Ligji i ri penalizon 4500 mësues

Xhaferr Dobrusha
Konfederata dhe Sindikata e Pavarur e Arsimit kundërshtojnë projektligjin për sistemin parauniversitar.
Sipas tyre, janë rreth 4500 mësues me arsim të mesëm, të cilët rrezikojnë vendin e punës. Ata paraqitën dje një paketë propozimesh përpara Komisionit të Medias, ku prej disa ditësh po diskutohet projektligji me grupet e interesit. Sipas kreut të konfederatës së arsimit, duhet të rishikohen dy nene të cilat cenojnë punonjësit e arsimit. Neni i parë sipas tij është neni 57. Sipas tij, mësuesi në institucionin arsimor duhet të ketë fituar diplomën universitare të ciklit të parë të studimeve universitare Bachelor, për mësuesit e arsimit parashkollor dhe diplomë të ciklit të dytë (Master) për mësuesit e arsimit fillor, mësuesit e arsimit të mesëm të ulët dhe mësuesit e gjimnazit. Janë rreth 4500 mësues, të cilët nuk kanë arsimin e lartë. Kanë përfunduar kryesisht shkolla të mesme pedagogjike. Ky kontingjent është aktualisht në arsim dhe ka kontratë të përhershme. Dispozita përkatëse e ligjit i penalizon, tha Dobrusha. Neni 61 është i dyti që kundërshtohet.
Në të thuhet se një mësues largohet nga puna kur rezultatet e tij janë të ulëta në krahasim me kolegët e tjerë. Sipas kreut të konfederatës së arsimit, Xhaferr Dobrusha, kjo është një goditje ndaj punonjësve të arsimit. Ai tha se formulimi i nenit për shkarkimin e mësuesit nga drejtori, nëse klasa e tij nuk arrin rezultate të mira në mësime në raport me kolegët e tjerë, lë vend për abuzime. Duhet të formulohet që për rezultate të dobëta në punë, mungesë profesionalizmi në detyrën e mësimdhënies, të provuara nga Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar. Pse duhet kjo? Sepse ka një inspektorat që e provon cilësinë. Nëse e vëmë ne në ligj kështu siç është, ne jemi të shqetësuar, sepse do të thotë që mësuesi në momente të caktuara mund të jetë pre e një qëndrimi subjektiv e një drejtori të caktuar, prish karakterin e mësuesit, se më detyron të ngre notat kot, tha Dobrusha. Opozita rishprehu qëndrimin e tij dhe kërkoi sqarime për mënyrën si do të financohet arsimi privat në një kohë kur ligji nuk ka faturë financiare. Në këtë projektligj nuk i është kushtuar rëndësi cilësisë, që sot është problemi më i madh në arsim. Kemi një ligj pa faturë financiare, që nga ana tjetër synon të zgjerohet edhe te privatët. Kjo është e patolerueshme, tha kryetarja e Komisionit të Medias, deputetja e majtë Valentina Leskaj. Sipas projektligjit, Ministria mund të mbështetë financiarisht institucionet arsimore private vendëse, të cilat janë jofitimprurëse dhe kanë të paktën pesë vjet që funksionojnë si institucione private. Shkollat private e përdorin mbështetjen financiare vetëm për nxënësit e shkëlqyer në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Neni 57
Mësuesi në institucionin arsimor duhet të ketë fituar diplomën e mëposhtme në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të;Mësuesi i arsimit parashkollor: diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve universitare Bachelor;
Mësuesi i arsimit fillor, mësuesi i arsimit të mesëm të ulët dhe mësuesi i gjimnazit: diplomë e ciklit të dytë të studimeve universitare.
ZIRINA LLAMBRO