Platini: Uesli Shnajder duhet të ishte finalist për “Topin e Artë”
Mishel Platini i shtohet zërave që kanë shprehur pakënaqësi ose çudi për lënien jashtë të Uesli Shnajder nga lista e tre finalistëve për “Topin e Artë 2010”. Gjithsesi, presidenti i UEFA-s i ka ofruar solidaritet Interit, duke mbështetur zikaltërit në Botërorin e klubeve. Përjashtimi i Shnajder nga podiumi – ku ndodhen tre yjet e Barçës, Ksavi, Iniesta e Mesi – ka nxitur një valë polemikash, ndërsa Platini beson se holandezi duhej të ishte në garë. “Nëse do të ishte në dorën time, renditja finale do të ishte: Ksavi, pastaj Shnajder, që vetëm për një gol nuk i fitoi të gjithë trofetë, dhe Iniesta”, - deklaroi legjenda e futbollit francez. “Është e padrejtë që lojtari më i rëndësishëm në sukseset e Interit nuk ndodhet mes tre më të mirëve”. Platini foli edhe për Botërorin e klubeve, ku u shpreh se, “duke qenë presidenti i UEFA-s, më duhet të jem tifoz me Interin. Prej momentit kur jam zgjedhur në këtë detyrë, trofeu është fituar gjithmonë nga ekipe europiane. Mjafton t’ju kujtoj radhën: Milan, Mançester Junajtid dhe Barcelona”.