E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Doda”, një i arrestuar narkoman

 

ELBASAN / ALDO KOZARIA

Një nga të dyshuarit si ekzekutorë të “Dodës”, ish-efektivit të policisë së Elbasanit mendohet se është përfshirë në këtë ngjarje nën efektin e narkotikëve. Sipas burimeve të policisë, verifikimet e kryera ndaj 30-vjeçarit Shkëlzen Shkrepi, rezultojnë se ai ishte përdorues i drogës dhe është futur qëllimisht në krimin mafioz ndaj Roland Rexhepit, mëngjesin e 22 korrikut. Hetimet intensive për zbardhjen e krimit ndaj ish-punonjësit të policisë, dikur dhe bodigard i ish-komisar Edmond Kosenit po kryhen mbi të katërt personat e arrestuar fill pas ngjarjes, me qëllim zbardhjen e motiveve dhe pozicionin e secilit prej tyre. Në qeli ndodhen tashmë Armand Llakaj, Arben Jaçe, Shkëlzen Shkrepi dhe Marjus Tafa, të akuzuar për bashkëpunim në vrasjen e Rexhepit. Për policinë e Elbasanit, të gjitha rrugët të shpien tek pista e ekzekutimit, për shkak të detyrës që Rexhepi ka mbajtur për 16 vjet në radhët e uniformave blu. Policia gjeti një sërë provash pas vrasjes 2 javë më parë të 42-vjeçarit, mes tyre dhe një shiringë, e cila dyshohej se ishte përdorur nga autorët. Për këtë, grupi hetimor ka verifikuar dosjet e personave të ndaluar. Verifikimet e kryera treguan se 30-vjeçari Shkrepi është person i skeduar prej policisë, si përdorues i lëndëve narkotike. Ai madje ishte shtruar disa herë në Qendrën Spitalore “Xhaferr Kongoli” në Elbasan dhe është kuruar në një nga pavijonet e saj, me qëllim shmangien nga përdorimi i lëndëve narkotike. Megjithatë, nga pyetja e familjarëve dhe mjekëve ka rezultuar se ndonëse ai i ishte nënshtruar një terapie intensive, nuk ka mundur dot të heqë dorë nga përdorimi i substancave narkotike. Gjithsesi, ky fakt për policinë e Elbasanit nuk ka përbërë ndonjë element lehtësues deri tani, pasi ende nuk janë përcaktuar arsyet e implikimit të 4 personave në krimin ndaj Roland Rexhepit. Ai u qëllua mëngjesin e 22 korrikut, nga një person i maskuar, ndërsa po nxirrte nga garazhi makinën e tij. Policia dyshon se autori është Llakaj, i shoqëruar dikur në komisariat, në kohën kur ishte në detyrë dhe Rexhepi. Personi që qëlloi është larguar nga vendngjarja me një motor, duke u ndihmuar të largohet dhe nga dy persona të tjerë. Veç Shkrepit, po kontrollohet dhe nëse të arrestuarit e tjerë kanë konsumuar lëndë narkotike para krimit. Ndonëse plani i vrasjes ishte plotësisht mafioz, ata kanë lënë shumë gjurmë pas saj, çka çoi dhe grupin hetimor në zbulimin dhe arrestimin e 4 prej tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›