Inkoherenca skandaloze antieuropianiste e EdRamës
Autobiografia më e qenësishme e Edvinit është më e thukëta e mundshme: Nuk kalon dot as gishtat e një dore: Edi Rama nuk është politikan! Autori i kësaj minibiografie: Edi Rama!
është një togfjalësh të cilit nuk i zihet besë. Sepse ai ka guxuar ta quajë veten edhe dhjetorist (!); vetëm se nxori publikisht, pa u ftuar madje as në podium, të njëmijë e një të zezat për Enver Hoxhën dhe për lakenjtë e tij panegjirikë e hipokritë me damkë të cilët, sido që injorantë gjer në komicitet, na ishin bërë anëtarë të Byrosë Politike. Kishin vdekur ose ishin çuar drejt vdekjes, ata që e vinin nën hije: Qemal Stafa, Nako Spiru, Llazar Fundo, Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi . . . dhe kishin mbetur Lenkat e Palët e Muhot e kallam kusuri, që ishin të gatshëm të vrisnin edhe babë e nënë e djalin e vetëm, për t’ia bërë kurban satrapit, sikundër deshte të vriste babën gj. H. Xh.-o, i cili për pak sa s’e vrau të atin, që ishte reaksionar! Por stalinisti Enver Hoxha édhe këta parricidë në potencë i vuri nën satër! A nuk e vrau B. Omarin dhe i tha së motrës se burrin ia kishte vrarë Koçi Xoxe?! Ky i fundit vërtet ishte kriminel, por në gjyqin e tij tha një fjalë të paharrueshme: asnjë krim s’kishte bërë, pa marrë viston e E. Hoxhës!
Pra, nga shumë persona që e njohin EdRamën më mirë nga ç’njeh ai vetveten, është thënë se njeriu i shkarravinave vizatimore të revistave të Sigurimit, në të cilat i paraqiste “diversantët” si bisha të paleolitit, kërkonte të hynte në lëvizjen dhjetoriste si Kali i Trojës, për ta bërë PD-në më keq nga ç’e bëri PS-në: kashtë e koqe!
Shumë historianë të mëdhenj të antikomunizmit janë shprehur se mjaft gjysmëdemokratë janë peshkuar me sukses prej fanatikëve komunistë ultramilionerë, - që të marrin gjak në vetull -. Janë bërë neofitë për “arsye” interesash, - dhe vetëm interesash vetjake, - që t’i shërbejnë komunizmit. Historia e popullit tonë fatkeq e ka para syve këtë peizazh të shëmtuar. Dhe mund të renditeshin e të emërtoheshin të gjithë, pa përjashtim, një për një, në qoftë se kjo do të ishte tema jonë.
Këtu na duhet të përdorim një fjalë, (qoftë edhe nga halli), që do ta çorodiste lexuesin, për shkak se fjalorët tanë, por edhe të huaj, e japin përkufizimin për të përcaktuar ata që ndërrojnë fenë. Por unë e kam marrë sipas fjalorit të Kolombos (Paolo Colombo): “Proselít është ai që sapo ka ndërruar fenë ose një doktrinë apo édhe partinë e mëparshme”. Për fat të keq ne kemi shumë proselitë interasxhinj në vendin tonë. Kuptohet se janë persona pa dinjitet. Paçin hijen e tyre. Veçse, nëse janë gazetarë apo publicistë, janë tepër të dëmshëm. Sepse, nuk janë vënë vetëm në shërbim të europianizmit fiktiv të EdRamës, por edhe të atyre enveristëve të fuqishëm në prapaskenë, ndaj të cilëve arrivisti i sëmurë që sapo e përmendëm për fiktivitetin e tij të gjithëmbarshëm, mund të quhet i kapur. Ka medie shumë të pasuruara që nuk e pasqyrojnë shtypin e “55-s” në mëngjes. Preferojnë të na shfaqin herë pas here broçkullat e Nexhmije Hoxhës. Kjo është demokratike, sipas tyre?
është fatkeqësia që ne, shjqiptarët, nuk kemi pasur një periudhë 34-vjeçare destalinizimi në vendin tonë, si e gjithë ish-lindja komuniste, një kohë gjatë së cilës pati një frymëmarrje lirie relative në ato vende, kur thuajse u zhdukën dënimet politike, ndërsa në Shqipëri ekzekutoheshin në litar poetë si Havzi Nela, në vitin 1989! Dhe ekzekutorët ishin deputetë të PS-së, që më vonë duhej të bëheshin “apolitikë”, që të kapnin postin e kreut të Gjykatës së Lartë! Apolitikë nën thonjëza, si “apolitiku” Edvin! Në këto kushte nuk ka nevojë të një analizë të thellë për të kuptuar se ky komunizëm mizor, që hoqi dorë përreth nesh nga barbaria komuniste për një periudhë sa një e treta e shekullit, ç’forca herkuliane kërkonte nga ne, shqiptarët fatkëqij, që të shfarosej! Askush nuk mund të mohojë se emblemat e komunizmit u shporrën nën sloganin “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”, kur Ramiz Alia me falangat e tij, kërkonin të vazhdonin indoktrinimin e të leshtëve se s’jemi as në Lindje, as në Perëndim. Jo! Ne ishim për Perëndimin!
Por a janë perëndimorë socialistët e sotëm, që hë për hë drejtohen nga EdRama?
Ky ka guximin që të thotë se auroatlantikët janë me të! Domethënë që edhe ai vetë nuk bie ndesh me aspiratat e sinqerta të mbarë popullit shqiptar, se nuk është me Enver Hoxhën, as me Ramiz Alinë, kur buçiste nëpër sheshe se ishte i tëri me Europën. Por mund të renditen 100 fakte të tjera se ai nuk thotë të vërtetën, madje mashtron. Doris Paku ia ka thënë shkoqur. Por edhe kryetari i AP-së së KE-së, ia ka thënë, paçka se me finesë, atë që ia ka thënë Doris Paku. Kjo pa asnjë eufemizëm, ashtu si mund të kuptojë një njeri që ka disaprovimin e të gjithë perëndimorëve e më larg dhe thotë se këta e kuptojnë gjuhën e tij dhe veprën antishqiptare të tij të bojkoteve dhe të prirjeve për ta çuar vendin në kaos. Ai, madje, ka vënë socialistët e tij, përfshirë edhe proselitët, që ta quajnë presidentin e Asamblesë Parlamentare europiane me përkeqësuesin “ai turku!”.
Por inkoherencat e Ramës s’kanë të mbaruar. Numri dy në partinë e tij, kryetari i Asamblesë në krye të PS-së, Gramoz Ruçi, ka thënë se perëndimorët të shohin punën e tyre. Pra, të mos na ngatërrohen nëpër këmbë! Që ai ka pasur parasysh mendimin e kryetarit të partisë së tij, kjo provohet se s’ka shumë ditë që u zgjodh edhe kryetar i grupit parlamentar të PS-së, me firmën e EdRamës, siç bëhet gjithçka në atë parti, duke vënë edhe firmat për secilin nga të 20.000 komisionerët, që na u shpallën “tradhtarë”, pa nxjerrë asnjë provë kundër ndonjërit, të paktën. Provat do t’i gjëjë në hapjen e kutive të votimit! është një paradoks: “Më jep ti faktet, që unë të të akuzoj si tradhtar”!
Por inkoherenca qëndron në atë se ER-ja e ka bërë, tashmë, të plotfuqishëm, bash atë që është vetëdeklaruar si antiperëndimor! Properëndimore në të majtën, tani është ballëhapur ndër partitë socialiste vetëm LSI-ja e Ilir Metës, që e ka të shkruar në flamurin e saj, fjalën frymëzuese Integrim! Pra, s’ka asgjë të panatyrshme koalicioni i PD-së me LSI-në, në aspiratat euroatlantike të të dy forcave politike, që kanë në programin e tyre frymëzimin për t’u integruar në BE, jo për t’u thënë titullarëve të saj të nderuar që të shohin punën e tyre! Ky bunkerizim ndaj aleatëve tanë të natyrshëm, që na bën të shtojmë nderimin ndaj protagonistëve të mëdhenj të Bashkimit Europian, A. De Gasperit, K. Adenauerit dhe Shumanit, na çon në reminishenca të zymta të diktaturës së E. Hoxhës, që e vetizoloi vendin tonë.
Meqë përdorëm përkeqësuesin “ai turku”, duhet thënë se edhe ato festat e turpshme në Pezë, për të ngritur sërish kultin e individit të Enver Hoxhës, kanë si nismëtar Edvin Ramën, që paska harruar se në fillim të proceseve demokratike e kishte pagëzuar diktatorin shqiptar me të gjitha veset, mizoritë dhe aktet kriminele të kësaj bote! ç’do t’i përgjigjej “atij turkut”, që është titullar në AP-në e KE-së, se jo vetëm që nuk janë dënuar krimet e komunizmit në Shqipëri, - sipas rezolutës së AP-së, - por komunistë të vetëshpallur, përfaqësojnë grupin parlamentar të tij në Parlament, si për ta përnjollosur atë institucion, që do të duhej të ishte simboli i ligjshëm i demokracisë në vendin tonë.
Të gjitha prononcimet ndërkombëtare , pas mbledhjes në presidencë, janë drejtuar kundër Ramës, paçka se kalemxhinjtë e këtij gjejnë ndonjë frazë të ndërmjetme për të shprehur të kundërtën, në shkrimet dhe në mediet e tyre. Në shtyp, tash së fundi, po shohim të paraqitet kreu i Partive Popullore Europiane në BE, Jozef Daule. Për vendin tonë ka thënë: “Dalja nga parlamenti e opozitës do të ishte një kosto tepër e lartë në kurriz të popullit shqiptar, i cili nuk ka përse të presë. Demokracia nuk është lojë duke u futur dhe duke dalë nga parlamenti. Demokracia nuk është në një parlament me karrige bosh! Ngërçi politik duhet t’i përkasë së kaluarës. Shqipëria duhet ta zbatojë demokracinë si vendet e tjera të BE-së”.
Hapja e kutive është një ngërç në dobi të interesave vetjake të Ramës. Na është bërë si çështja Dreifys e Emil Zolasë! është një punë që nuk mund ta bëjë as Berisha, as Edi Rama. është muhabet ligjesh. Domethënë kërkohet e pamundura, që të vihet vendi në pështjellim! Kjo nuk i bëhet vonë EdRamës; atij i duhet të mos humbasë postin e kryetarit të PS-së të cilin ligjërisht e ka humbur. Domethënë nuk i bëhet vonë as për ligjet!
Prandaj inkoherenca dhe budallallëqet politike i janë bërë natyrë e dytë. Këto po i vihen në dukje, sipas shprehjeve të tij të matura, edhe nga zavendëskryetari i Delegacionit për Europën Juglindore, Viktor Bostinaru. Të dy, ai dhe Jozef Daule, po i vënë në dukje të mos rrezikojë interesat e Shqipërisë.
EdRama është katandisur nga ata persona që kanë nxjerrë në ankand fatet e popullit Shqiptar, sa kujton se e ka të lehtë të bëjë gjurullditë rrugaçërore, që të vërë kushte pastaj! Por kanë fluruar ato mundësitë “e arta” të 1997-s, që komunistët ta bëjnë sërish shkrumb e hi Shqipërinë. Nëse do të veprojë ligji, atë që bëri G. Ruçi në 2 prill të 1991-shit me anë të terrorit komunist, do ta bëjnë ligjet në fuqi, në vendin tonë të fuqishëm të Natos. çdo veprim antikushtetues do të përballet me ligjin. Dhe ato manifestimet e Edit duhet ta kenë vath në vesh atë të 8 Dhjetorit, që ishte të paktën 15-20 herë më i fuqishëm se ato dalje rrugësh, me të cilat po na kërcënon tani EdRama.
Vërtet po bën veprime irracionale. Vërtet s’po mendon fare për interesat shqiptare. Por ikja e fiqirit dhe inkoherencat e tij nuk duhet ta çojnë në atë zgrip të honit, sa të niset për lesh dhe të kthehet i rruar, tullë!