Dogji Ndrecën, prokuroria 4 vite burg për Perikli Shqevin
Ish të përndjekurit kontestojnë pretencën: Po na vrisni për së dyti
Është dhënë ditën e djeshme pretenca për ish të përndjekurin politik Perikli Shqevi, i cili një vit më parë gjatë grevës së urisë bashkë me të përndjekurit e tjerë, i vuri zjarrin shokut të tij Gjergj Ndreca. Katër vite burg ka kërkuar organi i akuzës, për ish të përndjekurin Shqevi, gjatë seancës së djeshme gjyqësore që është zhvilluar në Gjykatën e Tiranës. Kjo masë dënimi është kërkuar nga prokurori Blerim Tominja, pasi nga provat e nga dëshmitë e që disponon Prokuroria, Perikli Shqevi shkaktoi djegien e shokut të tij, dhe për këtë vepër penale është fajtor për plagosje të rëndë me dashje.
Kontestimet
Gjatë seancës së djeshme në sallën e gjyqit kanë marrë pjesë edhe ish të përndjekurit e tjerë, shokë të Perikli Shqevit dhe Gjergj Ndrecës. Ata kanë kontestuar pretencën e Prokurorisë duke, deklaruar se Gjykata dhe institucionet shtetërore po i vrasin për së dyti, pasi nuk mjaftojnë vuajtjet dhe problemet financiare, por tashmë të përndjekurit duhet ti kthehen sërish qelive të burgut. Duke protestuar dhe duke mos u pajtuar me konkluzionet e organit të akuzës për dënimin me 4 vite burg të shokut të tyre, ish të përndjekurit e kanë cilësuar një vrasje për së dyti nismën e tyre.
Akuzat
Sipas akuzës grevisti Ndreca në mënyrë demonstrative gjatë kohës që ishte në grevën e urisë së bashku me shokët e tij për të protestuar kundër qeverisë në lidhje me dëmshpërblimet e ish të përndjekurve, ka dashur ti vërë flakën vetes, por është neutralizuar nga forcat e policisë. Pas kësaj i pandehuri është afruar duke ndezur një çakmak dhe për rrjedhojë Gjergj Ndreca ka marrë flakë duke i rrezikuar atij jetën, ndërsa ka qëndruar për disa ditë në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të djegies që ka qenë e shkallës së tretë. Seanca tjetër është caktuar në datën 24 shtator, ku Shqevi do të mbrojë veten. Ish i përndjekuri asnjëherë nuk ka pranuar akuzën e djegies së mikut të tij Gjergj Ndreca, i cili tashmë ka kërkuar azil politik në Suedi. Këtë vepër penale, sipas prokurorisë, Shqevi e ka konsumuar mëngjesit e 8 tetorit të vitit të kaluar, kur i vuri zjarrin grevistit Gjergj Ndreca, i cili ishte lyer me benzinë në shenjë proteste ndaj qeverisë. Vet i pandehuri Shqevi, në asnjë rast nuk ka pranuar akuzën e zjarrvënies ndaj Ndrecës, që tashmë ka kërkuar azil politik në Suedi.