Përjashtohet nga TVSH-ja regjistrimi i anijeve
Përjashtohen nga pagesa e TVSH-së të gjitha mjetet që regjistrohen për herë të parë në flotën tregtare dhe atë të peshkimit të Republikës së Shqipërisë. Dy ditë më parë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7928, datë 27.04.1995 për tatimin mbi vlerën e shtuar" të ndryshuar, duke përjashtuar nga taksa 20 për qind sektorin e transportit detar, kërkesë kjo e kahershme e ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi. Ndryshimi i propozuar nga MPPTT është në kuadër të masave lehtësuese që qeveria po ndërmerr në ndihmë të biznesit privat. Në këtë mënyrë vlera e kursyer nga mospagesa e TVSH-së mund të përdoret për të rritur vlerën e investimit në blerjen e anijeve me vitprodhim më të ri ose për të rritur standarde teknike të anijeve (vlera është 20% TVSH plus 2% taksë doganore). Kjo masë do të ndikojë gjithashtu në rritjen e numrit të anijeve të regjistruara me flamur shqiptar, si dhe në rritjen e tonazhit të përgjithshëm të flotës tonë detare, duke e bërë vendin tonë më aktiv në Organizatën Detare Ndërkombëtare, IMO.