E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA monitoron Brazilin

FIFA është duke e monitoruar vazhdën e përgatitjeve të Brazilit për Botërorin 2014. Shtëpia e futbollit botëror do ta vizitojë këtë vend çdo dy muaj për ta vëzhguar punën që po bëhet. Sekretari gjeneral, Jerome Valcke, thotë se Brazili është vonuar. Sipas tij, vendi jug-amerikan duhet të punojë në infrastrukturë dhe në aeroporte.

Top ekzekutivi i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIIFA) do ta vizitojë çdo dy muaj Brazilin për ta mbajtur presionin që të kryhen sa më shpejt përgatitjet për Kampionatin Botëror ‘Brazili 2014’.

Sekretari gjeneral i FIFA-s, Jerome Valcke, thotë se ka mbetur punë e madhe për t’u bërë, posaçërisht në infrastrukturë dhe në aeroporte. Marrëdhëniet ndërmjet FIFA-s, Qeverisë braziliane dhe organizatorëve nuk kanë qenë më të mira kohëve të fundit, por Vackle thotë se ka shenja të përmirësimit të bashkëpunimit ndërmjet palëve.

“Viti 2012 do të jetë vendimtar për FIFA-n dhe Brazilin në përgatitjet operacionale për dy evenimentet më të mëdha të futbollit – Kupën e Konfederatave 2013 dhe Botërorin 2014. Na pret një punë e madhe, posaçërisht në infrastrukturë, aeroporte dhe në transport rrugor, që t’ua bëjmë me dije fansave dhe vizitorëve që kemi eksperiencë të duhur. Do ta monitorojmë situatën çdo dy muaj”, vazhdoi ai.

Sipas Valcke, është esenciale të gjenden personat e duhur që të punojnë në përgatitje. Sepse koha po shkon dhe gjërat nuk po shkojnë siç ishte paraparë.

“Ne nuk kemi shumë kohë, ora po kalon shpejt dhe pritja nga ne është më e madhe. Duhet ta fusim në kokë faktin se kur të përfundojnë Euro 2012 dhe Lojërat Olimpike, media botërore do të jetë në Brazil”, nënvizoi ai.

Valcke shtoi se çelës i suksesit do të jetë vazhdimi i dialogut konstant në mes të autoriteteve braziliane, që udhëhiqen nga ministri i sportit, Aldo Rebelo dhe drejtuesve të FIFA-s, që janë angazhuar për evenimentin më të madh të futbollit në vitin 2014, i cili do të mbahet në Amerikën Jugore, përkatësisht në Brazil.

“Duhet t’i rregullojmë marrëdhëniet dhe të ecim përpara së bashku”, përfundoi ai. Brazili po vonon në përgatitje të Botërorit, njëjtë si Afrika e Jugut, e cila megjithatë ia doli që ta organizojë me sukses këtë kompeticion vitin e kaluar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›