Financat: Kontrabanda e naftës, ja masat që nga 2005
Për herë të parë, një qeveri në Shqipëri po bën një luftë të vërtetë ndaj kontrabandës dhe sidomos asaj të naftës. Deklaratën e lëshoi zv.ministri i Financave, Alfred Rushaj. Ai ka sqarua dje për mediat pozicionin e qeverisë dhe sidomos të financave, në lidhje me arrestimet e fundit për kontrabandimin e naftës ‘virxhine’, i cili në të njëjtën kohë ka akuzuar kreun e Partisë Socialiste, se kupola e lartë e PS është lidhur me këtë kontrabandë. Rushaj ka deklaruar se, nafta ‘virxhin’ është shitur 8 vjet pa asnjë taksë në tregun e brendshëm, gjatë qeverisjes socialiste. Ai vuri në dijeni se, është qeverisja demokratike që ka vendosur për herë të parë sistemet fiskale të raportimit online në rafineri, magazinë doganore dhe pika të shitjes me pakicë të karburanteve, duke dyfishuar në një kohë të shkurtër shitjet e raportuara. Sipas tij, janë pikërisht këto masa që kanë bërë që mijëra tonë naftë ‘virxhin’ të jenë të bllokuara sot nëpër magazina subjektesh që, sipas Rushajt, drejtohen direkt nga kupola më e lartë e Partisë Socialiste. Rushaj tha se qeveria do të vazhdojë luftën pa ndërprerje ndaj çdo kontrabande dhe ndaj kujtdo që tenton të dëmtojë ekonominë e shqiptarëve. “Në serialin e neveritshëm të akuzave të Edvin Ramës, sipas të cilave dhe për tërmetin në Japoni, fajin e ka Kryeministri i Shqipërisë; këto ditë kemi dëgjuar se edhe kur qeveria dërgon dosje në prokurori, për të denoncuar kontrabandën dhe shkelësit e ligjit, fajin e ka përsëri Kryeministri. Çfarë ka bërë Qeveria për këtë proces? Shqiptarët duhet të dine se nafta ‘virxhin’, produkti për të cilin çirren e bërtasin sot disa klane të caktuara pranë PS, për 8 vjet që ishte në pushtet kjo parti, është tregtuar lirisht dhe pa asnjë taksë në tregun e brendshëm, duke dëmtuar çdo konkurrencë të ndershme e duke dëmtuar ekonominë e pronën e çdo shqiptari”, - u shpreh Rushaj, në një deklaratë për shtyp dje. Ai nënvizoi se pjesë e përpjekjeve për të luftuar kontrabandën në tregun e karburanteve është dhe hetimi aktual që, sipas tij, duket se ka prishur shumë interesa të atyre që, pasi kanë vjedhur, thonë “kapeni hajdutin”. “Si mund të jetë ndryshe kur qeveria jep kontributin kryesor për të konkluduar një hetim, që ajo vetë e ka nisur në vitin 2008, dhe disa grupe të caktuara, pikërisht për këtë arsye tregojnë gishtin ndaj qeverisë. Po si mund të akuzohet qeveria për një vendim, i cili praktikisht ka ndaluar tregtimin në tregun e brendshëm të “virxhin nafte”, përveç se nga personat, të cilëve iu janë prishur interesat?” - argumentoi Rushaj. Ai sqaroi se vendimi detyron që rafineria ta eksportojë vetë dhe jo ta shesë naftën në tregun e brendshëm. “Kujtoj gjithashtu se ishte kjo qeveri që e vendosi në akcizë këtë produkt dhe madje 30% më të lartë se, akciza e çdo nënprodukti tjetër nafte, pikërisht për ta bërë dhe komercialisht të pamundur tregtimin e tij. Dhe kujtoj se atëherë u akuzuam se po rëndojmë bizneset, duke u shtuar atyre kostot për disa mallra të cilat nuk kanë nevojë për akcizë. Kujtoj se ishte kjo qeveri që rriti zhdoganimin e karburanteve për 5 vite, me dyfishin e sasisë dhe me 4-fishin e të ardhurave, në krahasim me periudhën e socialistëve” - tha Rushaj. Kontrabanda e naftës ‘virxhin’ ka vënë në pranga dy ditët e fundit zyrtarë të administratës shtetërore.