Bruceloza rrezikon fshatin, 6 banorë shtrohen në spital

Djali i familjes, Luan Velçani, dje në spital
BERAT/ Pacienti i shtruar me fëmijët: Është prekur gjithë Bistrovica.
Bruceloza rrezikon një fshat të tërë në Urën Vajgurore. Një banor i shtruar në spitalin e Beratit u shpreh se 70 familje të fshatit të tij, Bistrovicë, janë të rrezikuara.
Të sëmurët e parë janë shtruar në spital, ndërkohë që një pacient është nisur me urgjencë drejt Tiranës për shkak të gjendjes së rëndë. Shkëlqim Velçani, 47 vjeç nga Bistrovica, shprehet se është prekur e gjithë familja e tij nga bruceloza. Djali im Luan Velçani, 22 vjeç, ndodhet i shtruar në spital. Djali tjetër M. Velçani, 12 vjeç, po kurohet në shtëpi. Motra ime Fatime Hoxha, 50 vjeçe, është nisur me urgjencë në Tiranë pas gjendjes së rënduar. Edhe kunati im, Hasan Hoxha 56 vjeç është dërguar në Tiranë. Në spital është edhe një 17-vjeçar nga fshati ngjitur Osmënzezë, Florian Mehmeti, u shpreh 47-vjeçari. Ai paralajmëroi se i gjithë fshati rrezikohej nga kjo sëmundje, ndërkohë që autoritetet përkatëse nuk kishin kryer asnjë veprim për të parandaluar epideminë. Ne si familje jemi prekur plotësisht dhe po kurohemi në spital. Jemi të shqetësuar se Bashkia e Urës Vajgurore nuk ka marrë asnjë masë për të parandaluar këtë sëmundje të rrezikshme. Bashkia jonë ka një veteriner, i cili paguhet për këtë punë. Madje shteti ka subvencionuar një fond të veçantë për gjurmimin e brucelozës, për vaksinimin e bagëtive. Por këtë veprim

Shkëlqim Velçani, i shtruar me brucelozë në Spitalin e Beratit, duke folur për gazetën Panorama
Bashkia nuk e ka bërë dhe veterineri as nuk e merr mundimin të vijë në fshatin tonë, ndonëse të gjitha familjet janë të rrezikuara, u shpreh Velçani.
Sipas tij, gjendja në fshat është alarmante pasi edhe bagëtitë kullosin të gjitha së bashku, duke transmetuar edhe sëmundjen tek njerëzit. Banori hedh dyshimin se sëmundja ka ardhur nga gjedhë që hynë nga Tepelena që janë blerë dhe nuk janë kontrolluar kur janë sjellë në fshat. Qumështi i këtyre bagëtive është i prekur nga bruceloza. Edhe djathi e nënproduktet e tjera të qumështit, si gjiza dhe gjalpi që tregtohen, rrezikojnë banorët. Ata po e blejnë sëmundjen, u shpreh 47-vjeçari dje në spitalin e Beratit.
Sipas tij, në fshat ka edhe persona të tjerë të prekur, por ende nuk i janë drejtuar spitalit për të kryer analizat përkatëse. Ndonëse rastet e sëmundjes së brucelozës në Berat kanë qenë të përvitshme, spitali nuk ka ilaçe për trajtimin e pacientëve. Velçani u shpreh se ai dhe familjarët e tij janë detyruar ti marrin në farmaci të gjitha medikamentet që u nevojiten për trajtimin e kësaj sëmundjeje, që transmetohet nga bagëtitë e prekura. Unë jam i sigurt se i gjithë fshati është prekur nga bruceloza, tha 47-vjeçari.
MJEKU
Mjeku specialist në Berat, Petraq Ceca, u shpreh se një nga pacientët ishte në gjendje më të rëndë, ndërsa gjendja e të tjerëve ishte normalizuar. Pacientja Fatime Hoxha ka ardhur në gjendje të rëndë, pasi sëmundja i kishte prekur shtyllën kurrizore dhe disa pjesë të vertebrave. E nisëm për në Tiranë për një mjekim më të specializuar. Aktualisht, gjendja e të shtruarve në spitalin tonë nuk është e rëndë, u shpreh mjeku Ceca.
BERAT/ DILAVER XHELILI