Kthehen kampionët
Pas 69 ditë pritjeje, Liga e Kampionëve vazhdon këtë mesjavë me katër ndeshje të fazës eliminatore të garës. Të martën, Milan duhet të jetë i kënaqur që Tottenhamit do t’i mungojë mesfushori Gareth Bale për shkak të një lëndimi në shpinë në rikthimin e skuadrës londineze në San Siro, ku ata ishin ndeshur në fazën e grupeve me Interin.
Ylli uellsian kishte realizuar het-trik kundër Interit dhe gati arriti të rikthejë disavantazhin prej katër golave me një futbollist më pak në fushë. Përveç Bale, i cili i ka munguar Tottenhamit në katër ndeshjet e fundit, menaxheri Harry Redknapp nuk do të mund të llogaritë edhe në mesfushorin kroat Luka Modric, po ashtu i lënduar.
Por, lajm më i mirë është rikuperimi i holandezit Rafael van der Vaart. Pavarësisht mungesave, Redknapp është i gatshëm të sulmojë superfuqinë italiane.
“Do të jetë interesant. Ne duhet të mbesim në ndeshje. Duhet të sigurojmë se kthehemi në Tottenham me gjasa për fitore. Do të jetë një natë e madhe për ne”, tha ai.
Milan ka shkëlqyer në sulm me suedezin Zlatan Ibrahimoviç dhe brazilianët Pato e Robinho, ndërsa do t’i mungojë Antonio Cassano, i cili është paraqitur në fushatën kualifikuese të garës me Sampdorian. Edhe pse Bale nuk do të luajë, trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka thënë se ekipi i tij nuk do ta ketë lehtë.
“Synimi i Milanit është të kalojë rrethin, por nuk do të jetë lehtë sepse do të takohemi me një ekip të organizuar mirë dhe që ka kualitete të mëdha. Për ne do të jetë vendimtare të mos pranojmë gol”, tha ai.
Në ndeshjen tjetër, Valencia do të jetë pa mesfushorin David Albelda, derisa pret skuadrën gjermane Schalke 04. Sulmuesi brazilian Jonas është në dispozicion pas ardhjes gjatë afatit kalimtar të janarit, ndërsa mesfushori ofensiv Juan Mata është rikuperuar nga lëndimi. Schalke nuk ka probleme me lëndime para ndeshjes. Sulmuesi Raul kthehet në Spanjë për herë të parë, pas largimit nga Real Madridi gjatë verës së vitit të kaluar.
Ndërsa nëse shënon, do ta kalojë sulmuesin e Milanit, Filippo Inzaghi si golashënuesi më i mirë në garat evropiane. Çifti është aktualisht në kuotë të barabartë prej 70 golash. Schalke hyn në ndeshje me pesë fitore nga tetë ndeshjet e tyre të fundit në Bundesligë, ku janë ngjitur në pozitën e 10-të. Ndërsa Valencia është në seri të shkëlqyeshme prej gjashtë fitoreve nga shtatë ndeshjet e fundit, që i ka dërguar ata në pozitën e tretë në La Liga.
Faza eliminatore:
Milan-Tottenham 20:45
Valencia-Schalke20:45