Do të vijojmë bashkëpunimin me SHBA-në, si aleati ynë strategjik

Lideri i LSI-së, Ilir Meta takon ambasadorin e SHBA-së, Arvizu
“Do të vijojmë bashkëpunimin me SHBA-në, me prioritetet që ne kemi për vendin tonë, por edhe për SHBA-në, sidomos në drejtimin e forcimit të ligjeve dhe pavarësinë e institucioneve”, deklaroi sot lideri i LSI-së, Ilir Meta. Pas takimit të zhvilluar më Ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, në një prononcim për mediat nga selia e LSI-së, Meta shprehu angazhimin e tij për të vazhduar dhe thelluar marrëdhëniet shumë të mira dhe të fuqishme me SHBA-në. “Do të bashkëpunojmë në prioritetet kryesore që ne kemi për vendin tonë, por edhe SHBA-të, si aleati ynë strategjik, kanë për Shqipërinë, edhe si vend anëtar i NATO-s, sidomos në drejtim të forcimit të ligjit dhe të pavarësisë së institucioneve, të një fryme të re bashkëpunimi në të gjithë jetën politike, por edhe në të gjithë shoqërinë tonë, për të krijuar një konsensus sa më të gjerë për përmbushjen e të gjitha reformave, të cilat do të përshpejtojnë integrimin evropian të Shqipërisë”, u shpreh ai. Ndërsa Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, tha se u takua me kreun e LSI-së për t’i konfirmuar të ardhmen demokratike të Shqipërisë dhe anëtarësimin e saj në BE. "I vlerësoj shumë komentet e tij dhe i mirëpres ato. E falënderoj që gjeti mundësinë të na presë dhe e falënderoj për kohën që na kushtoi pasi ai ka pasur një fushatë të lodhshme. Dhe arsyeja pse ndodhemi këtu është që të konfirmojmë të ardhmen demokratike të Shqipërisë dhe mbështetjen për në Bashkimin Europian. Sikurse janë në pritje për qeverinë e ardhshme, pritjet janë të larta, presim një tranzicion të qetë dhe pres me kënaqësi të bashkëpunoj me z. Meta dhe anëtarët e tjerë të koalicionit”, theksoi Arvizu.