E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëshqitja e shtetit në Far West

Kemi parë në këto tre vite qeverisje të Sali Berishës gjeste, sjellje, veprime, ligje e deklarata të panumërta për zbatim të ligjit dhe forcim të shtetit. Në ato fillime kishte ende ndonjë shpresëmadh që edhe besonte në këto gjëra, por tani në hyrje të vitit të katërt të kësaj qeverie, vështirë se mund të gjendet ndokush të besojë te këto dogma. Sot, kemi edhe mundësinë për të kuptuar më mirë ngjarjet e ndryshme që kanë ndodhur në këto tre vitet shtet shkatërrim të Sali Berishës dhe politikës që ai përfaqëson. Para se të konkludoj, dua të rendis disa ngjarje të rënda për historinë e shtetit tonë në këto tre vitet e fundit.

1.

Imuniteti

Po e nis nga imuniteti i deputetëve, gjykatësve dhe prokurorëve meqë ishte çështja e parë që Berisha solli në vëmendje të publikut si zgjidhja ideale e luftës kundër korrupsionit. Në një shtet normal e demokratik, imuniteti u jepet këtyre zyrtarëve për t‘u mbrojtur nga sulmet abuzive që iu bën pushteti. E thënë më shkoqur, një deputeti i duhet dhënë garanci që nuk ndëshkohet ligjërisht (me përjashtim të shpifjes) sa herë flet apo voton kundër Kryeministrit dhe ministrave të tij. Ky është thelbi i pavarësimit funksional të institucionit të deputetit, prandaj dhe i është dhënë imunitet nga ndjekja penale për shkak të detyrës që ai bën. Në shtete të ndryshme ka forma dhe modele të ndryshme, por thelbi i konceptit të imunitetit është mbrojtje për shkak të detyrës që kryen. Me këtë koncept, Sali Berisha dhe qeverisja e tij nuk kanë qenë e as janë dakord. Koha tregoi se lidhja e imunitetit të deputetit me korrupsionin ishte farsë, sepse Kryeministri i sotëm na dha edhe një herë mundësinë të rikujtojmë se korrupsioni i vërtetë ndodh në qeveri, pra tek ai vetë. Koha tregoi se Kryeministri kërkon që të ketë nën kontroll votën e deputetëve dhe jo luftën kundër korrupsionit. Në rastin e votimit të mocionit për shkarkimin e Jozefina Topallit, Garda e Republikës u urdhërua të survejonte votimin e çdo deputeti të mazhorancës. Madje, edhe vetë Kryeministri u kap në flagrancë duke "monitoruar" disa deputetë "të pasigurt". Kurse deputetët e opozitës vlejnë vetëm për t‘u sharë e kërcënuar me jetë. Nga ana tjetër, në të dyja rastet kur u kërkua vullnet politik i pakondicionuar për të çliruar nga imuniteti zotërinjtë Basha dhe Mediu, Kryeministri bëri ç‘mundi për t‘i mbrojtur, por nuk ia arriti. Sot, Kryeministri kërkon t‘u heqë imunitetin gjykatësve dhe prokurorëve, jo për të luftuar korrupsionin, por për të pasur më të lehtë kontrollin ndaj tyre, nëpërmjet shantazheve të fabrikuara nga përgjuesit tashmë legjitimë në Ministrinë e Brendshme. Të gjitha këto ngjarje të rënda provojnë qartësisht se Sali Berisha nuk ka lidhje jo më me antikorrupsionin, por në radhë të parë me shtetformimin.

2.

Zhvleftësimi i fuqisë së ligjit

Kushtetuta, ligji dhe vendimet e gjykatave janë terma të papranueshëm për Sali Berishën. Kushtetutën ky njeri nuk e njohu asnjëherë dhe as sot nuk e njeh, madje as ata që votoi vetë. Kushtetuta dhe ligji janë instrumente që iu përplasen në fytyrë njerëzve hallexhinj, mundësisht atyre me mendime të kundërta me Kryeministrin, si shenjë hakmarrjeje. Janë të panumërta shkeljet e ligjit që personalisht ka kryer apo nxitur me dashje Sali Berisha. Duke filluar nga prishja e paligjshme e mbikalimit te "Zogu i Zi" e për të vazhduar me kthimin joligjor dhe pa asnjë dokument të shtëpive të shtetit Leka Zogut e deri tek aksionet antiligjore ndaj medias dhe qytetarëve të këtij shteti. Nuk po flasim për zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve që krijojnë hapësirat e domosdoshme për opozitën, por dhe për interesin e publikut të gjerë, si p.sh. refuzimi i vazhdueshëm i Kryeministrit për t‘u paraqitur në interpelanca apo mohimi i së drejtës së deputetëve për të ngritur komisione hetimore etj. Të gjitha këtyre sjelljeve të perceptuara drejtpërdrejt nga publiku i gjerë sot, po t‘i shtojmë edhe refuzimin historik, madje të dhunshëm të politikanit Sali Berisha, për t‘u paraqitur në prokurori apo për të dëshmuar në gjykatë për çështje të rëndësishme, kuptojmë qartësisht se zbatimi i ligjit nuk ka asnjë lidhje me këtë njeri. Mirëpo duke qenë jo njeri dosido, por një drejtues politik, mesazhi që përçon është moszbatimi i ligjit dhe jo e kundërta. Në këto kushte, nuk ka sesi të zbatojë ligjin administrata që është emëruar prej tij personalisht.

3.

Sulmi ndaj çdo institucioni që garanton shtetin dhe të drejtën

Ka 18 vjet që Sali Berisha vetëm sulmon gjykatësit dhe prokurorët. Kjo mënyrë e të bërit politikë ka shkatërruar qelizën e funksionimit të këtij pushteti të pavarur, që është njeriu profesionist dhe me ide. Edhe në tre vitet e fundit, megjithëse në krye të qeverisjes përsëri u vu re e njëjta sjellje. Mirëpo gjykata dhe prokuroria janë garancia e vetme që ligjet zbatohen dhe të drejtat e njeriut nuk shkelen. Ditët e fundit u është qepur edhe Noterëve dhe Avokatëve, me një mllef të jashtëzakonshëm, që edhe vetë komandanti do ta kishte zili. Këto sulme i bën me një mjeshtri populiste, sepse gjithmonë prek sensibilitetet e drejta të njerëzve që vuajnë nga shërbimi i keq në këto fusha. Mirëpo zgjidhja që ofron Kryeministri nuk ka në fokus zgjidhjen e halleve të njerëzve, por zgjidhjen e halleve të veta dhe të pushtetit të tij të korruptuar. Aq e vërtetë është kjo, saqë tani ai ka filluar e ulëret kur përpiqet të flasë. Sa herë e bën këtë, është në hall të madh.

4.

Çlirimi i shtetit nga përgjegjësia

Në emër të liberalizmit (një komunist i thekur si Berisha, as që e kupton këtë gjë) shteti i Sali Berishës nuk garanton më as municionet e ushtrisë, as kualitetin e ilaçeve, as kualitetin e arsimit, as sigurinë ligjore të dokumenteve shtetërore, as sigurinë e digave dhe të objekteve të rrezikshme, as cilësinë e farës së misrit, as mosdrogimin e fëmijëve, as sigurinë e transaksioneve financiare, as mospastrimin e parave të trafikut ballkanik e më gjerë, as dëgjimin e mendimeve të grupeve të interesit, d.m.th asgjë. Se për çfarë i duhet ky lloj shteti shqiptarëve sot, këtë vetëm Saliu e di?!

Të gjitha këtyre elementëve, po t‘u shtojmë edhe armiqësinë e përhershme të tij me median e pavarur, na rezulton se çdo gjë normale për shtetin dhe shoqërinë është anormale për Salinë. Turpi nuk ka kufij, kur sot në shekullin XXI, Kryeministri i fton qytetarët ta marrin në telefon që t‘u zgjidhet halli, sepse shteti për të gjitha ato arsye që rendita më lart, është ai vetë. Pra si në kohët e Far West.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›