E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kabashi e Xhemaili, më të mirët

Enis Kabashi dhe Mimoza Xhemaili janë shpallur hendbollistët më të mirë të vitit 2010 në konkurrencat përkatëse. Klubi më i mirë i meshkujve u zgjodh Kastrioti, kurse në atë të femrave, Prishtina. Trajneri më i mirë ishte Ismet Jupa, ndërsa gjyqtarët më të mirë, Afrim Azemi e Eshref Beqiri. Nga Moral Pozhegu më 11 janar 2011 në ora 12:53

Enis Kabashi është shpallur hendbollisti më i mirë i vitit 2010, në shpalljen e laureatëve, të cilën e bëri Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) të hënën në Prishtinë.

Hendbollisti i ri i Prishtinës ka qenë më i votuari nga trajnerët, duke lënë prapa dy portierë: Bardhyl Abazin dhe hendbollistin më të mirë të vitit të kaluar, Hektor Dobroshi.

“Jam shumë i lumtur që e mora këtë çmim. Është nder për mua që shpërblehem për punën që e kam bërë gjatë tërë vitit. Ky çmim do të më motivojë më shumë për të vazhduar me suksese këtë vit, qoftë më klubin, ashtu edhe në aspektin individual. E falënderoj babanë dhe trajnerin tim, Taib Kabashi, i cili është më i merituari për këtë zhvillim timin si lojtar”, theksoi Kabashi.

Ndërkohë, në konkurrencën e femrave, hendbollistja më e mirë është zgjedhur Mimoza Xhemajli, e cila la pas Shqipe Tahirin dhe Burneta Ramën.

“I falënderoj votuesit që më zgjodhën mua. Ky është një motiv që të punoj më shumë. Natyrisht, i falënderoj bashkëlojtaret, pa të cilat nuk do të mund të arrija asgjë”, tha Xhemaili, për të cilën ky ishte çmimi i dytë që e fiton në hendbollin e pasluftës.

Klubi më i mirë në konkurrencën e meshkujve ishte Kastrioti, ndërsa në atë të femrave – Prishtina. Trajneri i vitit u zgjodh Ismet Jupa, i cili drejton Kastriotin, në konkurrencën e femrave dhe njëherësh është përzgjedhës i Kosovës për femra. Derisa, punëtorë sportivë ishin Selami Ymeri e Skënder Aliu. Gjyqtarët më të mirë ishin Afrim Azemi e Eshref Beqiri.

Ndër të tjera, u ndanë edhe mirënjohje të veprës jetësore për kontribut të pashoq për Esat Stavilecin, Gjergj Gjinin, Ismajl Berishën, Beqir Buçincën dhe Fahri Buçincën. Çmimi post mortum iu nda Xhavit Spahiut, Hysni Firzës dhe Durgut Abdullahut. Mirënjohje u ndanë edhe për juniorët dhe kadetët, si dhe për sponsorët që e ndihmuan hendbollin këtë vit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›