Dogana pajiset me aparate kundër radioaktivitetit
Lufta kundër materialeve të radioaktivitetit përbën sfidën e radhës për autoritet doganore në vend, që në bashkëpunim me policinë kufitare kanë vendosur marrjen e pajisjeve të reja. Kjo është arritur falë bashkëpunimit me qeverinë amerikane, e cila me anë të Misionit për Asistencë në Eksporte dhe Sigurinë e Kufijve i ka dorëzuar dje Policisë Kufitare dhe Doganave pajisje për kapjen e materialeve radioaktive. I ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-së, Steve Cristina, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me autoritetet shqiptare për forcimin e kontrollit dhe sigurisë së kufijve si mjeti për të mundësuar sigurinë e shqiptarëve dhe më gjerë. Pajisjet e siguruara nga EXBS do të përdoren në pikat kufitare të Shqipërisë për të parandaluar kalimin e paligjshëm të materialeve nukleare ose teknologjive me përdorim të dyfishtë. Vlera totale e projektit, përfshirë pajisjet dhe trajnimet përkatëse, shkon në 400 mijë dollarë. Dhurimi i pajisjeve u parapri nga një sërë trajnimesh të organizuara nga Misioni i SHBA-së ndaj 130 oficerëve të doganave, policisë kufitare dhe zyrës së mbrojtjes nga radioaktiviteti.