Socialistët i japin zgjidhje
Valentina Leskaj
PS propozoi sistemin e shumëpritur zgjedhor proporcional me lista shumëemërore, bazuar në ndarjen administrative, sipas qarqeve aktualë. PD dakord
Partia Socialiste paraqiti dje zyrtarisht nismën për ndryshimet kushtetuese lidhur me reformën zgjedhore. Valentina Leskaj, numri një i grupit parlamentar të PS-së, bëri publike dje nismën e re të PS-së, në funksion të zgjidhjes së ngërçit aktual të njërës prej reformave më të domosdoshme për të marrë ftesën e integrimit në NATO. “PS-ja ka paraqitur në Konferencën e Kryetarëve një nismë, e cila u pranua nga kjo konferencë, për t’u futur në procedurë edhe në kalendarin e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë. Në thelb, nisma konsiston në amendimet kushtetuese lidhur me sistemin zgjedhor. Konkretisht, në kalimin në sistemin proporcional me lista shumëemërore, bazuar në ndarjen administrative, sipas qarqeve aktualë”, - u shpreh pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve liderja e socialistëve në Kuvend. Leskaj shtoi se kjo reformë ndan vendin dhe politikën nga sistemi i kalbur, siç e quajti ajo, që aktualisht përdoret në Shqipëri. Sistemi aktual sipas të gjitha forcave politike, deformon përfaqësimin real politik. Socialistët janë të mendimit, se propozimet e tyre japin një sistem të drejtë e me përfaqësim politik të ndershëm. Partia më të madhe opozitare mbetet e hapur për kontributin e forcave të tjera politike dhe dëshiron një zgjidhje konsensuale. “Duke bërë këtë propozim, PS-ja nuk e mbyll procesin, përkundrazi e hap atë. Do të thotë që ne e kemi thënë që jemi të hapur për një proces gjithëpërfshirës dhe konsensual, për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, përfshirë edhe partitë e vogla. Ne besojmë dhe shpresojmë, që partitë e tjera gjithashtu do të jenë të gatshme të pranojnë një sistem, që u shërben shqiptarëve dhe jo individëve apo partive të veçanta, qofshin këto të mëdha apo të vogla”, - nënvizoi në emër të socialistëve kreu i grupit parlamentar, Valentina Leskaj. Ajo nënvizoi se miratimi i propozimit për të futur në kalendarin e Kuvendit ndryshimet kushtetuese nuk përjashton diskutimet dhe mendësinë e gjetjes së konsensusit nga partitë e vogla. Në të kundërt, socialistët theksojnë se procesi i diskutimit do të jetë gjithëpërfshirës. Më tej ajo sqaroi se sistemi proporcional në 12 rajone, është në favor të zgjedhjeve të lira, e për këtë arsye duhet të gjejë mbështetje. “Sipas ndarjes administrative aktualisht Shqipëria është e ndarë në 12 rajone, do të thotë që bëhet kalimi nga zona me lista njëemërore, në zona me listë shumëemërore. Unë besoj se forcat e tjera politike do të mbështesin këtë, po ta shohin me kujdes. Ky është një sistem që nuk është në favor të një force të vetme politike, por është në favor të Shqipërisë, është në favor të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri”, - vuri theksin liderja e socialistëve në Kuvend. Leskaj nuk përjashtoi mundësinë e diskutimit në të ardhmen edhe për çështjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas saj, versioni i paketës më vonë mund të përfshijë edhe elemente të tjerë. Partia Demokratike mbështeti nismën ligjore të propozuar nga Partia Socialiste për ndryshime kushtetuese, të cilat kanë lidhje direkte me reformën zgjedhore. Kryeministri Sali Berisha, njëherësh dhe kryetar i Partisë Demokratike, ka përshëndetur gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar nismën e opozitës. “Opozita ka bërë një hap të rëndësishëm, ka paraqitur në kryesinë e Kuvendit amendamentin për ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë, në mënyrë që të ecim me seriozitetin më të madh në reformën zgjedhore”, ka deklaruar shefi i ekzekutivit shqiptar. Ai nënvizoi se PD-ja do t’i trajtojë seriozisht propozimet e bëra nga socialistë, në mënyrë që të ecet përpara në konsolidimin e reformave. Berisha ka garantuar opozitën dhe shqiptarët, se qeveria që drejton dhe ai personalisht nuk e ka bazuar dhe nuk do ta bazojë platformën në gjë tjetër, veçse në reforma. “Mirëpres me kënaqësi çdo lloj bashkëpunimi që opozita ofron për promovimin e tyre, duke ruajtur të pacenuar çdo lloj të drejte për të kritikuar qeverinë. Qeveria nuk mund të bazojë platformën në kritikat ndaj opozitës. Ajo platformën e vet në një vend demokratik normal e bazon në reformat që kryen”, tha kreu i qeverisë. Berisha theksoi se PD-ja vlerëson shumë ecjen përpara së bashku me opozitën në reforma dhe jo vetëm në ligjet që kërkojnë votime të kualifikuara. Sipas tij, ka ardhur koha që edhe ligjet e thjeshta të miratohen përmes konsensusit. Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar demokrat, kryeministri Berisha garantoi se në lidhje me reformën në drejtësi, do të punohet me të gjithë ligjet që kanë lidhje me këtë sistem. Sipas tij, kryetari i Komisionit parlamentar të Ligjeve, demokrati Fatos Beja, bashkë me nënkryetarin socialist, Fatmir Xhafajn, do të përpunojnë draftin e dokumentit për vazhdimin e reformës në drejtësi. Ai siguroi që PD-ja është e gatshme, që siç u veprua me ligjin e parë, atë të gjyqësorit, të punohet me të gjithë ligjet që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë.