E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli i ardhshëm

Adnan Januzaj vlerësohet lart në Belgjikë. Talenti kosovar krahasohet me yjet si Vincent Kompany e Romelu Lukaku. 16-vjeçari është pranë transferimit në Manchester United, por interesim për të kanë shfaqur edhe skuadrat e njohura Chelsea, Manchester City, Aston Villa, Inter, Juventus e Lille. Anderlecht shpreson ta ketë atë në gjirin e vet edhe një vit. Nga Express më 14 shkurt 2011 në ora 14:14

Adnan Januzaj konsiderohet si njëri prej talentëve më të mëdhenj të futbollit belg. Mediat belge e krahasojnë atë me talentët e mëdhenj të këtij vendi, si Vincent Kompany, i cili luan në Manchester City dhe me sulmuesin e Anderlechtit, Romelu Lukaku.

Futbollisti i ri shqiptar është afër transferimit te Manchester Unitedi, por interesim për shërbimet e tij kanë shfaqur edhe klubet e tjera të njohura evropiane, Lille, Aston Villa, Manchester City, Chelsea, Inter e Juventus.

“Kishim një vit mjaft angazhues, sepse e dinim se shumë klube do të tentojnë që ta bëjnë të vetin Januzajn”, ka thënë fillimisht drejtori i ekipit të të rinjve të Anderlechtit, Jean Kinderman.

Mesfushori i djathtë, gjatë këtij muaji i mbushi 16 vjet, kështu që kjo moshë ia lejon atij që të nënshkruajë kontratë me një klub. Mirëpo, largimi i tij eventual do ta linte në pozitë të vështirë ekipin e të rinjve të Anderlechtit.

Për këtë, Kinderman shpreson që talenti i jashtëzakonshëm shqiptar të qëndrojë edhe një vit te gjiganti belg, pjesë e të cilit është edhe ish-futbollisti kosovar, Besnik Hasi, tash zëvendëstrajner.

“Unë kam shpresë që Adnani të mbetet ende me ne. Javën e kaluar, babai i tij më ka siguruar se ende nuk është marrë asnjë vendim definitiv. Ne të gjithë shpresojmë që ai mos të largohet”, vazhdoi Kinderman.

Ditë më parë, mediat angleze shkruanin se gjiganti anglez, Manchester United, ka arritur marrëveshje me futbollistin e ri kosovar, i cili do t’i bashkohet shumë shpejt ekipit nga Old Traffordi, ku do të nënshkruajë kontratë katërvjeçare dhe do të paguhet 120 mijë funte në vit.

Interesimin e klubit anglez e ka konfirmuar edhe menaxheri i përgjithshëm i Anderlechtit, Herman Van Holsbeeck.

“Interesimi i Manchester Unitedit për Januzajn është një kompliment i madh për ekipin junior të Anderlechtit. Është e rëndësishme që lojtari tash ta bëjë hapin e radhës në karrierë, do të ishte një punë e mirë”, deklaroi Holsbeeck.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›