Shoferët, 200 km për kolaudimin
BURREL - Të paktën 2 mijë shoferë të Matit stërmundohen për kontrollin periodik të automjeteve dhe sigurimin e targave të reja. Udhëtojnë nga ky rreth drejt qytetit të Peshkopisë. Harxhojnë kohë, karburant, goma, madje dhe të holla. E gjithë kjo pasi Drejtoria e Përgjithshme e Kontrollit të Automjeteve Tiranë ka ngritur një zyrë rajonale në qytetin e Peshkopisë, 200 kilometra larg qendrës administrative të Matit, Burrel. Nuk kanë reshtur ankesat e shoferëve të këtij rrethi, mirëpo askush nuk ka treguar kujdes që kjo çështje të hyjë në rrugën e zgjidhjes. “Është një lodhje e stërmundim i madh, - thotë Ndoj, - një shofer nga Ulëza. Sa herë ne duhet të kryejmë kontrollin e automjeteve, na duhet të ngjitemi në Dibër. Jo vetëm kaq. Policia e Dibrës dhe Bulqizës na gjobit rrugës. Administrata e kontrollit në Peshkopi jo vetëm na lë në radhë, por në të shumtën e rasteve nuk na mbaron punë. Paguajmë nën dorë për të zgjidhur shqetësimin brenda ditës, ndryshe nuk të qas askush”. Në qendrën e qarkut janë përqendruar shumë shërbime, mirëpo kjo e kontrollit periodik të automjeteve, targave dhe patentave duket një absurd i vërtetë, ndonëse është premtuar se një qendër kolaudimi do të jetë në Burrel. h.p