Doçi drejt Kroacisë

Patrik Doçi pritet ta vazhdojë karrierën në Kroaci. Futbollisti kosovar ka dy alternativa nga elita e futbollit kroat, ekipet Karlovac dhe Inter Zapresiç. Ky i pari e kërkonte edhe në kohën sa luante për Sarajevën, por klubi boshnjak nuk e kishte lëshuar.
Mbrojtësi i djathtë do të udhëtojë më 15 janar drejt Kroacisë. Këtë mundësi Doçit ia ka ofruar Esad Qollaku, i cili vite më parë e kishte dërguar në Sarajevë për të luajtur. Ai beson se do të mbetet në njërin nga këto dy klube, pasi ndihet i gatshëm për këto sfida.
“Unë kam pasur bisedime me zyrtarët e Karlovac para një muaji. Dhe tash ata më kanë ftuar që të shkojë në Kroaci. Nuk bëhet fjalë për ndonjë provë, pasi një gjë të tillë nuk e kam pranuar. Andaj, do të mbetem në Kroaci vetëm nëse e nënshkruaj kontratën. Përpos Karlovac, e kam edhe një alternativë tjetër, ekipin Inter Zapresiç. Mendoj se 99 për qind do të mbetem në ndonjërin prej këtyre ekipeve”, u shpreh Doçi për Express.
Në rast se dështojnë këto mundësi, mbrojtësi kosovar e ka edhe opsionin e tretë. Ai mund të vazhdojë të luajë në Kosovë. “Nëse më dështojnë këto opsione, atëherë në pranverë do të luaj në Ballkan, pasi kam marrëveshje me udhëheqësit e këtij klubi”, vazhdoi ish-futbollisti i Lirisë, Vëllaznimit dhe Trepçës.
Përveç Kosovës, një pjesë të karrierës, Doçi e kaloi edhe në Bosnje e Hercegovinë, ku luajti 6 vjet me ekipet Zepçe, Siroki Brijeg e FK Sarajevo.
I pakënaqur me FFK’në
Në anën tjetër mbrojtësi prizrenas ndihet i zhgënjyer me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), e cila sipas tij, ka qenë jokorrekte, duke e lënë anash në shumë aspekte.
“Ndihem i anashkaluar. Disa vjet kam luajtur jashtë Kosovës, por edhe sa kam luajtur këtu, asnjëherë nuk kam marrë ndonjë mirënjohje. As nuk jam futur në mesin e 10 futbollistëve më të mirë, e as nuk kam marrë ftesë në përfaqësuese. Kjo është një padrejtësi. Në Kosovë, kur i mbush 28-29 vjet të anashkalojnë, ndërsa jashtë futbollistët janë të rëndësishëm deri 35-40 vjeç”, deklaroi Doçi.
“Shikojeni Elvis Osmanin. Ai fitoi gjithçka me Trepçën dhe në fund u rendit i shtati. Çdo respekt për Zhdrellën, por Osmani e meritonte këtë vit çmimin e lojtarit më të mirë”, përfundoi futbollisti prizrenas.
Pasi kaloi vitet e fundit në futbollin kosovar, Patrik Doçi e ndien veten se mund të shkojë më larg. Ai dëshiron ta sprovojë veten sërish jashtë vendit, ku beson se ka kapacitet të luajë me sukses.