E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doganat: Hetimi për kontrabandën e ‘virxhin’, përpara denoncimit të Priftit

Doganat kanë bërë me dije për mediat, ditën e djeshme, se hetimi për kontrabandën e naftës ka nisur që në mars, që do të thotë shumë më përpara denoncimeve që ka bërë ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Zëdhënësja e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Elvana Bicolli deklaroi dje se ky institucion ka vënë në dispozicion të organit hetimor të prokurorisë, të gjitha të dhënat që skandali i naftës të zbardhet sa më parë. Ajo tha se doganat po bashkëpunojnë me doganën italiane, në lidhje me çështjen e shpërdorimit të naftës së shtetit. Pas operacionit të mbrëmjes së të premtes, nga Prokuroria e Përgjithshme, në bashkëpunim me Task Forcën, u bënë një sërë arrestimesh, mes tyre doganierë, biznesmenë dhe tatimorë. Në kohën kur ish-ministri Prifti lëshoi akuza të forta për kontrabandën e naftës, kreu Flamur Gjymishka pohoi se, në Shqipëri është kryer kontrabandë. Por Flamur Gjymishka thotë se nuk përkon me kohën që deklaron Prifti, por më herët. Gjithsesi, ai deklaroi se për këtë çështje kanë nisur hetimet. "Për naftën ‘virxhinia’, po mblidhet dokumentacion i plotë, por nuk korrespondon me kohën kur flitet, ka qenë më herët", u shpreh Gjymishka. Numri një i doganave jep alarmin edhe për kontrabandën e cigareve, apo të mallrave të tjera, që në shumë raste shërben si mjet financimi për grupet terroriste. Këto deklarata, kreu i Përgjithshëm i Doganave i bëri nga Durrësi, pas një seminari me përfaqësues të rajonit, për luftën kundër kontrabandës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›