Do të vijë një kohë që E.Rama do të përgjigjet për qëndrimin e tij antieuropian
Edi Rama po mbush vitin që po flet vazhdimisht dhe pa reshtur për “Hapjen e Kutive”. Dhe, siç kuptohet, fjalët e tij futen në repetitorë njerëzorë, që janë propagandistët e tij vetjakë. Këta kanë detyrën që të përsëritin të njëjtat fjalë, që përbëjnë një stampë monotone: “Duam të dimë votat tona”. Shqiptarëve po u skaliten në tru të njëjtat fjalë, siç ndodhte në kohën e diktatorit Enver Hoxha kur fliste dhe përsëriste se pluralizmi e çon ujët në mullirin e armikut! Natyrisht ai kërkonte që të bënte një shpëlarje të trurit se monizmi është demokracia popullore; kusuri është prirja e armikut ndërkombëtar që të fusë hundët në demokracinë tonë (!). Këto absurditete propagandistike, meqë janë të zhveshura tërësisht nga logjika fillestare politike, duhen fiksuar, - si të rrahura me çekiç, në trurin naiv të vulgut, në radhë të parë – për të indoktrinuar ata të cilët kanë nisur të kenë një mendim të telekomanduar, tashmë. Kështu një pjesë e madhe e shoqërisë katandiset në atë që njihet me togfjalëshin e “shpëlarjes së trurit”.
Një dukuri e tillë po përsëritet me agresivitet nga imituesi i diktatorit shqiptar, E.H.-s, prej imituesit të huqeve enveriste, Ed Ramës. Flet për transparencë, kur ky element i mendësisë së tij të çoroditur, është ai që mungon më tepër në arsyetimet e Edit, që është humbës zgjedhor në zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009. Këtë ia konfirmojnë atij të 20.000 komisionerët, që janë caktuar me firmë të kryetarit. Domethënë se kjo masë e madhe komisionerësh socialistë është, tashmë, përfaqësuese e vullnetit të socialistëve për rregullshmërinë dhe paanshmërinë e shpalljes zgjedhore. Ashtu siç përgjigjen edhe komisionerët, të njëjtë në numër, për devotshmërinë e tyre, si të mandatuar nga PD-ja.
Të quash një armatë të tërë të besuarish tradhtarë është më tepër se çmendurí! Sepse përzgjedhja është bërë, duke i sanksionuar ligjërisht me firmë, nga vetë përsoni yt (që t’i drejtohemi në vetë të parë).
Pra, fillimisht, në këtë arsyetim kjo është mohim i vetvetes. Dhe s’ka të bëjë aspak me besueshmërinë e njerëzve të thjeshtë, me një logjikë elementare. Këtu, në këtë domosdoshmëri për interesa vetjake, e ka origjinën ajo fjala e konsumuar “transparencë” e cila, realisht është shndërruar në të kundërtën e saj, si të thuash në një mjegullnajë! Sepse, në rastin konkret, vetë fjala e ashtuquajtur transparencë apo, më saktësisht, e vetëquajtur transparencë, pështjellohet nga një mori kundërthëniesh. Njëra prej tyre është kjo: në ç’të dhëna mbështetet kjo tradhti kolektive? Në supozime? Fakti që kërkon të hapësh kutitë që të zbulosh “tradhtinë” është dëshmi se akuzat kundër njerëzve që i ke emëruar vetë, mbështeten në hamendësira, jo në fakte të qenësishme. Përndryshe do të kishim disa gjyqe, me të paditur emra dhe me mbiemra të përcaktuar, për këtë tersllëk. Dhe jo vetëm gjyqe, në kuptimin e përgjithshëm, por vendime gjyqësore, të cilat të shërbenin si indicie për një akuzë kaq të rëndë në një shtrirje kaq të gjerë sa të ndikonin në humbjen e PS-së! Kjo ka të bëjë edhe me reminishenca të kohës së diktaturës, të cilat ER-ja i merr si referencë, si nostalgjik i asaj kohe që, do apo s’do Rama, e përshfaq vetveten. Enver Hoxhës i ishte bërë ferra Ibrahim, që të shihte ajkën e Ushtrisë Nacionalçlirimtare si armike. Dihet se ai e zëvendësoi këtë bashkësi ushtarakësh të kualifikuar me njerëz që, për artin ushtarak, merrnin vesh pak ose aspak! Ata që kanë studiuar thellësisht Terrorin e Madh të Stalinit, janë çuditur kur, qoftë edhe për shfarosjen e kupolës ushtarake me Mareshalin Tukaçevski e të tjerëve, Stalini u detyrua që të lironte nga lagerët e tij, ushtarakë madhorë që i kishin shpëtuar vdekjes dhe t’i çonte në front, në krye të divizioneve, pas dështimeve të injorantëve të ushtrisë si Timoshenko, Voroshillovi e të tjerë! (Por kjo, amà, është dëshmi e dënimit të të pafajshmëve, për interesa të konsolidimit të plotfuqishmërisë vetjake, gjë që e bëri edhe Enveri!).
Dhunimi i nenit 178.6 të Kodit Zgjedhor, të firmosur edhe prej Ramës, me premtimin se rezultatet zgjedhore janë të pakontestueshme nga ai, është po ashtu një blof. Neni në vetvete, që ka të bëjë me materialet zgjedhore, nuk i intereson E.Ramës. Pra, pjesërisht kutitë e votimit janë të hapshme. Por ai kërkon dhunimin bash të pikës 6 të këtij neni: atë që përmban kutitë e fletëvotimeve. Për çfarë i vlejnë këto? Ai mëton se me anë të këtyre do të mund të bëhen zgjedhjet e ardhshme të pakontestueshme! Askush nuk e beson këtë. Sido që të bëhen zgjedhjet e ardhshme, edhe sikur (për hipotezë) të tejkalojnë për kah korrektesa zgjedhjet më të mira në botë, ato duhet të jenë fituese që të mos kontestohen. Ky është kriteri i vërtetë i vlerësimit të zgjedhjeve nga një person që po jep prova të përditshme për tekat e një uzurpuesi të PS-së, që s’e ka për gjë shkeljen ligjore. Merre me mend kur thotë: Nuk më intereson vlerësimi i Komisionit të Venecies! Cili je ti që shpall në mënyrë megalomane se ç’të interesojnë e cilat nuk të interesojnë, kur kemi përballë instanca me prestigj që duhen konsultuar?
Atij nuk i intereson as Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, që bën fjalë për dënimin e krimeve të diktaturave, qoftë të nazifashizmit, qoftë të komunizmit. Si janë dënuar krimet e komuniszmit në vendin tonë? Duke kandiduar për deputetë të rinjtë, pa përvojë politike, që janë nostalgjikë kokë e këmbë e të përgojueshëm jo se janë pinjollë mëkatarësh, por se deklarojnë që janë krenarë që baballarët kanë bërë krime kundër njerëzve të pafajshëm!
Do të vijë një kohë që Edvin Rama do të përgjigjet për atë mujshi kapadainjsh që e ka vënë veten në rend të parë të ruajtjes së nostalgjisë enveriste në vendin tonë. Apo do prova për këtë qëndrim të mbrapshtë antieuropian? Nuk mjaftoi vetëm G. Ruçi që u shpreh, pa u përgënjeshtruar, kundër faktorit ndërkombëtar “që po na vërtitet nëpër këmbë”. Tani na del edhe Bare, gjithmonë i papërgënjeshtruar, që po përgojon Kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit Europian, zotin Mevlud çaushoglu!
Mbase ka konsideratë vetëm për ata majtistë që i mbush me rrena dhe që i dalin në anë, në ndonjë farë mënyre. Veçse këta janë individë të veçuar, siç është i veçuar vetë Rama në arenën ndërkombëtare.
Edhe këtë izolim e ka trashëgim nga babai i tij shpirtëror.