E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis puna për bazën ligjore që do mundësojë kryerjen e veprimeve bankare përmes celularit

Kryeministri Berisha ngarkoi ngritjen e një grupi pune i cili do të fillojë menjëherë nga puna për të hartuar një plan veprimi në këtë drejtim


Kryeministri Berisha thirri sot pranë Këshillit të Ministrave një mbledhje të posaçme për të diskutuar mbi M-Banking (Mobile-Banking), për mundësinë e përdorimit të celularëve nga qytetarët për veprime dhe transferime bankare. Në këtë mbledhje merrnin pjesë ministri i Financave z. Ridvan Bode, ministri i Shtetit z. Genc Pollo, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Adrian Fullani, si dhe ekspertë e drejtues nga Ministria e Financave, Këshilli i Ministrave, Enti Rregullator i Telekomunikacionit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, etj. Kryeministri Berisha theksoi se përdorimi gjerësisht i celularëve nga qytetarët shqiptarë për veprime bankare është një standard që duhet të arrihet me shpejtësi, duke sjellë kështu një zhvillim të madh në përdorimin e internetit, si dhe duke qenë një aspekt që lehtëson ndjeshëm dhe ka leverdi të madhe për qytetarët shqiptarë. Kështu, lidhur me këtë aspekt, Kryeministri Berisha solli shembujt e disa vendeve në të cilat brenda një kohe të shkurtër dhe përmes implementimit të teknologjisë, kjo praktikë ishte përqafuar nga miliona qytetarë dhe ka ndikuar ndjeshëm në cilësinë e tyre të jetesës. Ky është një shërbim i rëndësishëm, nënvizoi Kryeministri, të cilin shqiptarët duhet ta kenë sa më shpejtë dhe për këtë qeveria do të hartojë një politikë stimuluese dhe një plan eficent veprimi, në mënyrë që sa më shpejt të kapen nivele të tilla të larta të përdorimit të internetit, nisur edhe nga përdorimi i gjerë i celularëve në Shqipëri. Kryeministri Berisha ngarkoi ngritjen e një grupi pune, i cili do të fillojë menjëherë nga puna për të hartuar një plan veprimi në këtë drejtim.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›