E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në sytë e MonaLizës ka numradhe shkronja

ANGLI- Mona Liza vepra e famshme e Leonardo Da Vinçit rikthehet edhe njëherë në qendër të vëmendjes. Ekspertët me ndihmën e teknikës së zmadhimit në bebëzat e syrit të Mona Lizës, kanë zbuluar se brenda tyre ka shkronja dhe numra. Sipas tyre, numrat dhe shkronjat që mezi shihen paraqesin Kodin e vërtetë të Da Vinçit, shkruan “Daily Mail”. Po nga ana tjetër ky zbulim bie ndesh me përmbajtjen e librit të Dan Broënit në të cilin thuhet se piktura e Mona Lizës përmban kode sekrete për Gralin e Shenjtë. 

“Simbolet është e pamundur të shihen me syrin e lirë, por nëse zmadhohet shihet qartë. Në syrin e djathtë duket se është shkruar shkronja L dhe V e cila mund të paraqesë inicialet e artistit, derisa në syrin e majtë po ashtu gjenden simbole të cilat ende nuk janë deshifruar. Me sa duket ato janë shkronjat C dhe E, dhe mund të jetë edhe shkronja B. Në prapavijë mund të shihet numri 72 i cili mund të gjykohet edhe si shkronja L ose numri 2.
Duhet pasur parasysh se piktura është e vjetër gati 500 vjet dhe më nuk është aq e pastër sikur kur është pikturuar. Analizat preliminare dëshmojnë se simbolet nuk janë vendosur gabimisht dhe se artisti i ka pikturuar qëllimisht”, tha Silvano Vicenti, president i Komitetit Nacional Për Trashëgimi Kulturore ekspertët e së cilit zbuluan simbolet. 

Ekspertët po ashtu dëshirojnë të analizojnë edhe kafkën e Da Vinçit për të vërtetuar nëse Mona Liza, e cila është në pronësinë e qeverisë franceze dhe e cila gjendet e ekspozuar në Muzeun e Louvrit, në të vërtetë paraqet autoportretin e feminizuar të vetë artistit.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›