E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pa lobimin e Berishës dhe kontributin e Shqipërisë, vendimi për TAP do ishte i pamundur”

28-06-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha pret përfaqësues të kompanisë azere të gazit e naftës SOCAR dhe të Konsorciumit të Shah Deniz


Azerbajxhani ka shpallur zyrtarisht fitues projektin e gazsjellësit TAP për të sjellë gazin në Evropë, në pjesën perëndimore të saj. Lajmin ia dhanë kryeministrit Sali Berisha Këshilltari i Presidentit të kompanisë azere të gazit e naftës SOCAR, Murad Heydarov, ambasadori i Azerbajxhanit për Shqipërinë, Rahman Mustafayev dhe zv/Presidenti i BP pranë Konsorciumit të Shah Deniz, John Baldëin, gjatë një takimi që zhvilloi dje. Delegacioni njoftoi zyrtarisht Kryeministrin Berisha për përzgjedhjen përfundimtare të projektit të gazsjellësit Trans Adriatik - TAP. Ky është projekti më i madh energjetik i të gjithë kohërave në Evropë, me një investim fillestar 40 miliard dollarë. Me këtë vendim të marrë nga qeveria e Azerbajxhanit dhe Konsorciumi i Shah Denizit shënohet hapja e Korridorit të Jugut, si burim i një rëndësie strategjike për energjinë në Europë, sikurse edhe për zhvillimin e tregut të gazit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe diversifikimin e burimeve energjetike të të gjithë rajonit. Delegacioni shprehu mirënjohjen për të gjithë punën serioze të realizuar nga qeveria shqiptare brenda një kohe të shkurtër për ngritjen e të gjithë kuadrit ligjor e rregullator të nevojshëm për të garantuar zbatimin me sukses të projektit në Shqipëri. Veçanërisht, ata shprehën mirënjohjen dhe vlerësimin maksimal e të sinqertë për kontributin politik të paçmueshëm që Kryeministri Berisha personalisht investoi në mbështetje të projektit që në fazën fillestare të tij në 2006 dhe në vazhdim, mbështetjen dhe lobimin e tij të fuqishëm për këtë projekt. Pa rolin dhe kontributin e Shqipërisë, ky vendim për projektin TAP nuk do kishte qenë i mundur, theksuan ata. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për qeverinë e Azerbajxhanit, Presidentit Alyiev dhe konsorciumin e Shah Deniz-it për vendimin e marrë në mbështetje të projektit TAP, duke e konsideruar këtë si një vendim me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike. Berisha: TAP, projekti më i madh i gazit në Evropë – korridor i fuqishëm punësimi dhe të ardhurash për shqiptarët/Kryeministri Sali Berisha informoi dje, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, lidhur me takimin e zhvilluar me përfaqësuesit e qeverisë së Azerbajxhanit dhe të konsorciumit të Shah Deniz 2, të cilët njoftuan zyrtarisht përzgjedhjen e TAP, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e Shqipërisë në këtë proces. Kryeministri e vlerësoi përzgjedhjen e TAP, si një zhvillim të një rëndësie strategjike të jashtëzakonshme për Shqipërinë, pasi me ndërtimin e këtij gazsjellësi, Shqipëria zgjidh në mënyrën më përfundimtare dhe më të plotë çështjen e energjisë dhe krijon një mbështetje të jashtëzakonshme në të gjithë procesin e industrializimit të saj. “Dy janë çështjet kryesore të cilat unë dua të sjell në vëmendje të kabinetit qeveritar, së pari unë prita përfaqësuesit e qeverisë së Azerbajxhanit dhe të konsorciumit të Shah Deniz 2, të cilët më njoftuan zyrtarisht për përzgjedhjen e TAP, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e Shqipërisë në këtë proces. Unë i shpreha mirënjohjen më të thellë qeverisë së Azerbajxhanit, konsorciumit të Shah Deniz 2, fushës së gazit Shah Deniz 2 të detit Kaspik për përzgjedhjen e TAP dhe ky është zhvillim i një rëndësie strategjike të jashtëzakonshme për Shqipërinë, pasi me ndërtimin e këtij gazsjellësi, i cili pritet sipas tyre që në 2019 të sjell gazin në Shqipëri, vendi ynë zgjidh në mënyrën më përfundimtare dhe më të plotë problemin e energjisë në Shqipëri dhe krijon një mbështetje të jashtëzakonshme në të gjithë procesin e industrializimit të saj, si dhe e shoqëruar kjo me gazifikimin e vendit, pra shndërrimin e gazit si burim kryesor në gatim dhe në ngrohje dhe kështu që shqiptarët do të mund të gatuajnë dhe të ngrohen me burimin më të leverdishëm të energjisë që është gazi”- u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë vlerësoi se TAP përbën arritjen më të madhe të Shqipërisë pas anëtarësimit në NATO, në fushën strategjike dhe përgjigjen më të shkëlqyer të interesave të saj strategjike. “Natyrisht procesi i integrimit në BE është proces dominues, por në situatën aktuale ky është vendi më i rëndësishëm në rrafshin strategjik për shqiptaret dhe për Shqipërinë, zgjidhjen përfundimtare të problemit numër 1 që ekziston për shumicën e vendeve të botës, problemit të energjisë”. Kryeministri tha se ky gazsjellës, është projekti më i madh i gazit në Europë, një investim prej 40 miliardë dollarë, ndërsa e cilësoi si korridor të fuqishëm punësimi dhe të ardhurash për qytetarët shqiptarë. “Ndërkohë, ky projekt që është de fakto projekti më i madh i gazit në Evropë, një investim prej 40 miliard dollarë tejkalon në investim çdo projekt tjetër gazsjellësish, do të krijojë në Shqipëri në të gjithë trajektoren e tij dhe më gjerë, mijëra vende pune, do të krijojë vende pune, jo vetëm me ndërtimin e tij, por qindra e qindra biznese, shërbime në të gjithë trajektoren e tij. Faktikisht ky korridor bëhet një korridor i fuqishëm punësimi dhe të ardhurash për shqiptarët”- tha ai. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë ndaj qeverisë së Azerbajxhanit, për ndjenjat më miqësore ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, si dhe mirënjohjen ndaj konsorciumit të Shah Deniz 2 për objektivitetin e vlerësimit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›