“Dobiçët” e Ruzhdijes dhe “bijtë” e Nafijes
Besojë se të pakët janë ata individë që nuk e dinë kuptimin e shprehjes popullore: “Ai ta lë dobiçin në derë”. Bëhet fjalë për një kategori personash me vese, që çajnë në jetë me poshtërsi dhe amoralitet, duke “hedhur gurin e duke fshehur dorën”, në mënyrë që të manipulojnë autorësinë e vërtetë të këtyre veprimeve në sytë e opinionit publik. Natyrisht ato nuk janë “një djall i padukshëm”, por filozofia e trajtimit të këtyre rasteve është ajo që këshillon Tomas Bentlej, sipas të cilit: “Asnjeri nuk shkatërrohet përveçse nga vetvetja”. Zakonisht viktima të këtyre poshtësive bien njerëzit e ndershëm e të drejtë, kauza e të cilëve është e lidhur me interesin e përgjithshëm dhe jo atë individual. Ndonëse përfitimet nga veprime të tilla janë aftashkurtëra, ato preferohen sot jo vetëm nga individë të caktuar por edhe nga grupime të ndryshme social-politike, të cilat vuajnë nga sindroma e së shkuarës moniste, veçanërisht atje ku institucionet demokratike dhe shteti ligjor janë në konsolidim e sipër, siç është dhe rasti i Shqipërisë në vitet e tranzicionit.
I ndjeri Pjetër Arbnori, duke artikuluar shprehjen: “Këta nuk janë socialista, por specialista”, në njëfarë mënyre ka evidentuar një grupim të caktuar politikanësh, të cilët prej kaq vitesh veprojnë në përbërje të Partisë Socialiste, me metoda tmerrësisht të pandershme dhe të padenja për të marrë pushtetin. Në mënyrë të veçantë kjo lukuni enveriste e ka fazën e tërbimit në momente fushatash zgjedhore. Megjithëse me kalimin e viteve është bërë progres në reformën zgjedhore, përsëri “specialistat” e kuq gjejnë hapësira për të kryer veprime amorale të tipit: “ta lë dobiçin në derë”. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, z. Astrit Patozi, nëpërmjet sqarimeve publike, që bëri para dy ditësh lidhur me të vërtetën e votimeve në qendrën zgjedhore Nr. 4753, e cila i përket fshatit Ruzhdie në qarkun e Fierit, na tregoi përveç të tjerash, për një rast të ri ku Partia Socialiste ka luajtuar kartën e “lënies së doçit të derë”, duke prishur zgjedhjet në atë qendër votimi, e cila i kushtoi Partisë Demokratike me humbjen e një deputeti, mjaft të rëndësishëm për quoruum-in e mazhorancës.
Faktet tregojnë se, edhe për shkak të së kaluarës si një fshat “ballistësh”, komuna Ruzhdie gjithnjë ka votuar djathtas. Epërsia Partisë Demokratike prej gati 400 vota më tepër në raport me Partinë Socialiste ka qenë konstante në të gjithë proceset zgjedhore që janë zhvilluar në këtë komunë. Edhe në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, e njëjta diferencë ka qenë, megjithatë Kolegji Zgjedhor vendosi në disfavor të Koalicionit të Ndryshimit, duke i deklaruar të pavlefshme të 425 votat e gjetura në kuti. Shkaku ishte se, pasi nisi votimi, tre komisionerët socialist apo “specialistë” u larguan nga qendra e tyre e votimit, duke marrë me vete edhe njërën nga vulat. Pra braktisën detyrën, siç bënë në zgjedhjet e 26 majit 1996, në kushtet kur e kishin të qartë si drita e diellit humbjen që i priste, qysh nga viti ‘92.
Ja si e tregon ngjarjen për një të përditshme, kryetari i Partisë Demokratike të këtij fshati, Bujar Karaj: “Votimi filloi normalisht rreth orës 07.30, pasi pritëm një komisioner, i cili kishte qënë i sëmurë. Nuk kishin probleme me materialet zgjedhore, kurse komisionerët midis të majtës dhe të djathtës ishin 4 me 3, ku PD kishte kryetarin, kurse PS, sekretarin. Tek komisionerët e PS-së, përveç sekretarit, 2 të tjerët nuk ishin fare banorë të komunës tonë, megjithatë ne nuk patëm ndonjë kundërshtim për këtë fakt, pasi na interesonte procesi dhe fitoren e kishin të garantuar. Mirëpo, sa filloi votimi, dy anëtarët e ardhur nisën të shkaktojnë konflikte në qendër. Një motiv ishte, për shembull, për një çift të moshuarish të cilët kërkuan ndihmë se nuk votonin dot vetë, dhe dy komisionerët e PS-së këmbëngulnin që ata të votonin vetë. Patëm debate për këtë pikë, por nuk u kalua në fyerje apo konfrontime të ashpra, dhe në asnjë moment nuk është kërkuar ndihmë nga policia për të vendosur qetësi apo rend, sepse nuk ishte e nevojshme. Rreth orës 10, me komisionerët e PS-së pati një tjetër debat me fjalë, për shkak se ata përdornin celularët, që faktikisht ishin jashtë rregullores së KQZ. Në orën 10.30 na kërkuan leje për një pushim, dhe me të dalë jashtë mësuam se i kishin marrë me makina disa njerëz të armatosur që shoqëronin kandidatët për deputet të Partisë Socialiste. Votimi u bllokua për 1 orë, por nga kërkesat e banorëve për të votuar dhe me vendim të KZAZ në Patos, u rihap votimi, megjithëse tanimë pa vulën të cilën e kishte marrë kur ishte larguar sekretari socialist i KQV-së...”
Dikush mund të thotë se, pse nuk sjell dëshminë e kreut të PS-së të këtij fshati, por vetëm të kreut të PD-së?! E bëra një gjë të tillë jo për të treguar se jam me PD-në, por se jam me drejtësinë. Faktikisht organet e drejtësisë po gjykojnë komisionerët e PS-së, për dobiçllëkun e tyre lidhur me njollosjen e procesit zgjedhor. Në këto kushte është e pakuptimtë çdo kërkesë që vjen nga kreu i PS-së apo mbështetësit e tij mediatikë për “hapjen e kutisë së Ruzhdijes”. Shqiptarët dhe ndërkombëtarët nuk kanë vetëm vesh për të dëgjuar, por edhe sy për të parë, komisionerët “dobiçë” të Partisë Socialiste të Ruzhdijes të urdhëruar nga “bijtë” e Nafijes të prishin gjithnjë zgjedhjet atje ku e kanë të sigurtë humbjen. Dhe siç dihet, Nafija përfaqëson të gjithë ato social-puniste të devotshme, që tërë jetën e kanë tundur “dybekun” për Enverin apo të gjithë enveristat e këtij vendi, qysh nga krijimi i PKSH-së e deri më sot. Në rastin konkret qëllimi i tyre është që të përdorin çdo lloj makinacioni për të zhbërë opinionin e ndërkombëtarëve se “zgjedhjet e 28 qershorit 2009 kanë qënë zgjedhjet më të mira që Shqipëria kë bërë ndonjëherë vitet e tranzicionit”, me qëllim që të krijohet ideja, që edhe këto zgjedhje kanë qenë të manipuluara nga qeveria e Partisë Demokratike.
“Bijtë” e Nafijes dhe “dobiçët” e Ruzhdijes janë sot njerëzit më ngatërrestarë e problematikë të këtij vendi në vitet e demokracisë. Dhe ç’është më e ulëta; me poshtërsitë e tyre përpiqen të bëjnë fajtorë të tjerët, që punojnë me përkushtim të veçant për kosolidimin e demokracisë dhe realizimin tërësor të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Prishja e zgjedhjeve të 26 majit 1996, duke tërhequr të gjithë komisionerët socialistë nga qëndrat e votimit një orë para se sa të mbyllej tërë procesi, në kulimin e vlerësimit ndërkombëtar për suksesin suprizë të reformave demokratike në vendin tonë; rrebelimi komunist i 1997-ës, në bashkëpunim me ish Komitetet e Shpëtimit Kombvëtar dhe ish Sigurimin e Shtetit, në prag të çeljes së negociatave për Marrëvshjen e Asociimit me Bashkimin Europian; alibia edviniste e “vjedhjes së orës së Bushit” gjatë takimit të tij me banorë të Fushë Krujës, në prag të njohjes së pavarësisë së Kosovës; shpërthimi i Gërdecit në prag të marrjes së ftesës për anëtarësimin në NATO; protesat për “hapjen e kutive” në prag të liberalizimit të vizave dhe marrjes së statusit të vendit kandidat janë disa nga poshtërsitë më të mëdha që “dobiçët” e Ruzhijes dhe “bijtë” e Nafijes i kanë bërë këtij populli, duke abuzuar e spekulluar me lirinë dhe demokracinë. Në fakt, veprime të tilla, më shumë se të pahijshme janë mëkatare. Bernard Baruh thotë: “ Bekimi më i madh i Demokracisë është liria. Por në analizë të fundit, liria jonë e vetme është liria për të disiplinuar veten tonë”; gjë që është e vështirë të ndodh me “dobiçët” e Ruzhdijes dhe “bijtë” e Nafijes…