Do të merrnin pjesë në mortin e dy grave, 8 veta i shpëtojnë mbytjes
Korçë
Një tjetër zetor ka rrezikuar të rrëmbehet nga ujërat e Devollit, 24 orë pas mbytjes së dy femrave
Për më tepër se 30 minuta, zetori ka qëndruar në mes të lumit, duke u rrezikuar nga rrjedha
Personat që ndodheshin në zetor, mundën të dilnin pas ndërhyrjes së një tjetër mjeti bujqësor
Vetëm një ditë nga tragjedia e rëndë në rrjedhën e lumit Devoll në fshatin Braçanj, ku u mbytën dy gra dhe rrezikuan jetën 18 persona të tjerë, një tjetër ngjarje e rëndë ka rrezikuar të ndodhë sërish. Të afërm të viktimave nga fshati Braçanj, kishin hipur në një zetor për të kaluar lumin dhe për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të dy grave, por për më tepër se 30 minuta ata kanë qëndruar në mes të lumit, ndërsa, siç thuhet edhe nga të pranishmit në vendngjarje, mjeti lëvizës ka rrezikuar të merret nga rrjedha e lumit Devoll.
Situata ka alarmuar familjarët e tjerë, të cilët u kanë bërë thirrje të afërmve të tyre të kthehen pas. Tetë personat që ndodheshin në këtë zetor kanë mundur të dalin prej andej pas ndërhyrjes së një tjetër mjeti bujqësor. Erdhëm për varrim, por nuk është çudi që jo vetëm në varrim të mos vinim, por edhe të mbyteshim. Ju e patë, kemi 30 minuta që qëndrojmë në lumë, tha një prej të afërmve që do të merrte pjesë në mort.
Ndërkaq, Shega Zyfi, 74 vjeçe, një prej grave që ka rrezikuar jetën një ditë më parë dhe ndodhej në rimorkion e traktorit që u përmbys, ka treguar momentet e tmerrit dhe rrezikun që u kanoset sërish banorëve të dy fshatrave, për shkak të mungesës së urës. Nuk dua ta kujtoj atë që ndodhi dje (pardje), ranë mbi mua të gjithë. Edhe sot e kam trupin plagë. Nga morti që po shkonim, u bëmë vetë për të na ardhur për mort, tha e moshuara. Dy viktimat e tragjedisë së paralajmëruar në Dobranj të Devollit, Mirela dhe Elena Zyfi, përkatësisht 35 dhe 29 vjeçe, janë përcjellë në banesën e fundit rreth mesditës, ndërsa banorët kërkojnë urgjentisht ndërtimin e urës, pasi, sipas tyre, rrezikojnë të ndodhin të tjera tragjedi.
Nga ana tjetër, Policia e Korçës ka arrestuar shoferin e zetorit me rimorkio, që shkaktoi vdekjen e dy grave gjatë transportit të tyre përmes lumit Devoll. Policia njoftoi se ai quhet Spiro Nizami Zyfi, 36 vjeç, banues në fshatin Dobranj-Devoll. Zyfi nuk dispononte leje drejtimi dhe kjo përbën një nga akuzat, për të cilat ai u arrestua, krahas asaj për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas policisë, ai akuzohet se më datën 6 prill, rreth orës 12:00, në rrugën dytësore DobranjPonçare, duke drejtuar mjetin zetor me rimorkio, gjatë kalimit të lumit Devoll, është përmbysur rimorkioja dhe për rrjedhojë kanë gjetur vdekjen dy banore të fshatit Dobranj.
Do të merrnin pjesë në mortin e dy grave, 8 veta i shpëtojnë mbytjes burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email