E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokle: “Alibia e PD për hetimin, ra në tryezë”

Autori i Lajmit: Redaksia

Partia Socialiste këmbëngul në argumentet e saj për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 Qershorit. Deputeti i PS-së, Namik Dokle, listoi dje 6 argumentet për shkeljet e konstatuara gjatë procesit zgjedhor, të cilat, sipas tij, legjitimojnë tërësisht kërkesën e opozitës. Për Partinë Socialiste alibia ku mbështetet PD është e pabazë, pasi objekti i hetimit parlamentar i kërkuar prej tyre nuk është i njëjtë me objektin që shqyrtoi Kolegji Zgjedhor. Sipas deputetit socialist Namik Dokle, hetimi i kërkuar nga opozita nuk synon ndryshimin, rishikimin apo vendimin e Kolegjit Zgjedhor, pasi siç tha ai, PS e ka njohur vendimin e këtij kolegji. Duke nënvizuar vullnetin e opozitës për të kontribuar për zgjidhjen e krizës, Dokle sqaroi edhe një herë pikat kryesore ku bazohet hetimi i kërkuar nga Partia Socialiste. “Mungesa e zbatimit të ligjit gjatë numërimit të votave, shkeljet flagrante gjatë votimit në QNV, mangësitë në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit të procesit dhe numërimit, përdorimi i aseteve publike të administratës në favor të subjekteve, presioni shtetëror ndaj punonjësve për efekte elektorale dhe lejet e përkohshme gjatë fushatës për personat e dënuar për veprat penale, janë pikat ku bazohet kërkesa për hetimin e zgjedhjeve nga ana e Partisë Socialiste”, - shpjegoi deputeti socialist. Ky objekt, shtoi ai, është në përputhje me parimet kushtetuese të mishëruara edhe në praktikën e Gjykatës Kushtetuese mbi ngritjen e Komisioneve Hetimore Parlamentare. Dokle pohoi se ky objekt, që ka të bëjë me transparencën si element kyç i demokracisë, mbështetet dhe në përvojat demokratike në SHBA, Itali, Rumani për të mos përmendur dhe Afganistanin. “Ne shprehim dhe një herë vendosmërinë e Partisë Socialiste dhe të opozitës në kërkesat tona të drejta, legjitime, kushtetuese dhe mbrojtëse të votës së lirë e të vullnetit të paprekur të zgjedhësve”, - tha ai, ndërsa i bëri thirrje Partisë Demokratike, Qeverisë dhe posaçërisht Kryeministrit të reflektojnë në kohën e duhur, pa vonesë dhe me seriozitetin që duhet të ketë mazhoranca e një vendi anëtar të NATO-s dhe aspirant i BE-së. “Asnjëherë dhe askush nuk do të mundë të fshehë të vërtetën e zgjedhjeve. Asnjëherë dhe askush nuk do të mundë të përsërisë më manipulimin e 28 Qershorit”, - përfundoi ai.

Ky lajm është publikuar: 16/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›