Do zgjidhet presidenti apo do zgjidhen hallet e Ramës?
Publicisti Fahri Balliu, në një intervistë të posaçme për Abcnews, denoncon marrjen peng të procesit të negocimit për kreun e ri të shtetit, nga nevoja urgjente e tij për të zgjidhur hallet që e kanë mbuluar pas dy humbjeve zgjedhore. Simboli i unitetit mishërohet pas marrjes së postit dhe procesi detajohet sipas kushtetutës. Ai s’lë vend për paranojat e atyre strukturave bolshevike, që janë mësuar të manipulojnë prokurorinë, agjencitë e sigurisë apo edhe historinë e vendit
“Shqetësimi i vetëm i opozitës, është të bëjë kombinacione që të dalë Edi Rama i fituar në llogaritë e ardhshme elektorale”.
Kështu u shpreh dje publicisti dhe botuesi i Gazetës “55”, Fahri Balliu gjatë një interviste për ABC News ku komentoi debatin e ditëve të fundit lidhur me zgjedhjen e Presidentit.
Për Balliun debati është i natyrshëm, por vërehet edhe tentativa për ngërç nga opozita.
Sipas tij, shqetësimi i opozitës, është shqetësimi i Edi Ramës, i cili po bën kalkulimet dhe kombinacionet, për zgjedhjet e ardhshme. “Halli i opozitës, është halli i Edi Ramës se si do t’i bëjë llogaritë për vitin 2013. Çështja është, të zgjidhim Presidentin do jo të shqetësohemi për hallet e Ramës pas vitit 2013. Opozita le t’i zgjidhë vetë problemet e saj, detyra jonë është të zgjedhim Presidentin e ri. Me 71 vota apo me 84, procesi është në Kushtetutë. Kushtetuta u ndryshua me propozim të Edi Ramës. Edi Rama është mësuar që të lëpijë aty ku pështyn dhe këtë e ka treguar edhe në marrëdhëniet me përfaqësuesit politik. Unë mendoj dhe besoj se do të jetë një proces që do të shkojë shumë mbarë dhe nuk do të ketë probleme që i shpreson ose i ëndërron ndonjë që nuk vjen dot me votë të drejtpërdrejtë nga qytetarët”, u shpreh Balliu. Ai tha se procesi do jetë sipas Kushtetutës dhe larg pazareve.
“Debatet po zhvillohen natyrshëm, brenda një suaza normale. Problemi është se në këtë debat, në këtë zënkë të kësaj teme, e cila është ndër temat më të mëdha politike dhe më kryesorja, duhet që të mos priret të mbjell ide dhe emra fantazmë, por të mbjellë mundësi, për ta çuar vendin në një zgjedhje sa më të shkëlqyer. Që do të thotë, të respektohet Kushtetuta dhe të mos kthehet në një pazar të trashëguar nga mentaliteti politik, që ende influencon disa personazhe të politikës apo dhe medias. Presidenti do të zgjidhet sipas Kushtetutës. Termat e tilla si konsensualë apo gjithëpërfshirës, Presidenti i merr pasi zgjidhet në këtë detyrë. Kushtetuta nuk e thotë këtë. Palët politike janë treguar më të kursyera. Debati përfshihet nga koncepte dhe ide që kanë pikëpamje të mirëfilltë majtiste dhe nuk kanë lidhje me procese të drejta Kushtetuese, siç edhe është zgjedhja e Presidentit. Debati duhet t’i shërbejë kulturimit politik të opinionit, i cili duhet të shkojë drejt standardeve që të interpretojnë institucionin. Debati mbi politikën do një kujdes sepse është një shantazh mbi opinionin dhe kjo nuk është normale, sidomos me ide të skaduara”, tha ai.
Deklaratën e Bamir Topit se presidenti i ardhshëm duhet të jetë konsensual dhe jo nga radhët e mazhorancës, publicisti Balliu e cilësoi absurde.
Sipas tij, Bamir Topi po hedh poshtë rrugën që ndoqi vetë, pasi kaloi përmes një procesi politik dhe radhët e një partie politike. “Nuk është normale që presidenti aktual të deklarohet se presidenti s’duhet të dalë nga mazhoranca, kur ai vetë ka dalë nga ky proces. Pra, procesin nga ku ai ka dalë, po e sulmon. Ai nuk flet as si shtetar dhe as si president, flet si do të jetë nesër. Ai s’duhet të hedhë poshtë rrugën që ndoqi vetë, ndërsa sot nuk e konsideroka”, theksoi Balliu.
Lidhur me zgjedhjen e kreut të shtetit nga radhët e Partisë Demokratike, Balliu tha se do shërbente si ndjenjë përgjegjësie dhe institucionale për këtë forcë politike. Ai kujton zgjedhjen e Rexhep Meidanit (atëherë sekretar i PS-së), i cili nuk u kundërshtua nga opozita e asaj kohe.
“Partia Demokratike, ka një përgjegjësi shumë të madhe për sa i takon postit të Presidentit. Kur kërkon të garojë një personalitet të saj, ka një shkallë të lartë përgjegjësie dhe institucionale. Të njëjtën gjë bëri PS, vuri sekretarin e përgjithshëm Rexhep Meidani. Askush nuk tha gjë se pse u bë kjo. Tani që vjen radha, thonë që është e gabuar. Nuk është e gabuar, përkundrazi tregon moralin ndaj shtetit, ndaj kombit”, deklaroi më tej Fahri Balliu.