Do ta shpaguaj Abramovichin

Sulmuesi i Chelseas, Fernando Torres është zotuar të shpaguajë besimin e Roman Abramovichit, duke shënuar gola për klubin e tij të ri. Pronari i gjigantit londinez shënoi rekord të ri të transferimit në futbollin britanik, duke paguar 50 milionë funte për blerjen e Torresit nga Liverpooli në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit.
Ylli spanjoll nuk bëri ndikim të menjëhershëm, derisa dëshpëroi në debutim kundër ish klubit të tij. Mirëpo, ai dëshiron t’i falënderohet Abramovichit në ndeshjet e ardhshme të mbetura deri në fund të sezonit.
“Si sulmues nga unë kërkohen golat dhe do t’ia shpaguaj me gola. Ende nuk jam takuar me pronarin Abramovich. Duke shpenzuar aq shumë para për mua tregon për ëndrrën e tij të vazhdojë të krijojë histori. Dua t’i shpaguaj përpjekjet e tij. Duhet të paguaj borxhin tim në fushë”, tha Torres për tabloidin The Sun.
Ish ylli i Atletico Madridit shpjegoi vendimin e tij për transferim në Chelsea, duke theksuar se mungesa e ambicieve në Liverpool dhe kalimi te kampioni në fuqi i Premierligës ishte si një “dritë në fund të tunelit”. “U hap një derë e jashtëzakonshme për mua kur kishin mbetur edhe gjashtë muaj të luftës para meje. Tani mund të ndjek titujt, të cilët i kam ëndërruar gjithmonë”, përfundoi ai.