Dobjani: Vlerësojmë procesin e shpërndarjes së kartave, mbështesim edhe shtrëngesat e shpallura nga Ministria e Brendshme
Gjatë një prononcimi për gazetën “55”, Avokati i Popullit Ermir Dobjani kritikon keqkuptimet që lindën pas përdorimit të termit “dublime të fshehura”. Ai thotë se ato janë thjesht pasaktësi të regjistrit zgjedhor, të cilat kanë të bëjnë me praninë e dyfishtë të disave, por me mbiemra të ndryshëm, çka e bën të vështirë identifikimin e këtyre rasteve
Procesi i shpërndarjes së kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike ka hyrë në një moment shumë të rëndësishëm, ku tashmë insitucionet duhet të llogarisin mirë edhe afatet e procesit, në mënyrë që gjithçka të përfundojë brenda afatit të duhur, të paktën për ata shtetas të cilët ende nuk janë pajisur me pasaporta udhëtimi për jashtë shtetit dhe që detyroheshin të paraqiteshin para kutive të votimit me çertifikata personale, vërtetësia e të cilave shpeshherë është vënë në pikëpyetje.
Pas paraqitjes së një sërë shqetësimesh, Avokati i Popullit ka patur një takim me zv/ministrin e Brendshëm Ferdinand Poni, ku ka shprehur “vlerësimin e tij pozitiv për angazhimin e Qeverise shqiptare lidhur me pajisjen e shtetasve me karta identiteti dhe pasaporta. Pajisja e te gjithe shtetasve mbi moshen 18 vjeç, me leternjoftime (karta identiteti) është nje nga kushtet per te siguruar zgjedhje te lira e te ndershme ne Shqiperi, per te cilat ne shqiptaret, po aq sa edhe faktori nderkombetar, jemi mjaft te interesuar që te jene te pakontestueshme”. Gjatë një prononcimi për gazetën “55”, avokati i Popullit, Ermir Dobjani tha se kishte patur një inspektim të përbashkët me zv/ministrin e Brendshëm në disa njësi bashkiake të kryeqytetit, ku edhe ishin verifikuar disa probleme, si puna në kapacitet jo të plotë e zyrave, por edhe vonesa në dorëzimin e kartës. I pyetur për përcaktimin “dublime të fshehta” që ai përdori për të karakterizuar pasaktësitë në regjistrin kombëtar të zgjedhësve, ai u shpreh: “Ka pasur një keqkuptim të shprehjes si dhe një komentim që është larg qëllimit me të cilin është përmendur. Termi ‘dublim i fshehur’ është një term teknik e flet për praninë më shumë se një herë të shtetasve në regjistër, për shkak të përdorimit të dy mbiemrave të ndryshëm (përshembull, të vajzave, që ruajnë edhe mbiemrin e vajzërisë, edhe atë të bashkëshortit). Merret vesh se është fjala për gabime që do të korrigjohen, por që assesi s’kanë të bëjnë me ndonjë vullnet okult për t’i toleruar këto dublime”. Edhe një tjetër problem që është shfaqur nga inspektimi i parë mbetet problemi i heqjes së emrave të të vdekurve nga listat zgjedhore, por për këtë çështje ka ende disa dilema ligjore e mbetet për t’u vendosur praktika që do të ndiqet. Gjithashtu mbetet të gjendet edhe një zgjidhje për të semurët, invalidet dhe tepër të moshuarit, që atyre t’u ofrohet mundesia e aplikimit nëpër banesa.
Gjithsesi Avokati i Popullit Ermir Dobjani, në prononcimin e tij inkurajoi qytetarët që të paraqiten pranë zyrave të gjendjeve civile dhe të përmbushin obligimin e tyre për të marrë kartat e identitetit. Zoti Dobjani përkrahu edhe masat restriktive që kanë shpallur autoritetet shtetërore, për ata që nuk do të paraqiten pranë zyrave për marrjen e kartave të identitetit. “Edhe pse ngjan si shkelje e të drejtave të njeriut, ne përkrahim këto masa shtrënguese të përkohshme, deklaroi zoti Dobjani për gazetën “55”, pasi kjo bëhet në mënyrë që të gjithë qytetarëve t’u garantohet një e drejtë kushtetuese më e madhe, ajo e marrjes së kartës së identitetit, pra ajo e regjistrimit dhe e njohjes së tyre nga shteti shqiptar”.