Të pastrehët, ndryshon skema e kredisë
Qeveria i heq interesat e kredive të banesave për të pastrehët. Gazeta zbardh udhëzimin e ri të financave dhe Ministrisë së Transportit që e kthen kredinë shtetërore në një borxh të pastër. E thënë ndryshe, të pastrehët, do të paguajnë vetëm shumën e kredisë, ndërsa të gjitha interesat e tjera do të paguhen nga shteti. Deri para ndryshimit të udhëzimit, interesi i kredisë që merrej për të pastrehët paguhet 3 për qind nga vetë ata dhe pjesa tjetër nga shteti. Por udhëzimi i fundit e ka zeruar këtë pjesë. E thënë më thjeshtë, në rast se një i pastrehë merr një kredi në bankë, prej 20 mijë euro, ai pas 10 vitesh do të duhet të kthente 30 mijë euro. Pjesën prej 10 mijë eurosh, pas daljes së vendimit, do ta paguajë shteti. Pra, kredia që marrin të pastrehët, do të jetë thjesht borxh ndaj bankës. Fitimin e bankës në këtë rast e paguan qeveria.
Përfituesit
Përfituesit kryesorë të udhëzimit të ri janë rreth 5 mijë familjet që jetojnë në banesat e ish-pronarëve. Këto familje paguajnë shuma minimale qiramarrjeje. Nëse në vendimin e mëparshëm, të vitit të kaluar, këto familje duhet të paguan 3% të shumës mbi principalin e kredisë në arkën e shtetit, në vendimin e ri ato nuk do të paguajnë asnjë interes. Nga ky vendim përfshin ato kategori në të cilat programi adreson edhe familje, që banojnë si qiramarrës në banesa pronë e subjekteve të shpronësuara, që përfshihen në germën “a” të nenit 5 të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004. “Këto familje paguajnë vetëm principialin e kredisë me interes 0%”, thuhet në vendimin e qeverisë. Në udhëzim janë parashikuar edhe procedurat që duhet të ndiqen për ato familje, të cilat duan të përfitojnë nga kjo kredi. Familjarët duhet të paraqiten pranë zyrave rajonale të Entit Kombëtar të Banesave për të paraqitur dokumentacionin e nevojshëm. “Familjarët duhet të paraqesin vërtetim negativ nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes nuk figuron pronë e regjistruar ose në proces regjistrimi; b) Dokumentin e lëshuar nga Këshilli Bashkiak për dhënien e statusit; c) Certifikatën e gjendjes familjare të datës 31 dhjetor 1992; d) Adresën e banesës dhe emrin e pronarit të banesës”, thuhet në vendimin e qeverisë. Qeveria ka përcaktuar dhe vlerat e kredimarrjes me interes, duke e përcaktuar edhe nga nr i pjesëtarëve të familjes. Kjo vlerë është ndarë mbi bazën e qyteteve si Tirana, Shkodra, Durrësi, Kavaja, Gjirokastra, Vlora dhe Korça. Në Tiranë është përcaktuar se për dy persona që përfitojnë një garsionere, kufiri maksimal i kredisë nga shteti shkon 2,751,000 lekë. Për një familje me 3 persona, parashikohet një apartament 1+1 kufiri maksimal i kreditimit prej 3,275,000 lekësh. Ndërsa për një familje prej 4 personash, shteti krediton shumën prej 4,061,000 lekësh me hyrje 2+1. Ndërsa për një familje deri në 5-6 veta, përfitojnë kreditim deri në 5,240,000 lekë, për një hyrje apartamenti 3+1.
udhezimi i ri
Vendimi i mëparshëm
1. Masa e subvencionit të interesave të kredisë (subvencioni), për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti, bazuar në ligjin nr. 9232, datë 13.5.2004 “Për programet sociale të strehimit për banorët e zonave urbane”, të ndryshuar të jetë e barabartë me diferencën që rezulton midis interesit vjetor të kredisë në tregun e lirë, sipas marrëveshjes së nënshkruar midis ministrit të Financave dhe bankës, me interesin prej 3% në vit që paguan familja mbi principialin e kredisë.
Vendimi i ri
1. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1 me këtë përmbajtje:
1/1. Masa e subvencionit të interesave të kredisë (subvencioni), për familjet, sipas pikës 7 të këtij udhëzimi, të jetë e barabartë me interesin vjetor të kredisë në tregun e lirë, sipas marrëveshjes së nënshkruar midis Ministrit të Financave dhe bankës. Këto familje paguajnë vetëm principialin e kredisë me interes 0%.
2. Pas pikës 7 shtohen pikat si më poshtë:
7/1. Për efekt të përfitimit të subvencionit, familjet që përfshihen në pikën 7, dhe që nuk janë verifikuar në terren nga EKB, paraqiten pranë zyrave rajonale të EKB për rifreskimin e dokumentacionit si më poshtë:
a) Vërtetim negativ nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme që, në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes nuk figuron pronë e regjistruar ose në proces regjistrimi;
b) Dokumentin e lëshuar nga Këshilli Bashkiak për dhënien e statusit;
c) Certifikatën e gjendjes familjare të datës 31 dhjetor 1992;
d) Adresën e banesës së/dhe emrin e pronarit të banesës.
7/2. Zyrat rajonale të Entit Kombëtar të Banesave shpallin listat në vende të dukshme dhe çdo individ që pretendon se nuk figuron në lista mund të paraqitet me dokumentacionin përkatës, sipas pikës 3 pranë zyrave rajonale të EKB për verifikim. EKB pasi shqyrton dhe verifikon dokumentacionin dhe i gjen ato në përputhje me pikën 3, i përfshin në lista dhe njofton bashkinë përkatëse.
7/3. Listat e familjeve që përfshihen në pikën 7, të cilat janë miratuar me vendime të këshillave bashkiake dhe i janë dërguar Entit Kombëtar të Banesave, i dërgohen nga ky i fundit bankës me të cilën është nënshkruar marrëveshja me Ministrin e Financave dhe Ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe një kopje bashkive respektive.
7/4. Listat përmbajnë emrin e kryefamiljarit dhe strukturën e familjes, sipas certifikatës familjare të muajit dhjetor 1992 dhe strukturën e apartamentit që përfiton.
7/5. Bazuar në numrin e kontratave të kreditimit që mund të lidhen nga banka, kjo e fundit njofton radhën e paraqitjes pranë zyrave për lidhjen e kontratave, sipas renditjes të listave të dërguara nga EKB.
2. Në fund të pikës 8 shtohet një fjali si më poshtë:
“Kjo procedurë nuk ndiqet për familjet sipas pikës 7 të këtij udhëzimi”.
3. Pas fjalisë së parë të pikës 11 të udhëzimit nr.6257, datë 2.9.2008, shtohen fjalitë më këtë përmbajtje:
“Kufiri maksimal i kreditimit në këtë tabelë llogaritet sa 80% e vlerës së apartamentit të blerë në treg. Për qytetet e tjera që nuk përfshihen në tabelë, vlera maksimale e kredisë përcaktohet nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit rast pas rasti sipas të dhënave zyrtare mbi çmimin e shitblerjes se apartamenteve në treg dhe i njoftohet bankës me të cilën është lidhur marrëveshja e bashkëpunimit”.
4. Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.