E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabanda, Braçe: Janë 3 kompani

Deputeti i PS, Erion Braçe, anëtar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, tha dje se 2 biznesmenët e dyshuar për kontrabandën e naftës bruto janë njerëz të afërt me Kryeministrin. Sipas Braçes, përveç ARMO-s, kontrabandën e ka bërë edhe një kompani tjetër. “Nuk janë 2 kompani, por edhe një e tretë e ngritur politikisht, administruar familjarisht, favorizuar administrativisht, me 4 vendburime kombëtare të naftës, që ka kryer të njëjtin krim, shitje të naftës bruto, të papërpunuar, në tregun e brendshëm shqiptar në vitet 2009-2010. Nuk ka qenë vetëm ARMO, por edhe një tjetër kompani, që ka shërbyer si burim në këtë operacion kriminal. Sasitë kanë qenë të mëdha dhe përfitimi është edhe më i madh”, tha deputeti Braçe. Braçe akuzoi kryeministrin për përfitime direkte nga kjo kontrabandë e dyshuar. “Llogaritë e kompanisë nën akuzë i mbante Sali Berisha, kontratat për të mbuluar paratë e paligjshme i ka nënshkruar ministri i Brendshëm, rimbursimin e skemës fiktive të eksporteve e ka paguar ministri i Financave, shtimin e kapitalit të kompanisë në fjalë nën akuzë e ka nënshkruar po kryeministri dhe po kryeministri është ai që sot do të amnistojë përmes aministisë fiskale apo faljes, siç ka thënë, këto kapitale të krijuara në mënyrë kriminale”, u shpreh Braçe. I pari që foli për kontrabandë ishte ish-ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Prokuroria filloi hetimet mbi këto akuza, duke arrestuar në fund të kësaj jave edhe 2 biznesmenë, si të dyshuar në tregtinë e paligjshme në tregun vendas të naftës së papërpunuar bruto.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›