Tragjedia, digjen të gjallë 2 vëllezër
Uji mbyt në Farkë, zjarri djeg në Sharrë. Dy fëmijë u dogjën dje në Tiranë sepse zjarrfikësja s'arriti të depërtonte në rrugët e pakalueshme të periferisë
TIRANË - Nëse nuk do të kishin këmbëngulur të rrinin të vetëm në shtëpinë atërore dhe të mos shkonin tek daja i tyre, ku rrinin çdo ditë bashkë me mamanë e tyre, ka shumë të ngjarë që dy të miturit, Klezart dhe Renato Prendi, dje të mos ishin bërë gati karbon nga zjarri i rënë në shtëpinë e të gjenin vdekjen, por të vazhdonin të jetonin të qetë. Por fati nuk ishte me ta... Vendimi i dy fëmijëve, njëri 15 vjeç e tjetri 13 vjeç, për të qëndruar në shtëpinë e tyre e për të mos ikur me mamanë e vëllanë e tyre të vogël vetëm 6 muajsh, iu kushtoi jetën dy vëllezërve Prendi. Vdekja e dhunshme e dy fëmijëve nën flakët e zjarrit të rëna në shtëpinë e ndërtuar në lagjen periferike “Vrapaj” të zonës së Sharrës, tronditi dje jo vetëm familjarët e tyre, por dhe opinionin e gjerë. Klezart dhe Renato Prendi gjetën vdekjen në orët e para të ditës së djeshme në Spitalin Ushtarak, pasi kishin pësuar dëmtime të shumta në trup dhe në organizëm, si pasojë e flakëve të rëna në shtëpinë e tyre dhe të gazrave të çliruar bashkë me flakët e tymin, ndërsa një punonjës i policisë së kryeqytetit mbeti i plagosur lehtë gjatë tentativës për të shpëtuar jetët e dy fëmijëve. NgjarjaMungesa e kryefamiljarit në shtëpi dhe fakti që kishte tre djem ende të mitur në moshë, e çonte pothuajse çdo ditë Pranvera Prendin që të shkonte të flinte së bashku me fëmijët e saj tek i vëllai, 30 minuta larg nga shtëpia e saj. Kryefamiljari, Sotiraq Prendi, së bashku me djalin e tyre më të madh punonin si emigrantë në Greqi, ndërsa e ëma, Pranvera, rriste djemtë në periferi të zonës së Sharrës. Klezarti dhe Renato, 15 e 13 vjeç, mbrëmjen e së dielës kishin preferuar që të rrinin dhe pak tek shtëpia e tyre, duke u ndjerë të sigurt e duke qetësuar të ëmën se do të shkonin pak më vonë tek shtëpia e dajës së tyre. Pranvera ka marrë djalin e vogël e pasi ka lënë në shtëpi dy të tjerët, ka shkuar tek i vëllai. Askujt, as të ëmës e as atyre vetë, nuk do t’u kishte shkuar nëpër mend se një shkëndijë elektrike do t’u merrte përfundimisht jetën. Pasi kanë pikasur flakët e zjarrit që po përpinin shtëpinë, të trembur kanë rendur të dalin sa më shpejt për të shpëtuar, pa e kuptuar që kishin marrë plagë nga djegia e rëndë në trupat e tyre të njomë. E ndërsa banorët e zonës kanë lajmëruar menjëherë policinë, kur kjo e fundit ka arritur në vendin e ngjarjes, ka parë vëllezërit jashtë shtëpisë, të djegur në shumë pjesë të trupit. Ka qenë ora afërsisht 22.00, kur forcat e policisë janë mundur që t’i afrohen shtëpisë së familjes Prendi, për shkak të terrenit të vështirë kodrinor. Kanë bërë të pamundurën për t’i transportuar sa më shpejt në spital, por edhe pse kanë arritur aty, nuk ia kanë dalë mbanë. U është dhënë shërbimi i duhur mjekësor, e të vegjlit, pasi kanë luftuar disa orë me vdekjen, nuk kanë mundur që të dalin fitimtarë. Sipas burimeve spitalore, bëhet e ditur se plagët nga djegiet kanë qenë shumë të rënda, gjë që ka çuar edhe në vdekjen e kobshme të Klezartit e Renatos, disa orë pas mesnatës, kur dhe kanë mbyllur sytë përgjithmonë. E ata që dje, disa orë para varrimit, nuk pushonin së qari e vajtuari e që ndjenin dhembje në shpirt kanë qenë familjarët. Pasi është njoftuar për lajmin e tmerrshëm, i ati është nisur menjëherë, për të qenë i pranishëm në dhënien e lamtumirës dy djemve të tij të vegjël, të cilët mbyllën sytë përgjithmonë. “I gjetëm të djegur jashtë shtëpisë”Dëshmia e policit të plagosur, Ruzhdi Paja, se si u dhanë ndihmë dy vëllezërve PrendiI kontaktuar nga gazeta “Korrieri”, polici i cili mbeti i plagosur në tentativën për të shpëtuar vëllezërit Prendi rrëfen ngjarjen që nga momenti kur morën njoftimin për zjarrin e deri tek plagosja e tij në krahun e djathtë, teksa përpiqej të fuste në ambulancë dy të vegjlit. -Kur e morët njoftimin rreth zjarrit të rënë? “Sapo kisha marrë turnin e tretë, kur u njoftuam se në një banesë në zonën e quajtur Kodër-Sharrë kishte rënë zjarr. U nisëm menjëherë për në vendin e ngjarjes së bashku me zjarrfikëset”. -Patët vështirësi për të arritur tek shtëpia? “Arritëm që të shkonim deri në njëfarë vendi, pasi terreni ishte shumë i vështirë dhe makinat e policisë e të zjarrfikëseve nuk mund të futeshin. Binte shi dhe ishte shumë baltë. E kishim të pamundur për të mbërritur më shpejt tek banesa ku kishte rënë zjarr”. -Kur arritët aty, fëmijët ishin brenda në shtëpinë që po digjej, apo kishin dalë jashtë? “Jo, fëmijët kishin mundur të dilnin nga banesa. Kishin plagë në trup. Kishin arritur të bënin vetëm disa metra larg, si pasojë e djegieve të rënda që kishin marrë nga flakët”. -Si u realizua transportimi i tyre? “Sqarova dhe pak më parë, që zona në të cilën gjendej shtëpia ka një terren të vështirë. Unë dhe kolegë të mi i kemi mbajtur në krahë deri në njëfarë vendi, pasi nuk kishim makinë. Pasi kemi ecur me vëllezërit në krahë, kemi gjetur një makinë tip “Benz”, i kemi futur aty dhe kemi udhëtuar me të deri në vendin ku kishin ngecur zjarrfikëset dhe autoambulanca”. -Në çfarë gjendjeje ishin fëmijët? “Kishin plagë e djegie në të gjithë trupin, por rezistonin akoma. I vogli dukej më rëndë se vëllai i tij i madh. E kam mbajtur në krahë dhe po bëja të pamundurën që të arrija sa më shpejt tek ambulanca, që t’i nisnim drejt spitalit”. -Po ju, si u plagosët? “Nxitoja për të arritur tek ambulanca. Pothuajse vrapoja që të kalonim pjesën e rrugës të pakalueshme nga makinat, e të mbërrija shpejt tek vendi ku ishte policia e të tjerët. Në momentin që po fusja fëmijët në ambulancë, kam vrarë krahun e djathtë tek dera”. -Si është gjendja juaj shëndetësore tani? “Pasi u qetësova që fëmijët u hipën në ambulancë, atëherë u transportova dhe unë drejt Spitalit Ushtarak, ku mora dhe ndihmën e duhur mjekësore. Më qepën krahun që kisha çarë, e pastaj erdha në shtëpi”.