimit politik. Në aleancat e detyruara paszgjedhore kushtet e bashkëpunimit do të jenë më të vështira për t‘u pranuar nga PS-ja, se sa gjetja e mirëkuptimit dhe e kushteve të sotme. Do të ndodhë kështu, pasi sjellja e sotme në kushtet e pabesisë, do t‘i detyrojë aleatët e së nesërmes të vendosin mure mbrojtëse që do ta vështirësojnë shumë komunikimin funksional.

Kjo kosto, që nuk është marrë në konsideratë, ashtu si edhe profili i veçantë i Metës, si një partner i besueshëm jo vetëm euroatlantik, por deri në kontinentin aziatik, gjë për të cilën PS-ja po vuan, do të sjellin efektet e veta të pritshme elektorale. LSI-ja, nga një forcë bashkëpunuese dhe aleate, përcaktuese për mjaft rezultate zgjedhore në 2007-ën, kthehet në kundërshtare, ndaj së cilës agresiviteti duket i pakuptimtë e me efekt bumerang. Nano nuk e ka pasur krejt personale mërinë me Metën, ashtu siç nuk besoj ta ketë edhe sot Rama, por inspiruesit e konfliktit janë përsëri aty, duke gjetur momentin për ta ridimensionuar e sjellë përsëri në skenë. Në se Nano e pagoi me dorëheqje, çfarë nuk i solli ndonjë përfitim personal socialistëve, një përsëritje e këtij akti nuk mund të qetësohet nga asnjë lloj dorëheqjeje! PS-ja nuk e ka aspak luksin për të mos marrë në konsideratë një aleate të domosdoshme si LSI-ja, dhe aq më keq për të mos bashkëbiseduar e mirëkuptuar me këtë faktor. Por duket se brenda PS-së vijojnë të jenë me fuqi përcaktuese personazhet e njohur të kulisave dhe interesave të vogla, të cilët meqenëse nuk arrijnë të prodhojnë politikë, prodhojnë konflikt, prodhojnë skema mbijetese. E tillë është edhe ajo e listës së mbyllur, që pavarësisht avantazheve që ka, në realitetin tonë është me shumë probleme dhe krijon precedent jo pozitiv.

Askush më shumë se PD-ja nuk është e interesuar për lista të mbyllura, pasi në ato lista do të jenë të mbrojtur nga ndëshkimi me votë direkte mëkatarët e Gërdecit dhe mëkatarë të tjerë të kësaj periudhe, që jo pak e ndjejnë konsumimin e tejskajshëm politik që u është bërë nga mediatizimi në afera shumë të mëdha për të cilat publiku ndjen jo pak zhgënjim. Mjaft prej emrave të lakuar aq shumë për afera marramendëse korruptive në një ballafaqim me publikun, shumë vështirë do ta kishin arritjen e një rezultati pozitiv në zgjedhje, por ashtu siç po këmbëngulet sot për t‘i mbrojtur si pjesë e klanit qeverisës, edhe nesër do të ndodhë e njëjta gjë në sfidën parlamentare. Do të jenë ata që do të kryesojnë listat dhe me përvojën disavjeçare të dhunimit të votës, do t‘i rikthehen zanatit të vjetër. Me çfarëdo investimi tjetër protagonistët e sotëm të abuzimit me pushtetin, me lista të hapura do ta kishin shumë të vështirë deri edhe të pamundur të kalonin provimin parlamentar.

Pas kaq vitesh zhgënjimesh të njëpasnjëshme nga aktorë të ndryshëm të politikës shqiptare, nuk mendoj se indoktrinimi politik do të arrinte deri aty sa të dërgonte përsëri në sallën e Parlamentit, figura të konsumuara politikisht, por mbi të gjitha me supe të rënduara nga mëkatet e shumta. Por ligji i listës së mbyllur të gjithë kësaj kategorie i krijon komoditetin dhe garancinë e ripërtëritjes së mandatit parlamentar. Edhe opozita ka jo pak nga kjo kategori politikanësh, gërdecianë të një tipi tjetër, por mazhoranca aktualisht ka më shumë dhe sensibiliteti politik është më i ndjeshëm ndaj saj, pasi ajo aktualisht është ushtruese e pushtetit dhe në mënyrë direkte ka konsum shumë më të madh në këtë pikë. Ajo do të shfrytëzojë shumë më tepër siglën e PD-së përmes alibirash të sukseseve me NATO-n, BE-në, reforma e të tjera si këto, duke fshehur nën këtë sigël mëkatarët e saj të shumtë, ashtu siç do të shfrytëzojë edhe indoktrinimin militantëve Për arsye të kapjes masive nga aferat korruptive, ajo vazhdon të ketë një kohezion të brendshëm që është e imponuar ta ruajë edhe në fushatën e ardhshme, krejt ndryshe nga pozicioni në të cilin gjendet opozita. Mazhoranca që sot e ka harruar Gërdecin, dhe flet për një "Shqipëri tjetër". Pale pas një viti, kur edhe ne të tjerët që e konsiderojmë veten normalë do të fillojmë të mendojmë se nuk mund të jetohet kaq gjatë me të tilla ngjarje.

Nëse mazhoranca për një varg arsyesh është e kapur nga individë prej të cilëve e ka të vështirë të çlirohet dhe ku funksionon bashkimi i njerëzve me faj të përbashkët, të cilët nuk mund të shkëputen dhe nuk duhet të dalin nga rrethi, opozita e ka këtë shans për t‘i nxjerrë në provim direkt mjaft nga figurat e saj që nuk thonë asgjë prej kaq kohësh qëndrimi në opozitë. Përkundër dëshirës së Ramës, ai u detyrua të bënte lëvizje jashtë platformës së tij dhe të përfshinte në Kryesi emra ndaj të cilëve akuzat për politikë të vjetër drejtohen në mënyrë direkte. Por kjo nuk u shmang dot me gjithë përpjekjet e tij dhe do të ndodhë përsëri në hartimin e listave zgjedhore ku në krye të tyre do të jenë po ata, që rrinë sot pranë Ramës paradite, e nuk lënë kusur pa thënë pasdite. Sigurisht që ata ndjehen shumë të përkëdhelur nga listat e mbyllura, kanë gjetur lloj-lloj argumentesh për të na bindur për përparësitë e këtij ligji, i cili i zgjat edhe katër vjet vegjetimin e tyre parlamentar. Një pjese prej tyre oksigjeni politik u ka munguar që në zgjedhjet e kaluara, por kësaj radhe në mungesë të krediteve politike të rëna shumë poshtë, do të avantazhohen nga kreditet politike të partisë. Vetë servirja e këtij ligji dhe gatishmëria për ta kaluar atë, për të bërë binjakëzimin politik më të paskrupullt me PD-në në funksion të këtij objektivi, është më se e mjaftueshme që moralisht ky ligj është shumë i komprometuar. E komprometojnë të njëjtat kategori mbështetëse si në PS, ashtu edhe në PD.

Por ajo që kryesocialisti e thotë: POLITIKA E VJETËR, por nuk e ka identifikuar në personazhe akoma, vazhdon të realizojë e të sjellë skema, që para se të garantojnë fitoren e së majtës, garantojnë mbajtjen me serum në institucionin e Parlamentit, të këtyre personazheve që nuk thonë asgjë. Rama mund të betohet brenda vetes sa të dojë që përmes strategjisë së tij do të çlirohet nga të gjitha pengesat që i kufizojnë liritë dhe do të sjellë reformimin e PS-së, por ai që në momentin e parë delikat të aleancës e kohezionit të brendshëm, ra viktimë e trukut që iu përgatit nga ustallarët e vjetër të mbijetesës politike. Lista të mbyllura!!! Kjo me sa duket i ka përkëdhelur atij sedrën se do t‘i japë mundësi të përzgjedhë kryesuesit e këtyre listave, por ata që kanë sugjeruar për këtë sistem, kanë menduar edhe për mbrojtjen e tyre personale dhe unitetin brenda radhëve.

PS-ja do të humbë përballë publikut me figura të amortizuara politike dhe me të rinj pa identitet të qartë e të provuar. Ky arsyetim është i njëvlershëm për një moment edhe me PD-në, por nuk duhet nënvleftësuar fakti se ajo ka mbrapa të gjithë makinën shtetërore, për të cilin nuk duhet të ketë asnjë iluzion që nuk do të vihet në funksionim. Kjo makinë shtetërore është e shtrirë kudo dhe vihet në lëvizje me ngarkesë të plotë nga ata personazhe që posedojnë gjithçka çfarë është e nevojshme që ajo të funksionojë siç di dhe ka dëshmuar PD-ja. Standardet e zgjedhjeve do të jenë një objektiv dhe kërkesë, por me logjikën që ndeshim edhe sot te ky formacion dhe tek aleatët e saj, shanset janë shumë të vogla për të qenë optimistë. Në të tilla kushte, aleanca që PS-ja do të ketë dhe do të realizojë me elektoratin në rritje, kërkon jo vetëm kredite e moral të ri te nominimi i listës, por edhe grupim politik solid ku kushton çdo votë, e jo më një parti. Por në kundërshtim me këtë domosdoshmëri, pa nisur ende sfida elektorale, PS-ja ndërmerr iniciativa ligjore që "vrasin" bashkëpunimin dhe vënë në pikëpyetje sinqeritetin e deritanishëm të tij. Përpjekja për të nxjerrë dhunshëm nga skena politike partitë e vogla parlamentare, më shumë nga të gjithë dëmton të majtën, e cila e përçarë, e ka shumë të vështirë të përballojë pushtetin e Berishës me të gjitha mekanizmat që ai përdor kur ndodhet përballë zgjedhjeve.

Listat e hapura, me gjithë problemet që sjellin realisht në procesin zgjedhor garantojnë dy elementë të rëndësishëm që duhen marrë në konsideratë. Ruajtjen e votës përmes motivimit të të gjithë kandidatëve të listave, parti të vogla ose të mëdha qofshin ato, dhe seleksionimin jashtë klientelizmit politik dhe ndëshkimin që jep përmes verdiktit të tij sovrani për emrat që nuk mund t‘i trukojë asnjë lloj makijazhi. Për këtë ka më shumë nevojë e majta, që të rikthejë besim tek ato që do të qeverisë, besim që është tronditur dhe vënë në pikëpyetje shumë të madhe dhe ku është i fshehur një ndër asetet më të rëndësishme të fushatës së ardhshme. Qasja për të rifituar besimin te politika nuk kalon nga figurat e lodhura që nuk mund të përballen me asgjë, po ashtu si edhe atyre që u mungon një CV bazë për të qenë protagonistët e rinj. Duke iu referuar shumë argumenteve që jepen sot për procesin zgjedhor, ne kemi një shembull, shumë pranë: Kosovën.

Me lista të mbyllura dy herë me radhë LDK-ja përsëriste fitoren e saj parlamentare, ndërsa në stinën e fundit elektorale, listat e hapura e zbritën në nivele që as ajo nuk e parashikoi, por mbi të gjitha pothuaj të gjithë ministrat e kabinetit të kaluar qeverisës, të cilëve imazhi u ishte vënë shumë në diskutim, nuk arritën të shpalleshin fitues. Sigla e partisë nuk arriti t‘i shpëtojë. Nëse PS-ja do të marrë në konsideratë vetëm këtë shembull, do të jetë e mjaftueshme për të reaguar në kohë për modifikimin e ligjit, në të kundërt, do të jemi të shtrënguar të presim të ngrirë vetëm ndryshimin e sjelljes demokratike të Kryeministrit dhe të oborrtarëve të tij. Kush ka shpresë për këtë të na e përcjellë këtë garanci që t‘i bashkohemi edhe ne propozimit për ndryshime kushtetuese, pasi aktorëve që për aq vite nuk arritën ta qetësojnë klimën zgjedhore dhe të implementojnë në pushtet vullnetin e vërtetë të sovranit, kemi shumë të drejtë t‘u drejtojmë gishtin mosbesues!

Kur të gjithë aktorët e përgjegjshëm politikë bashkohen në një pikë se është vullneti politik dhe jo ligji ai që deformon zgjedhjet, llogaritë duhen bërë me Berishën e pandryshueshëm dhe jo me standardet që ai demagogjikisht tund përpara opinionit. Prandaj në fillim të këtij shkrimi pyetja ishte se kujt i intereson në PS ky ligj, që pa u shfaqur mirë, përçau të majtën, krijoi komoditet tek radha e figurave të sklerotizuara e pa klorofile të PS-së dhe hap shtigjet e një manipulimi të mundshëm. Sigurisht vetëm atyre që konsumimin politik e moral tejskajshëm, kërkojnë ta kompensojnë me një ligj që mund të jetë shpëtimtari i fundit!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›