E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do zhvendosim varret 40-vjeçare

Varrezat e Tufinës

Analiza e Panaritit: Zgjidhim problemin për 10 vitet e ardhshme. Ja pse ska konflikt me myslimanët.

Zv/kryetari i Bashkisë: Në Tufinë ka 5300 varre të para 1964-s.

Vendet për varre të reja në Tiranë kanë mbaruar. Dy varrezat, ajo e Sharrës dhe ajo e Tufinës, janë të ezauruara. Qytetarët përballë kësaj situate po i përcjellin në banesën e fundit të afërmit e tyre duke i varrosur në rrugicat mes varreve. Për të mos lejuar që situata të degradojë më tej, Bashkia e Tiranës ka propozuar një reformë rrënjësore. Me anë të saj synohet administrimi i sektorit funeral në mënyrë të tillë që të kursehet tokë, duke parë si mundësi ngritjen e varrezave murale. Këto propozime po diskutohen me grupet e interesit prej disa ditësh. Mjaft rëndësi i është dhënë qëndrimit të komuniteteve fetare, të cilat janë shprehur hapur tashmë në qëndrimet e tyre. Zhvendosja e eshtrave lejohet në të gjitha fetë, por në një hark kohor prej të paktën 30 vitesh. Drejtuesit e Bashkisë kanë deklaruar se nuk do të ndërmarrin asnjë vendim që bie ndesh me këto qëndrime. Në këtë kuadër, nënkryetari i Bashkisë, Edmond Panariti, në analizën e tij ofron mundësitë e zgjidhjes së këtij problemi në 10 vitet e ardhshme. Ai argumenton gjithashtu pse ajo çka propozon Bashkia është në përputhje me ligjet fetare.

Zv/kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti

Reforma që Bashkia e Tiranës synon të ndërmarrë për të miradministruar procesin e varrimeve në Tiranë, udhëhiqet nga respekti i plotë i dinjitetit njerëzor dhe i ndjeshmërive fetare. Aktualisht, edhe sipas censusit më të fundit mbi popullsinë në Tiranë, në qytetin tonë banon rreth 30% e popullsisë së vendit. Tendenca është që edhe në vitet në vazhdim, popullsia e Tiranës të rritet çdo vit me rreth 3%, gjë që do të thotë që për më pak se 10 vite popullsia në Tiranë ti kapërcejë një milion banorë.
Mund të imagjinohet trysnia në rritje, që ky boom demografik ushtron mbi hapësirat urbane, përfshirë këtu hapësirat jetësore, hapësirat e gjelbra, hapësirat ekonomike dhe social-kulturore, përfshirë këtu edhe hapësirat për varrime.
Vdekja është pjesë e jetës dhe ajo meriton atë vëmendje e atë trajtim, sikundër edhe aktivitetet e tjera jetësore të njeriut, për të garantuar së pari dinjitet dhe respekt për ata që ndahen nga jeta, por edhe një vend të denjë për familjarët dhe për komunitetin, për të përkujtuar ata që nuk jetojnë më. E parë në këtë këndvështrim, sot në Tiranë situata nuk është e mirë. Nevojat për varrime aktualisht në qytet përballohen vetëm nga dy varreza publike, përkatësisht Varreza e Sharrës, e deklaruar  tashmë e mbyllur dhe Varreza e Tufinës, e cila po ecën drejt ezaurimit të plotë të hapësirave.
Çdo vit, qytetit tonë i duhet të përballojë kërkesat për rreth 3000 varrime, gjë që do të thotë se kërkimi për truall të ri, për ti plotësuar këto nevoja të familjeve të Tiranës, presupozon gjetjen e përvitshme të mbi 15000 metrave katrorë sipërfaqe, ku përveç varrit përfshihen edhe shërbimet mbështetëse, si rrugët ndërmjetëse, pemët, gjelbërimi dekorativ etj.
Bashkia nuk mund ta mbështesë plotësimin e kësaj nevoje në rritje, vetëm duke kërkuar zgjerim të sipërfaqeve të reja për varre, thjesht sepse kjo është e pamundur fizikisht dhe financiarisht. Për arsyet që përmenda, të cilët janë të shtresuara dhe të akumuluara tashmë në vite, ky dinjitet është i cenuar dhe nën kërcënim. Për mungesa hapësirash, varret po prekin gjithnjë e më shumë shërbimet mbështetëse të varrezave, si rrugët ndërmjetëse etj. Qytetarëve, për të vizituar të afërmit e tyre që nuk jetojnë më, u duhet të shkelin mbi varret e të tjerëve, gjë që nuk është pjesë as e moralit qytetar dhe as e besimit fetar.
Nga presioni i papërballueshëm për hapësira, varre po hapen në vende të papërshtatshme, si vende me shkallë të lartë erozioni buzë përroit të Tufinës, në vende grumbullimi mbeturinash, si dhe në territore të cilat në planin urbanistik të qytetit nuk janë të parashikuara si vende për varrim. Përveç se cenojnë rëndë moralin qytetar dhe ligjin, këto praktika janë në shkelje të drejtpërdrejtë edhe të normave fetare. Ja seç thuhet për shembull në ligjin islam për kriteret e varrimit:
Neni 628: Nuk lejohet varrimi i një të vdekuri mysliman në një vend të papërshtatshëm, të padenjë, siç mund të jetë vendgrumbullimi i mbeturinave.
Neni 629: Nuk lejohet që të kryhet varrimi në toka të uzurpuara dhe as në toka të cilat nuk janë të parashikuara për varreza.
Nisur nga kjo, ne propozojmë nisjen e një reforme thelbësore dhe të qëndrueshme për të mundësuar administrimin e një procesi dinjitoz të varrimit, si pjesë e respektit ndaj qytetarëve dhe respektimit të besimit të tyre fetar.
Pjesë e kësaj reforme është ndërtimi i varrezave murale, një realitet tashmë i konsoliduar prej vitesh në kryeqytetet e Bashkimit Europian. Bëhet fjalë për zhvendosje të varreve të vjetra dhe shumë të vjetra në sistem vertikal varrimi të tipit mural, mjaft më dinjitoz se gjendja tashmë e degraduar dhe e shpërfillur e këtyre varreve. Si fillim synojmë ta fillojmë me zhvendosjen e varreve mbi 40 vite të vjetra dhe, pa dyshim, aty ku ekziston konsensusi edhe për varre të tjera. Kështu, sipas statistikave të shërbimit funeral të Bashkisë, përllogariten përafërsisht rreth 5300 varre, të zhvendosura në Tufinë, nga ish- varreza e Bamit në vitin 1964. Po kështu, rreth 11 parcela në të dy varrezat janë varre të vjetra e shumë të vjetra me të porsalindur. Vetëm në intervalin 1964-1980 janë varrosur përafërsisht 15000 banorë. Shqyrtimi selektiv dhe i kujdesshëm i këtyre rasteve dhe kalimi i tyre në sistemin mural, në një mënyrë shumë dinjitoze, do të mundësonte çlirimin e sipërfaqeve të konsiderueshme nga varrezat aktuale, të cilat nga bllokimi i plotë do të mund të funksiononin edhe për 10 vitet e ardhshme. Ajo që është më thelbësore të theksohet, është se të gjithë të larguarit nga jeta do të vazhdojnë si më parë të varrosen në tokë dhe se do të respektohet në çdo rast koha shumëvjeçare e tretjes së trupit të të ndjerit, por kjo do të bëhet në hapësira dinjitoze, me të gjithë parametrat ekologjikë, sanitarë dhe infrastrukturorë të duhur. Mbas dhjetëra vitesh, sipas akteve normative të paracaktuara dhe për të cilat Bashkia është duke punuar, të ndjerët do të zhvendosen sipas të gjitha kritereve në sistem tjetër varri, ashtu siç ndodh edhe në vende të tjera të zhvilluara, duke ruajtur dhe rifaktorizuar identitetin e të larguarit nga jeta dhe garantuar respektin ndaj tij, si dhe nderimet në çdo kohë nga familjarët.
Në këndvështrimin tim nuk ka asnjë ndalesë fetare në këtë drejtim. Në fenë kristiane nuk ka ndalesa në këtë drejtim. Në fenë islame gjithashtu nuk arrij të shoh pengesa, madje në ligjin islam kjo është e artikuluar mjaft qartë në nenin 630, mbi varrimet e në këtë ligj thuhet: Nuk lejohet të kryhet zhvarrosja, për ta ripërdorur një varr për një varrim tjetër, nëse nuk garantohet se varri është shumë i vjetër dhe që trupi i mëparshëm është plotësisht i tretur.
Pikërisht, reforma jonë ecën mbi të njëjtat parime dhe synon që të fillojë zbatimin e sistemit të ri të varrimit me varret e vjetra dhe shumë të vjetra. Kjo do të mundësojë çlirimin e sipërfaqeve të konsiderueshme, të cilat Bashkia do tua vërë në dispozicion qytetarëve të Tiranës

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›