E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murati, kërkimi shkencor duhet të shihet me prioritet

15/06/2011  Vizita e nobelistit të njohur për zbulimin e viagrës

Institucionet shqiptare duhet të shohin më me përparësi zhvillimet në fushën e kërkimeve shkencore. Mesazhi është dhënë nga një personaliteteve më të njohura në fushën e kërkimit shkencor dhe të mjekësisë, nobelisti shqiptaro- amerikan, doktor Ferid Murat, i cili ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme një sërë takimesh me drejtuesit e dikastereve. Murat, është i njohur për studimet e tij që janë përqendruar në efektin e nitroglicerinës në trupin e njeriut, teksa në botë njihet nga suksesi i tij për shpikjen e viagras. Gjatë takimit të zhvilluar me kreun e UT-së, Dhori Kule, nobelisti theksoi se kërkimi shkencor dhe edukimi janë gjërat më të rëndësishme në jetë. “Po të mos kishim kuriozitetin për zbulimin shkencor, jeta do të ishte shumë primitive. Do të përdornim akoma veglat që çajnë gurin”. Ndërsa në takimin e zhvilluar me kreun e Ministrisë së Shëndetësisë, një rëndësi e veçantë i është dhënë diskutimit mbi edukimin në vazhdim, i cili duhet të jetë pjesë e pandarë e punës për personelin mjekësor. Krahas ndryshimeve të bëra në sistemin shëndetësor, Murati theksoi se marrja e licencës mjekësore dhe rifreskimi i saj në SHBA kërkon një punë të vazhdueshme dhe serioze. Interesimit të ministrit Vasili për mundësi studimi dhe trajnimi të stafeve shëndetësore shqiptare në institucione shëndetësore dhe universitetet amerikane, prof. Murati iu përgjigj se “ka shumë institucione seriozisht të interesuara për të bashkëpunuar në fushën e trajnimeve afatshkurtra, afatmesme dhe atyre afatgjata”. Ferid Murat, i njohur për shpikjen e viagrës, lindi më 14 shtator të vitit 1936 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shkencëtari mban titullin Doctor Honoris Causa të Universitetit të Evropës Juglindore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›