Do të ishim kampionë në ligat tjera

Reali pati një pjesë të parë spektakolare të sezonit në krye me Mourinhon, por prin në tabelë vetëm 3 pikë përpara Barcelonës, e cila e ndjek hap pas hapi.
“Është e vështirë ta vlerësosh fundin e vitit aktual në futboll, ngase vitin që vjen na pret edhe një gjysmë sezoni. Ne bëmë një punë të mirë. Jemi në krye të tabelës, i fituam gjashtë ndeshje në Ligën e Kampionëve, ndërsa jemi në lojë edhe në Kupën e Spanjës. Kishim gjashtë muaj mjaft pozitivë. Në ndonjë ligë tjetër, Real Madridi do ta fitonte pa problem titullin”, deklaroi trajneri portugez në konferencë për shtyp.
‘Special One’ po mundohet ta ndërpresë dominimin e Barcelonës në tri vjetët e fundit. Ai thotë se djelmoshat e tij duhet të fokusohen vetëm në ndeshjet e tyre dhe të mendojnë për Barçën vetëm kur të përballen me të.
“Ne kemi grumbulluar pikë më shumë se çdo ekip tjetër në vitin 2011. Po ashtu kishim serinë më të mirë në histori të Ligës së Kampionëve në fazën e grupeve. Pastaj e fituam edhe Copa del Rey. Barcelona është ekip shumë i mirë dhe kundërshtar direkt në çdo kompeticion ku ne luajmë”, përfundoi ish trajneri i Portos, i Chelseas dhe i Interit.