E Diel, 1 Nëntor 2026

“Do të vijojmë aksionin politik për largimin e Berishës”

15/06/2011  Kreu Rama zbardh qëndrimin e PS-së pas vendimit të Kolegjit

Opozita parlamentare do të kërkojë largimin e qeverisjes aktuale. Ky ishte paralajmërimi i bërë dje nga vetë kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Kështu, duke iu referuar pikërisht përgjigjes së dhënë për kërkesë-padinë e PS-së nga ana e Kolegjit Zgjedhor, kreu socialist e konsideroi si domosdoshmëri vijimin e aksionit opozitar për të bërë të mundur largimin e kësaj qeverie. “Procesi është rikthyer në tavolinën e kanibalizmit elektoral, aty ku u grabit fitorja jonë në sytë e të gjithëve dhe ku u prodhua tabela e turpshme e një rezultati jo vetëm me më shumë vota sesa zgjedhës, por edhe me më shumë vota sesa tërësia e fletëve të votimit të gjetura në kuti”, vuri në dukje Rama, sa i takon vendimit të marrë dy ditë më parë nga Kolegji. Njëkohësisht, duke vijuar po në këtë linjë, kreu i PS-së bëri me dije se “ne i qëndrojmë asaj që kemi thënë qysh në fillim. Do t’i shkojmë deri në fund rrugës së betejës ligjore, pavarësisht se në KQZ nuk presim asgjë tjetër, përveç vazhdimit të kanibalizmit me votat e qytetarëve dhe me kutitë ku ata kanë votuar”. Madje, duke i mëshuar me forcë një qëndrimi të tillë, kryetari Rama nënvizoi se “ky proces i pashembullt paligjshmërish të vulosura me dhunë, që ka marrë peng frymën e gjithë vendit dhe ka humbur çdo integritet e besueshmëri, është një shembull kuptimplotë, në sytë e të gjithëve, për domosdoshmërinë e largimit, një orë e më parë, të këtij pushteti dhe sigurisht një arsye e madhe më shumë për ta vijuar betejën opozitare në çdo front me pasion, durim e besimin e palëkundur që na jep e drejta që kemi me vete”.

Kundërpërgjigjja e PD

“Kryetari i Partisë Socialiste, që vetëm 4 ditë më parë, sulmoi vendimin e KQZ-së, me akuzën se ishin numëruar votat e hedhura gabim vetëm në 127 kuti dhe jo në të gjitha kutitë e tjera, sot, pas vendimit të Kolegjit që vendosi të numërojë çdo votë të panumëruar që është hedhur gabim në kutitë e garave të tjera, i kthehet tezës së kanibalizmit. Duke shpallur numërimin e çdo vote në përputhje me Kushtetutën e vendit si një akt kanibal, dhe kjo vetëm e vetëm se mesa duket votat e numëruara e nxjerrin z. Rama humbës në Bashkinë e Tiranës”, theksohej në kundërpërgjigjen e menjëhershme të PD-së, lidhur me deklaratën e Ramës.

Meta për Kolegjin

“Respektoj vendimin e Kolegjit Zgjedhor, i cili jo vetëm respekton votën e çdo qytetari të Tiranës, por njëkohësisht i hap rrugë një transparence të jashtëzakonshme të procesit, duke sjellë një standard të ri të zgjedhjeve, që është në vijim të standardit të mrekullueshëm që vendosën qytetarët e Tiranës më 8 maj. Kisha dëshirë që procesi të përfundonte që dje, por jam i bindur se për rrethanat në të cilat janë zhvilluar zgjedhjet, ku kemi një diferencë të ngushtë mes kandidatëve, transparenca e plotë, maksimale, është e mirëpritur dhe e domosdoshme për të mbyllur kapitullin për cilindo që nuk do t’i pëlqente rezultati”, tha Meta.

Qëndrimi i Ramës

“Nuk morëm drejtësinë që kërkuam. Dëgjuam një vendim të turbullt, ku duket se pranohen një pjesë e pretendimeve tona, por vuloset po ashtu padrejtësia që e degjeneroi procesin pas numërimit publik të votave që na nxori fitues. Kolegji s’pati kurajën të shohë në sy të gjithë të vërtetën, njëkohësisht nuk mbylli plotësisht sytë përpara rezultatit të manipuluar të KQZ-së, që nxori humbësin fitues, dhe nuk pranoi ta vulosë atë. Grabitësit mund t’i shpëtojnë shumë gjërave dhe mund të dhunojnë hapur në ditën për diell edhe vetë aritmetikën për të vulosur si fitore një humbje, po asnjëherë ky popull s’do t’i shohë ata si fituesit e 8 majit”, u shpreh Rama.

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi kërkesën e Qefalisë

Vendimi, trupa gjyqësore pushoi gjykimin e çështjes

Gjykata Kushtetuese vendosi dje të pushojë gjykimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili parashikonte shkarkimin nga detyra të kryetarit të komunës Dajt, Kujtim Qefalia. Ky i fundit, pas njohjes me vendimin nr. 138, datë 01.03.2011, ku ishte vendosur pikërisht shkarkimi nga detyra, për shkelje të rënda ligjore, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar një çështje të tillë. Në njoftimin për shtyp të këtij institucioni, bëhet e ditur se “në seancën plenare të zhvilluar në Gjykatën Kushtetuese (Gjykata) në datën 10.05.2011, përfaqësuesja ligjore e kërkuesit, në prani dhe të këtij të fundit, paraqiti kërkesë me shkrim për heqjen dorë nga gjykimi dhe për pushimin e çështjes objekt shqyrtimi. Subjekti i interesuar, në këtë rast KM, u shpreh dakord me kërkesën dhe kërkoi pushimin e gjykimit të çështjes”. Nga ana e saj, Gjykata konstatoi se ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, në nenin 1, paragrafi i dytë, parashikon se “Për çështje që lidhen me procedura që nuk rregullohen nga ky ligj, Gjykata Kushtetuese merr parasysh edhe dispozitat ligjore që rregullojnë procedurat e tjera, duke marrë në konsideratë natyrën ligjore të çështjes”. Bazuar në këtë normë, Gjykata iu referua nenit 201 të Kodit të Procedurës Civile (KPC), i cili parashikon se “paditësi në çdo fazë të gjykimit mund të heqë dorë nga gjykimi i padisë. Në këtë rast, gjykata vendos pushimin e gjykimit”. Në kushtet e mësipërme, Gjykata vlerëson se plotësohen kriteret për pushimin e gjykimit të çështjes në bazë të dispozitës së sipërcituar të KPC-së. Kështu me pushimin e çështjes, Gjykata në të njëjtën kohë i dha të drejtë dhe kërkesës së bërë më parë nga përfaqësuesja ligjore e ekzekutivit.

Pretendimi

“VKM-ja për shkarkimin është marrë në mungesë të një procedure transparente dhe bazohet në një ligj të paqartë. Neni 42/a i ligjit nr. 8652, datë 31.07.2000 “Për organizmin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, që është baza ligjore e shkarkimit, e zgjeron fushën e parashikimeve të nenit 115 të Kushtetutës.”

Argumentimi

“Vendimi i shkarkimit është i paarsyetuar, pasi nuk jep asnjë arsye për shkaqet konkrete që çuan në shkarkimin e kryetarit të komunës Dajt. Shkeljet e prezumuara nga VKM-ja nuk përbëjnë ‘shkelje të rënda të ligjit’, pasi veprimet juridike të kallëzuara penalisht nuk kanë sjellë pasoja me karakter penal ose juridik ndaj kërkuesit.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›