Ëndrra u bë realitet

Sulmuesi i Juventusit, Alessandro Matri tha se ishte “ëndërr” të shënonte golin e fitores 1-0 ndaj Interit të dielën. 26 vjeçari realizoi për herë të tretë pas transferimit në Juventus gjatë afatit kalimtar të janarit dhe dëmtoi seriozisht shpresat e Interit për mbrojtjen e titullit në Serie A.
Juventus gjendet 11 pikë prapa liderit, Milan, por Matri ka thënë se do të bëjë gjithçka në mundësitë e tij për t’i ndihmuar ekipit të vazhdojë ndjekjen.
“Është njëri prej golave më të rëndësishëm në karrierën time. Nuk kam pritur një fillim të këtillë të karrierës në Juventus, por sigurisht se e kam shpresuar sepse gjithmonë besoj në aftësitë e mia dhe partneriteti me Luca Tonin është duke funksionuar. Ju duhet të punoni dyfish për një klub të madh dhe unë e bëj këtë çdo ditë”, tha Matri.
Ndërsa trajneri i Juventusit, Luigi del Neri, beson se fitorja e ekipit të tij ishte e merituar.
“Ne duhet të jemi gjithmonë të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë në futboll. Unë jam gjithmonë i tillë. Juventus e meritoi fitoren dhe mund të kishim shënuar më tepër gola. Ekipi im nuk i dhuroi Interit shumë raste”, deklaroi ai.